Impagliazzo: në Berlin, fetë e bashkuara për të sjellë paqen në debatin global
R.SH. – Vatikan
Berlini është qyteti, që mund të dëshmojë më së miri se muret, ashtu siç lartohen, mund edhe të bien. Pikërisht për këtë arsye, kryeqyteti i Gjermanisë do të marrë stafetën e “Britmës për paqen”, nismë e filluar vitin e kaluar në Romë, kur përfaqësuesit e feve botërore u mblodhën së bashku me Papën në Koloseum, duke kërkuar që “toka të çlirohet nga dhuna”. Në Berlin, nga data 10 deri më 12 shtator, do të mbahet edicioni 2023, i 37-i i Takimit në “frymën e Asizit”, promovuar nga Bashkësia e Shën Egjidit. Këtë vit, ai organizohet së bashku me Kishën Protestante e ka si titull “Guximi i paqes. Fetë dhe kulturat në dialog”. Ngjarje në të cilën, ndër të tjerë, do të marrë pjesë edhe kancelari gjerman Olaf Scholz. Kujtojmë se ky Takim është ide e Papës shenjt Gjon Pali II, i cili, në vitin 1986, mblodhi në lutje, në Asizi, krerët fetarë të gjithë botës, duke i nxitur me fjalët: "Paqja është kantier i hapur për të gjithë". Berlini - shpjegoi kreu i Bashkësisë së Shën Egjidit, Marco Impagliazzo, nga Gjermania, ku u bë paraqitja e ngjarjes - "është qyteti, në të cilin ra një mur, shembur nga forca e demokracive, dialogut dhe durimit për të rindërtuar udhët e paqes. Në një botë ku shumë mure po ngrihen sërish, të shkosh në Berlin do të thotë të kujtosh se muret mund të bien prapë".
Shkatërrimi i luftës dhe roli i feve
"Këtë vit - shpjegon Impagliazzo për Radio Vatikanin/Vatican News - kemi parë se lufta shkakton ende shumë viktima e shumë shkatërrime, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në vende të tjera të botës. Është e qartë se kemi qenë pak të guximshëm në kërkimin e rrugëve të paqes, siç donte Papa Françesku, …të gjithë: shoqëria civile, bashkësia ndërkombëtare, diplomacia”. Prandaj, nga Berlini, qytet i rrënojave të fundit të Luftës së Ftohtë, duhet të dalë me zë të lartë dhe qartë mesazhi i "guximit të paqes" dhe roli themelor i feve në arritjen e saj. Ndër të ftuarit, Kryerabini i Izraelit, Lau dhe Imami i Madh i al-Azharit, al-Tayyeb, me të cilët Papa nënshkroi dokumentin e Abu Dabit mbi vëllazërimin njerëzor në vitin 2019, por edhe përfaqësues të feve aziatike, të Hinduizmit, Budizmit, Shintoizmit dhe Sikhëve. “E gjithë bota fetare do të përfaqësohet në Berlin - vazhdon Impagliazzo. – Të bashkuar, do të impenjohemi për ta rikthyer temën e paqes në qendër të debatit ndërkombëtar, ku fatkeqësisht, mbizotëron ende logjika e polarizimit dhe e konfrontimit, por edhe ajo e tregtisë dhe e përhapjes së armëve. Kjo logjikë duhet të ndryshojë, duhet ta përmbysim këtë prirje, pasi, në radhë të parë, duhet të hapim rrugët e dialogut e më pas, rrugët e paqes. Fetë do të luajnë rolin e tyre”.
Rrugë të reja dialogu
Sot, fetë përfshihen gjithnjë e më pak në skenarët e luftës e përpiqen të mos jenë shkak për shpërthimin e konflikteve. “Një shembull i kësaj – thekson presidenti i Shën Egjidit – janë rrugët e hapura ndërmjet të krishterëve, ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve, është gjithçka po bën Papa Françesku vitet e fundit, veçanërisht drejt botës myslimane, si për shembull, udhëtimet e tij në Bahrein, në Abu Dabi, në rajone të tjera myslimane”. Dështimi i paqes, sipas Impagliazzo-s, varet më shumë nga bota politike e diplomatike, ndërsa fetë, aktualisht, impenjohen të hyjnë në histori përmes çasteve të afrimit ndërmjet tyre. “Abu Dabi - vëren ai - ka hyrë në histori, ashtu si edhe takimi i Papës Françeskut me Al Sistanin në Najaf, me shiitët irakianë”. Pra, fetë po mundohen të shkruajnë historinë e dialogut, por ç'mund të thuhet për politikën e diplomacinë? Kjo është pyetja, që do të jehojë në shtator, nga Berlini në gjithë botën.