E Lume, Elisa Martinez, Nëna e të varfërve dhe e të sëmurëve
R. SH. - Vatikan
“Do të dëshiroja ta zgjeroja zemrën, për të përqafuar të gjitha krijesat e shpërndara në çdo cep të Tokës, veçanërisht më nevojtaret e më të harruarat”. Këto, fjalët e Nënës Eliza Martinez, themeluese e Kongregatës së Bijave të Shën Marisë së Leuca-s, të cilat i kujtoi Kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve e përfaqësues i Papës Françesku në kremtimin e Meshës së Lumminit të rregulltares salentine, në Shenjtnoren me emrin e Kongregatës.
Ndërtesë shpirtërore, e lartuar mbi përvujtërinë
I donte të varfërit, "sepse në to e shikonte më qartë fytyrën e Krishtit" – nënvizoi Kardinali Semeraro - duke përsëritur disa herë se përvujtëria ishte virtyti më i spikatur i së Lumes, lindur në Galatinë, më 1905, vdekur në Romë, më 1991, pasi ia kishte kushtuar gjithë jetën formimit të vajzave adoleshente, edukimit të fëmijëve të vegjël, ndihmës së nënave beqare dhe shërbimit të famullisë. Përvujtëria ishte "çimentoja me të cilën Nënë Eliza ndërtoi godinën e saj shpirtërore, në mënyrë që gjithçka ta bënte me gëzim, pa pritur kurrfarë shpërblimi as vlerësimi njerëzor". Përkundrazi, duke pranuar edhe poshtërimet që sjell shërbimi i zellshëm i njerëzve, që nuk dinë ç’do të thotë të shërbesh në gjithçka, pa kërkuar asgjë, veç pranisë së Krishtit. Jetë gjithnjë pranë “të përulurve, të varfërve, të sëmurëve, të vuajturve”.
Zoti na mirëpret në çdo gjë
Ungjilli i ditës na kujton se Zoti nuk braktis askënd, sidomos kur vuan: e Nëna Elisa - kujtoi prefekti - "e lëshoi gjithnjë veten në dorë të Zotit, edhe në çaste keqkuptimi, dyshimi dhe refuzimi. E dinte mirë se Zoti na mirëpret në gjithçka jemi e në gjithçka kemi".
Frymëzim për të gjithë Salenton
Mesha e Lumnimit u kremtua “nën shikimin e Virgjërës” në shenjtëroren e Santa Maria di Leuca. E ishte “hera e parë që një liturgji e tillë kremtohet në tokën tonë” - kujtoi kardinali Semeraro, i lindur në provincën e Leçes - "ndaj kjo mund të bëhet për të gjithë ne sinjal, thirrje, ftesë e ngutshme për të qenë shenjtorë". Ishte "dhuratë e madhe, kjo që mori sot toka e Salentos", sepse, siç e ka kujtuar shpesh Papa Françesku, "shenjtëria, edhe nëse e ka thirrjen e saj nga lart, rrënjët i ka nën strehët njerëzore, në historinë e tokës dhe të Kishës”.