Don Mark Pashkja mbi takimin e CCEE-së në Tiranë: Kisha në Evropë e Sinodi
R.SH. – Vatikan
Nga 22 deri më 25 qershor, në Tiranë, u mbajt Takimi i Sekretarëve të përgjithshëm të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, që bëjnë pjesë në Këshillin me të njëjtin emër (CCEE). Sinodaliteti, në qendër të diskutimeve të tyre, ndërsa Kisha universale përgatitet për të debatuar mbi këtë temë të dashur për Papën Françesku, në tetor të këtij viti. Domethënës fakti që organizmi kishtar me seli kryesore në San Gallo të Zvicrës, udhëhequr aktualisht nga kryeipeshkvi lituanez Gintaras Grušas, zgjodhi pikërisht Shqipërinë për të kremtuar 50-vjetorin e themelimit. Siç nënvizoi Sekretari i Përgjithshëm i KISH-it, imzot Gjergj Meta, si edhe ipeshkvij e folës të tjerë, vendi i shqipeve ka shumë për t’i dhënë kulturës katolike evropiane, duke filluar nga dëshmia e martirizimit gjatë komunizmit tek dialogu e bashkëjetesa ndërfetare.
Sot, për të na folur pikërisht për këtë Takim, kemi në studio zëdhënësin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, don Mark Pashkjen, të cilit, duke i uruar mirëseardhjen, i kërkojmë menjëherë të na sqarojë argumentet e temat, në qendër të dy ditëve të Tiranës…
Kjo, deklarata për shtyp, pas Takimit të Sekretarëve të Përgjithshëm të CCEE-së:
Në fillim të takimit, në ndërhyrjen tij Imzot Gjergj Meta duke ju uruar mirëseardhjen në vendin tonë, theksoi kënaqesinë e tij dhe të mbarë konferencës Ipeshkvore për mbajtjen e këtij eventi në vendin tonë. Në fillim të fjalës së tij të përshëndetjes ai shprehu afërsinë me kishën ukrainase për vetë situatën në të cilën ndodhën. Referuar temës së sinodalitetit Imzot Meta vlerësoi rëndësinë e domosdoshme që secila Kishë të përfshihet në këtë ecje. Ecje e cila u desh aq shumë nga Papa Pali VI dhe që po nxitet fuqishëm nga Papa Françesku. Aktualizimi i Koncilit të II nëpërmjet praktikimit të sinodalitetit dhe kolegjialitetit është rruga që kisha duhet të ecë për të mbajtur gjallë ato vlera të cilat qëndrojnë në themel të kulturës evropiane. Vlera të cilat burojnë nga krishtërimi dhe në të cilat kisha katolike ka dhënë një kontribut të madhë për ti bërë pjesë të përditshmërisë.
Në fjalën përshëndetëse Sh. T. Imzot Grušas, presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Evropiane shprehu falenderimin dhe gezimin që ky takim jubilar i 50-të, zhvillohet në Shqipëri, në tokën e martirëve. Duke kujtuar vizitën e Papa Françeskut në Tiranë dhe pamjet epike të 38 martirëve të varur në bulevard, Shqipëria të bën të kuptosh , më shumë se askush tjetër, se Krishti është shpresa e vetme për Evropën.
Përfaqsuesit e Kishës Ukrainase rrëfyen dëshmi të rralla me të cilat përballen çdo ditë. Skena gjenocidiale, krime të tmerrshme ndaj civilëve dhe viktima të vazhdueshme përbëjnë tablonë e asaj çfarë ndodh në Ukrainë. Në këtë situatë Kisha Katolike përpiqet që të qëndrojë afër, të ngushëllojë dhe të mbjellë shpresë.
Në përshëndetjen e tij Imzot Luigi Bonazzi pohoi se si në rastin e evropës ashtu edhe në atë të Shqipërisë: harresa e të shkuares, moskuptimi mes brezave i hap dyert ideologjive të ndryshme. Vetëm pastrimi i ndërgjegjes, pajtimi me të kaluaren, bën që vuajtja e kaluar të shëndërrohet në hirë dhe shpëtim. Kjo është detyra e Kishës në Shqipëri dhe e Kishës në mbarë botën.
Duke folur për të ardhmen e Kishës në Evropë Imzot Charles Scicluna, Arqipeshkëv i Maltës rimori gjerësisht magjisterin e Gjon Palit të II. Ai paraqiti si dy angazhimet kryesore në të cilat duhet të orientohet kisha, ungjillzimin e kulturës dhe inkulturimin e ungjillit brenda shoqërisë. Këto dy angazhime duhet të bazohen fuqishem në shpalljen e Krishtit si impenjimin primar në Evropë, dialogun ndërfetar dhe familjaritetin me ungillin që secili person duhet të kete brenda shoqërisë evropiane. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet ruajtja e thesarit dhe trashigimisë së pasur të kulturës evropiane. Thesar i cili përbën bazen dhe themelin për të ndërtuar një kishë që është shpresë dhe dritë për kontinentin e vjetër. Dita e parë u mbyll në Katedralen e Shën Palit ku përfaqsuesit e kishave evropiane u takuan me Sh.T. Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv i Tiranës. Mes një klime vëllazërore mikpritjeje u kremtua mesha e shenjtë ku Arqipeshkvi i njohu të pranishmit me shumë elementë nga historia dhe aktualiteti i kishës tonë.
Dita e dytë e punimeve ju dedikua plotësisht zhvillimeve dhe punimeve sinodale. Kryesisht vëmendja u përqendrua tek dokumenti përfundimtar i Pragës. Në lidhje me këtë i pranishëm për të referuar para sekretarëve të kishave evropiane ishte ,Atë Giacomo Costa, këshilltarë i sekretarisë së përgjithshme të sinodit.
Atë Costa nënvizoi faktin se një prej qëllimeve kryesore të këtij sinodi konsiston në një ekzaminim të hollësishem të problematikave të shoqërisë dhe kulturës në të cilen jetojmë . Refuzimi dhe braktisja e këtij realiteti, duke u mbyllur vetem në sjellje moralizuese apo akuzuese nuk shtë zgjidhja e duhur. Në fakt pikërisht brenda kësaj kulture dhe kësaj shoqërie, në dialog me të, kisha duhet të ofroje modelin e saj dhe zgjidhjen që bazohet në fjalën e Ungjillit dhe personin e Krishtit. Kjo arrihet duke zhvilluar një ecje që arrin të bazohet dhe të mbajë sëbashku dashurinë dhe të vërteten. Vetëm në këtë mënyrë dhe në këtë dritë mund të kuptohet gjithçka në atë që kisha është dhe çka kisha predikon.
Pjesmarrësve në këto punime iu ofrua edhe nje pasqyrë e kishës lokale shqiptare. Njohja me historinë, vlerat themelore te popullit shqiptarë, aktualitetin dhe prospektivat e ardhshme ishte një moment që karakterizoi këtë takim. Në këtë mënyrë në ditën e fundit ato patën mundësi të vizitonin konkatedralen e Shën Luçisë, vendi ku ndodhën eshtrat e të lumit Imzot Vinçenc Prennushi e Imzot Jul Bonati. Po ashtu vizituan dhe takuan përfaqsues të tjerë të besimeve fetare, siç ishin ato të komunitetit ortodoks dhe atij musliman.
Dom Mark Pashja
Zëdhënës i Kish