Kërko

Shkalla Shenjte Romë Shkalla Shenjte Romë

Çelësi i fjalëve të Kishës: lutja është shkallë për t’u ngjitur në udhët e botës

Vijojmë ciklin me mendimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, fjalët e Joseph Ratzinger në “Lectio Divina”, më 12 shkurt 2010, në Seminarin Papnor Romak, si edhe ato në Takimin me të rinjtë në Sulmona të Italisë, më 4 korrik 2010

R.SH. – Vatikan

Zotit nuk i kërkojmë gjëra të vogla apo të mëdha, Zotit i kërkojmë dhuratën hyjnore, atë vetë. Kjo është dhurata që Ai na jep, vetveten. Kështu u thoshte Papa Benedikti XVI seminaristëve të Romës, në vitin 2010, me rastin e festës së Zojës së Besimit. Duhet të mësojmë si të lutemi për këtë – vijonte Jospeh Ratzinger – të lutemi për realitetin e madh, për realitetin hyjnor, që Hyji të na dhurojë vetveten, të na japë Shpirtin e tij të Shenjtë, në mënyrë që t’u përgjigjemi kërkesave të jetës dhe t’i ndihmojmë të tjerët në vuajtjet e tyre.

Natyrisht, Ati ynë Qiellor na e mëson këtë. Mund të lutemi për shumë gjëra e, për të gjitha nevojat tona, mund t’i lutemi: “Na ndihmo!” Kjo është shumë njerëzore e Zoti është njerëzor, siç e kemi parë edhe vetë; prandaj, është e drejtë ta lusim Hyjin edhe për gjërat e vogla të jetës së përditshme.

 Njëkohësisht, lutja është edhe udhë për t’u përshkuar, madje, shkallë – nënvizon Papa Benedikti. Duhet ta kuptojmë gjithnjë e më mirë për çfarë duhet të lutemi e për çfarë jo, sepse shpesh lutja është shprehje e egoizmit personal. Nuk mund të lutemi për gjëra, që dëmtojnë të tjerët; nuk mund të lutemi për gjëra, që i shërbejnë egoizmit, krenarisë sonë të kotë. Kështu, lutja, në sytë e Zotit, bëhet proces purifikimi për mendimet e për dëshirat tona. Siç thotë Hyji në shëmbëlltyrën e vreshtës: duhet të krasitemi, të pastrohemi, çdo ditë; të jetojmë me Krishtin, në Krishtin, të rrimë me Krishtin. Ky është proces purifikimi e, vetëm në këtë proces purifikimi të ngadalshëm, të çlirimit nga vetvetja e nga dëshira për të menduar vetëm për vetveten, qëndron udha e vërtetë në jetë, hapet shtegu i gëzimit.

Lutja e vërtetë nuk është aspak jashtë realitetit – vijon Papa Benedikti XVI për të rinjtë, në Sulmona, më 4 korrik 2010. – Nëse lutja do t’ju nxirrte jashtë realitetit, do t’ju shkëpuste nga jeta e vërtetë, kini kujdes: nuk është lutje e vërtetë! Përkundrazi, dialogu me Zotin është garanci e së vërtetës, së vërtetës me vetveten e me të tjerët e, për rrjedhojë, garanci e lirisë. Kur rrimë me Zotin, kur e dëgjojmë Fjalën e Tij, në Ungjill, në liturgjinë e Kishës, mbrohemi nga verbimi prej krenarisë dhe mendjemadhësisë, prej modave dhe konformizmit dhe marrim forcën për të qenë vërtet të lirë, edhe nga disa tundime, që maskohen si gjëra të mira. Por, si mund të jemi në botë e të mos jemi të botës?

Pikërisht falë lutjes, falë kontaktit personal me Zotin. Nuk është puna të themi fjalë shumë – e nënvizonte edhe Jezu Krishti – por të rrimë në praninë e Zotit, duke i bërë tonat, me mendje e me zemër, frazat e Atynës, që përfshin të gjitha problemet e jetës, ose duke adhuruar Eukaristinë, duke medituar Ungjillin në dhomë, ose duke marrë pjesë në liturgji. E gjithë kjo nuk na shkëput nga jeta, por na ndihmon të jemi vërtet vetvetja në çdo ambient, besnikë ndaj zërit të Hyjit, që flet për ndërgjegje e liri nga kushtëzimet e çastit!

08 qershor 2023, 11:04