Blaise Pascal ndërmjet filozofisë dhe teologjisë, konferencë në Gregoriana
R.SH. - Vatikan
Më 19 qershor, ditën kur Papa Françesku bëri të njohur Letrën e tij apostolike “Sublimitas et miseria hominis”, kushtuar shkencëtarit dhe filozofit francez Blaise Pascal (1623-1662), kremtohej 400-vjetori i lindjes së tij. Fakultetet e Filozofisë dhe të Teologjisë në Universitetin Papnor Gregorian, në Romë, vendosën të ringjallin vëmendjen dhe interesin për këtë mendimtar të jashtëzakonshëm katolik, me një konferencë ndërkombëtare, që do të mbahet më 23 nëntor, datë me rëndësi vendimtare për biografinë e filozofit. Është fjala për të ashtuquajturën “Nata e Përkujtimit”, gjatë së cilës Pascal përjetoi në mënyrë të veçantë praninë e Zotit.
Dialogu intim ndërmjet filozofisë dhe teologjisë
"Gjithçka që po përpiqemi të arrijmë sot me mundim në emrin e ndërdisiplinaritetit e të transdisiplinaritetit, u jetua nga mendimtarët e ndryshëm deri në epokën moderne, në kuadrin e një këndvështrimi unitar për dijen", shpjegon Át Gaetano Piccolo S.I., dekan i Fakultetit Filozofik. “Për shembull, Pascal, ashtu si mendimtarët e mëdhenj të mesjetës, dëshmon, përmes veprës të tij, dialogun intim ndërmjet filozofisë dhe teologjisë. Për këtë arsye, deshëm të reflektojmë mbi mënyrën e të menduarit të kësaj figure madhështore të epokës moderne, duke shpresuar se do të na ndihmojë të kuptojmë e t’i bëjmë ballë kompleksitetit të kohës sonë”.
Programi i konferencës
Konferenca do të ndahet në gjashtë takime, secili me nga dy relatorë – njëri filozof e tjetri, teolog – duke u përqendruar në debatet rreth lirisë e hirit hyjnor, arsyes e fesë, në diskutimet mbi filozofinë që mediton të mbinatyrshmen, mbi pyetjet që filozofia i bën teologjisë dhe anasjelltas.
Pasditen e 23 nëntorit, do të mbahet një Lectio magistralis nga Vincent Carraud, profesor i Historisë së Filozofisë Moderne në Universitetin e Sorbonës dhe Drejtor i Centre d'études cartésiennes. Ngjarja, e promovuar nga ambasada franceze në Selinë e Shenjtë e nga Instituti francez “Centre Saint-Louis”, do të jetë rast për të reflektuar mbi historinë e trazuar të vetë filozofit Pascal, i cili u vendos në barrikadën e kundërt me Shoqërinë e Jezusit, por natyrisht, do të nxjerrë në pah sidomos çështjet filozofike dhe teologjike, që e nxitën ta bëjë këtë.
Kush ishte Pascal
Kujtojmë se shekulli në të cilin lindi e jetoi Blaise Pascal ishte vërtet “le Grand Siècle”, periudha që përjetoi Franca nga viti 1598 (paqja me hugonotët) deri në vitin 1715 (vdekja e Luigjit XIV pas gjysmë shekulli mbretërimi). Qe vërtet shekull i madh: në pushtetin politik të Francës, në autoritetin e Mbretit Diell, në stilin klasik mbizotërues, në arte, në letërsi (Corneille, Racine, Molière, La Fontaine) e në filozofi (Descartes, Pascal). Blaise Pascal ishte pa dyshim personaliteti më i shquar i kësaj periudhe, shkrimtar i paimitueshëm, me ndjeshmëri tejet të veçantë, me thellësi të paarritshme e të pabarazueshme. Dy janë veprat, që dalin në pah më shumë se të tjerat: Letrat e tij të ashpra e të guximshme Provinciale (siç quhen, pasi i dërgohen një miku të provincës), me të cilat mbronte fenë e vërtetë, atë që di të vërë në lojë arsyen e zemrën njëkohësisht, kundër banalizimit të atëhershëm të jezuitëve francezë; si edhe vepra “Mendime”, kryevepër unike e letërsisë botërore, meqë nuk u shkrua si tekst unitar, por si shumë aforizma të veçanta (më parë e shumë ndryshe nga Nietzsche), si fraza shigjetore e fragmente nga njeriu, i cili, siç thoshte Charles Baudelaire, “kishte në shpirt një humnerë, që e shoqëronte kudo”, pasi ishte pesimist.
E Blaise Pascal-it është fraza e njohur “zemra ka arsyet e saj, që arsyeja nuk i njeh”. Arsyet e zemrës janë një nga argumentet më të famshme të filozofisë. Pascal mbronte tezën se e Vërteta nuk njihet vetëm përmes arsyes, por edhe përmes zemrës. Prandaj, e konsideronte besimin në Zotin në vendin e parë të jetës së njeriut, të cilin feja e ndihmon të dalë nga mjerimi i tij. “Njeriu – shkruante – është i mjerë, por ka diçka që e larton”.
Por Blaise Pascal nuk ishte vetëm filozof e mendimtar katolik. Shumë prej veprave të tij, kur ishte shkencëtar i ri, kanë të bëjnë me matematikën e fizikën. Flasin mbi zbulimet e shpikjet e tij në fizikën e vakuumit, të ajrit dhe të ekuilibrit të lëngjeve, në matematikën e linjave konike dhe të kurbave, në rendin e numrave, në llogaritjet infinitezimale, në gjeometri dhe në artin e bindjes. Në Francë ruhet ende një nga makinat llogaritëse të tij (një nga të parat), quajtur edhe “paskaline”. Për të mos folur për teoremën, që mban emrin e tij.
Zoti i të krishterëve
Tani, me të drejtë, bota i kremton përvjetorin e lindjes atij, që shkruante: “Zoti i të krishterëve nuk është thjesht Zot-autor i të vërtetave gjeometrike dhe i rendit të elementeve, siç mendonin paganët dhe epikurenjtë… Zoti i të krishterëve është Hyj i dashurisë dhe i ngushëllimit; është Zot, që e mbush shpirtin e zemrën e njeriut, të cilin e ka pushtuar me praninë e tij; ky Zot e bën secilin ta ndiejë shpirtërisht mjerimin e vet, por edhe mëshirën e pafundme hyjnore, që bashkohet me intimitetin e shpirtit, të cilin e përmbyt me përvujtëri, gëzim, besim, dashuri, gjë që e bën njeriun të mos ketë qëllim tjetër, veçse vetë Hyjin”.