Kërko

Zoja e Këshillit të Mirë në Gjenacan Zoja e Këshillit të Mirë në Gjenacan

Zoja e Këshillit të Mirë: binjakëzim ndërmjet Gjenacanit dhe Shkodrës

Më 22 prill, para altarit të Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenacan, shenjtërorja italiane dhe ajo e Shkodrës u lidhën me një binjakëzim zyrtar, duke vulosur kështu miqësinë shekullore ndërmjet dy vendeve. Pikërisht në javën, në të cilën Gjenacani kremtoi ardhjen e fugures së Zojës nga Shkodra në kishën e augustinianëve, pranë Romës, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra dhe famullitari i shenjtërores në Gjenacan, Át Ludovico Cetra, nënshkruan aktin

R.SH. - Vatikan

Më 22 prill, para altarit të Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenacan, shenjtërorja italiane dhe ajo e Shkodrës u lidhën me një binjakëzim zyrtar, duke vulosur kështu miqësinë shekullore ndërmjet dy vendeve.

         Pikërisht në javën, në të cilën Gjenacani kremtoi ardhjen e fugures së Zojës nga Shkodra në kishën e augustinianëve, pranë Romës, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra dhe famullitari i shenjtërores në Gjenacan, Át Ludovico Cetra, nënshkruan aktin e binjakëzimit, në një atmosferë gëzimi vëllazëror.

         Át Ludovico tregoi për të pranishmit shumë episode prekëse, që përshkruanin qëndrimin e shqiptarëve, ardhur për shtegtim para fugures së Zojës së përbashkët. Ai përsëriti disa herë: “kudo që të jeni, konsiderojeni këtë shenjtërore si shtëpinë tuaj”. Vërtet, atë javë ndodhej në Gjenacan një delegacion meshtarësh nga Shqipëria, ndër të cilët edhe rektori i shenjtërores së Shkodrës, don Kledjan Vukaj. Át Ludovico shkoi më pas për t’ua kthyer vizitën shqiptarëve, më 26 prill, ditën kur Shqipëria kremtoi festën e Pajtores së saj.

         Po të shtunën, më 22 prill, gjatë nëntëditëshit tradicional për festën e “Së Ardhurës”, siç e quajnë Zojën banorët e Gjenacanit, meshën e kremtoi imzot Massafra, duke kujtuar traditën e nisjes nga Shkodra të fugures së Zojës, më 25 prill 1467, bartur nga engjëjt e shoqëruar nga dy shqiptarë. Ngjarje, që vikari i përgjithshëm i dioqezës së Shkodrës, imzot Engjëll Radoja, në një letër për priorin e augustinianëve të Gjenacanit, në vitin 1878, e kujtonte kështu: “Paraardhësit tanë thoshin gjithmonë se në kishën, që ndodhet në rrëzë të kështjellës së Shkodrës, ekzistonte një fugure e Zojës së Shkodrës, e cila u nis për në tokë të huaj, saktësisht, në Gjenacan, para se turqit të merrnin në dorë Shkodrën”.

         Para bashkëkremtimit me meshtarët e pranishëm, u projektua një video prej pesë minutash, me titull “Udhëtimi i Zojës së Këshillit të Mirë”, realizuar me ndihmën e miqve të kishës, ndër të cilët, edhe shqiptarë. Pamjet treguan qartë dashurinë e shqiptarëve për Nënën e Këshillit të Mirë – Zojën e Shkodrës – gjithnjë urë ndërmjet Lindjes e Perëndimit. U kujtua edhe vizita e shën Gjon Palit II në Gjenacan për bekimin e kopjes së fugures shenjte, të cilën, në ditët e mëpasme, Papa polak e çoi në Shkodër, gjatë vizitës së tij historike në vitin 1993, së cilës sivjet iu kremtuar 30-vjetori.

02 maj 2023, 17:20