Kërko

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës V pas Pashkëve 'A'

A do të vijë vallë bota e re, që na pate premtuar o Jezus? / Apo do të radhitemi gjithmonë / në anën e dështakëve dhe të humbësve, / të të mashtruarve dhe të ëndërrimtarëve, / të destinuar të zgjohen nga një gjumë i tmerrshëm? / Për këtë arsye, Ty të drejtohemi, / prandaj, Ty të lutemi: / mos na lër në trishtim, na liro nga frika, / shndërroje zhgënjimin tonë në shpresë të qëndrueshme

R.SH. - Vatikan

“Unë jam udha, e vërteta dhe jeta”: këto fjalë të Jezu Krishtit, i cili është më se i vetëdijshëm se po i vjen ora e fundit, vë në dukje Ungjilli i së Dielës V pas Pashkëve, marrë nga kreu 14 sipas Gjonit (1-12). Për dishepujt e çdo kohe, nuk është e lehtë t’i kuptojnë ato. Më se 2000 vjet më parë, nxënësit e Tij e ndërprenë shpesh Jezusin, duke i bërë pyetje, që shprehnin qartë shqetësimin e tyre. E Mësuesi u tha fjalë ngushëllimi, shprese, sigurie e, edhe fjalë kërkuese, të cilat përvijonin horizontet që do të hapeshin për ata, që do të besonin në Të. Gjithsesi, dishepujt ende nuk e kuptonin, megjithëse tashmë, kishte ardhur çasti i lamtumirës e Jezusi u fliste prej kohësh. A do të dimë ne sot ta kuptojmë më mirë? Të ndjekim pjesën ungjillore…

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Mos t’ju shqetësohet zemra! Besoni në Hyjin edhe në mua besoni! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. Po të mos kishte, a do t’jua thosha: ‘Po shkoj t’ju bëj gati vendin’? Kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të vij prapë e do t’ju marr tek unë, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju. Ku shkoj unë, ju e dini rrugën.” “Zotëri – i tha Toma – ne  s’dimë ku po shkon. Si, pra, mund ta dimë udhën?” Jezusi u përgjigji: “Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta. Askush nuk shkon tek Ati pos nëpër mua. Nëse më njohët mua, do ta njihni edhe Atin tim. Qysh tash e njihni dhe e keni parë.”  Filipi i tha: “Zotëri, na e dëfto Atin e na mjafton!” “O Filip – i tha Jezusi – kaq shumë kohë jam me ju e nuk më njohe ende? Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin. Si thua, pra: ‘Na e dëfto Atin!’ Po a nuk beson se unë jam në Atin e Ati është në mua? Fjalët që jua them, nuk jua them prej vetvetes: Ati që banon në mua i kryen veprat e veta. Më besoni mua: Unë jam në Atin dhe Ati është në mua. Përndryshe, besoni për shkak të vet veprave!  Përnjë-mend, përnjëmend po ju them: kush beson në mua, veprat që i bëj unë edhe ai do t’i bëjë. Madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati”.

Të lutemi së bashku

Është e vërtetë o Jezus: ka çaste, në të cilat

tundohemi të lëmë gjithçka, të dorëzohemi,

sepse na duket sikur luftojmë

me mullinjtë me erë, të humbur që në fillim të betejës.

 

Kur shohim se tinëzarët

arrijnë t’ia dalin mbanësh gjithmonë…

Kur shohim, të pafuqishëm,

shtypje, abuzime e padrejtësi,

pa arritur t’i mbrojmë sadopak

të varfërit, të paditurit, të ligështit e të pafajshmit…

Atëherë, pyesim: a do të realizohet ndonjëherë

plani Yt i shëlbimit?

A do të vijë vallë bota e re, që na pate premtuar?

 

Apo do të radhitemi gjithmonë

në anën e dështakëve dhe të humbësve,

të të mashtruarve dhe të ëndërrimtarëve,

të destinuar të zgjohen nga një gjumë i tmerrshëm?

Për këtë arsye, Ty të drejtohemi,

prandaj, Ty të lutemi:

mos na lër në trishtim, na liro nga frika,

shndërroje zhgënjimin tonë në shpresë të qëndrueshme.

 

Na e shto fenë

që të mos përkulemi

në kohë sprovash

e na dhuro urtinë e guximin

e atyre, që rifillojnë nga e para, çdo ditë,

shtegtimin drejt amshimit

06 maj 2023, 10:08