Të meditojmë me Ungjillin e festës së të Shëlbuemit
R.SH. - Vatikan
Në Ungjillin e kësaj së diele, kur Kisha Katolike kremton festën e të Shëlbuemit, Ngjitjen e Jezu Krishtit në qiell, Biri i Zotit, i Ringjalluri, u flet dishepujve të mbledhur në malin e Galilesë, që simbolizon takimin ndërmjet qiellit e tokës, duke deklaruar solemnisht se ai ka autoritet në qiell e në tokë. Prej andej, i nis ata dhe ne – dishepujt e Tij të sotëm – për t’i pagëzuar gjithë popujt në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt. Na premton se do ta kemi gjithnjë pranë, prandaj, asgjë nuk duhet të na frikësojë. Të ndjekim pjesën ungjillore, marrë nga kreu 28 i shën Mateut (16-20)…
Në atë kohë të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në atë mal, ku u kishte urdhëruar Jezusi. Kur e panë, e adhuruan, por disa dyshuan. Jezusi u afrua e u tha: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj, shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësojini të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë ‑ deri në të sosur të botës!”.
Të lutemi së bashku
Shkoni, na thua Ti, o Zot Jezus
shkoni në gjithë botën,
mos e mbani për vete
këtë kumt gëzimi,
këtë mesazh shprese,
që ua ndryshon jetën njerëzve.
Çka dëgjuat,
çka patë,
transmetojuani gjithë popujve.
Të gjithë duhet ta njohin
fytyrën e vërtetë të Zotit,
të gjithë duhet t’i përgjigjen
dashurisë së Tij pa fund,
të gjithë duhet të kenë mundësi
të arrijnë lumturinë, që Ai ua përgatit.
Shkoni, na thua Ti, o Zot Jezus,
fjalët e shëlbimit
që ju kam besuar
të bëhen dritë, që shndrit
çdo plagë të jetës,
të bëhen burim urtie
për çastet e errta e plot dyshime,
të bëhen busull në mes të stuhive dhe uraganeve.
Shkoni, na thua Ti, o Zot Jezus,
e pagëzoni në emër të Hyjit,
i cili është Atë e Bir e Shpirt i Shenjtë:
që çdo njeri të shndërrohet në birin e Zotit,
përtërirë nga vdekja e ringjallja e Tij,
shtyrë me dashuri drejt një jete të re.
Shkoni, na thua Ti, o Zot Jezus,
e mos kini frikë se Unë jam me ju e ju shoqëroj,
ndoshta, pa u vënë re,
por besnikërisht,
nëpër udhët e historisë.