Shenjtorët e javës 7 - 14 maj
R.SH. / Vatikan
E diel më 7 maj, Kisha katolike kremton të dielën e 5-të e Pashkëve. Gjithnjë më 7 maj, kalendari përkujton Shën Florianin, Shën Flavia Domitilen, martire romake; Shën Flavianin e Augustinin dhe të Lumën Roza Venerini, virgjër e themeluese të Motrave ‘Mësuese të Përshpirtshme Venerini’. Ungjilli i kësaj së Diele sipas Gjonit na paraqet fjalën prekëse të lamtumirës së Jezusit, kur Ai u thotë dishepujve se po shkon t’u përgatisë vendin në shtëpinë e Atit Qiellor. E u tregon edhe rrugën e mbërritjes: “Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta”. Askush pra, nuk do të hyjë në atë shtëpi, veçse përmes Krishtit.
Të hënën më 8 maj, Kisha katolike kremton festën e Zojës së Bekuar të Pompejit; po më 8 maj kalendari liturgjik përkujton Shën Viktorin, martir të Milanos, Shën Benediktin e II, papë, dhe Shën Magdalenën e Kanosës. Kujtojmë se këtë festë, në mes ditë, besimtarët i drejtojnë lutjen Zojës së Bekuar Rruzare të Pompejit. Liturgjia e ditës na kujton se feja e besimtarëve rritet në bashkim të ngushtë me transmetimin e pandërprerë të Fjalës së Krishtit të ngjallur nga ana e Kishës, e cila këtë ditë ia kushton nderimit të Zojës së Bekuar.
Të martën më 9 maj, kalendari përkujton Shën Pakomin, abat dhe Shën Izainë, profet. Liturgjia e ditës pohon se ndjekur Zotin, dishepulli i vërtetë e dëshmon Krishtin e Kryqëzuar e të Ngjallur duke i lidhur ngushtë fjalët me vepra. Meriton kështu epitetin ‘njeri i drejtë’ dhe premtimin për të kundruar fytyrën e Zotit në amshim.
Të mërkurën 10 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Jordanin, martir; Shën Jobin, Shën Kataldi dhe të Lumin Nikola Albergatin. Liturgjia e ditës na kujton se dashuria ndaj Hyjit e ndaj të afërmit është lajtmotivi i liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele të kohës së pashkëve. Në Ungjill, Gjoni apostull kumton se të pagëzuarit në Krishtin nuk janë më shërbëtorë, por miq të Hyjit.
Të enjten më më 11 maj, kalendari përkujton Shën Injacin e Lìkonit, Shën Gualtierin apo Walterin. Liturgjia e ditës pohon se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim.
Të premten më 12 maj, kalendari kishtar përkujton Shenjtorët Nereu, Akileu e Pankraci, martirë, Shën Pankracin, martir e Shën Leopoldin Mandiç. Liturgjia e ditës na nxit të meditojmë mbi jetën e njeriut, që kalon shumë çaste të gëzuara, por jo më pak edhe të trishtuara e na fton që, të sigurt në premtimin e të Ngjallurit, t’i shikojmë vuajtjet tokësore si prelud i galdimit të ringjalljes. Jezusi i ngjallur kthehet tek Ati, pasi na ka hapur edhe ne portën për të hyrë te Hyji.
Të shtunën më 13 maj, Kisha katolike kremton festën e Zojës së Bekuar të Fatimes së Portugalisë, e kalendari përkujton edhe përkushtimin e Kishës së Marisë “tek Martirët” në Patheon të Romës.
Të dielën e ardhshme Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e VI të Pashkëve.