Kërko

Roli i grave në luftën kundër urisë dhe varfërisë

Edhe sot, universi femëror has vështirësi në botën e punës, veçanërisht në bujqësi, por kontributi i grave është i rëndësishëm për zhvillimin shoqëror. Në Universitetin katolik Gregorian të Romës u diskutua pikërisht për këtë, gjatë një seminari kushtuar kontributit të grave në sigurimin e ushqimit për të gjithë

R.SH. – Vatikan

Gratë mund të japin një kontribut të madh në luftën kundër urisë në botë, nëse u jepet më shumë hapësirë ​​në sektorin e bujqësisë dhe mbrohen vendet e tyre të punës. Ato, që merren me bujqësi, përfaqësojnë një të katërtën e popullsisë së botës, por kanë vështirësi për qeranë e tokës, kreditë, pak mundësi për të hyrë në treg dhe shpesh, puna nuk u njihet e as nuk u paguhet. Mbi këto tema u diskutua në Romë, në Universitetin Papnor Gregorian, ku u mbajt seminari studimor "Gratë dhe siguria ushqimore: lidhje që duhet forcuar", organizuar nga Fakulteti i Shkencave Shoqërore të universitetit të jezuitëve, në bashkëpunim me një sërë organizatash botërore e joqeveritare.

Pabarazitë ndërmjet grave dhe burrave

Vitet e fundit uria në botë është rritur me shpejtësi për shkak të faktorëve ekonomikë, ndryshimeve klimatike dhe konflikteve të ndryshme. Pabarazitë ndërmjet grave dhe burrave, veçanërisht në sektorin e bujqësisë, ndikojnë në keqësimin e mëtejshëm të situatës. Studiuesit mendojnë se nëse arrihet barazia gjinore, numri i të uriturve në botë mund të ulet edhe me njëqind milionë. Në të gjitha zonat rurale të botës, puna në bujqësi angazhon burra dhe gra, megjithëse shpesh puna e grave injorohet dhe bëhet e padukshme për statistikat dhe politikat. Prandaj, për ta zhdukur vërtet urinë nga planeti, është e nvojshme që burrat dhe gratë të kenë të njëjtat mundësi për punë e zhvillim në zonat rurale e, sidomos, të njëjtat mundësi për përdorimin e të gjitha mjeteve të prodhimit, sidomos të tokës.

Politika të menduara enkas për gratë

Nëse gratë kanë punë e të ardhura, nënvizuan studiuesit, mirëqënia e familjes përmirësohet menjëherë, fëmijët ushqehen më mirë, duke kontribuar kështu, në zgjidhjen e njërit nga problemet më të mëdha të kohës së sotme. Nëse fëmijët ushqehen keq, rendimenti i tyre në shkollë është i ulët, duke ua kompromentuar kështu të ardhmen. Gratë, u vu në dukje gjatë seminarit në Gregoriana, kanë nevojë për politika të menduara për to, pasi shpesh, pozita e tyre shoqërore, në shumë vende, nuk është e njëjtë me atë të burrave. Gjithashtu, kanë nevojë për asistencë teknike, veçanërisht në fshatra.

Në të gjitha vendet ka pengesa dhe vështirësi

Në vende si Afganistani, për shembull, u denoncua në seminar, talebanët ua kanë ndaluar punën grave, edhe atyre që punojnë për organizatat joqeveritare kombëtare e ndërkombëtare, të cilat sjellin ndihma për popullsinë. Në vende të tjera, ligji e kushtetuta u siguron grave të gjitha të drejtat, por shpesh, ato mbeten në letër. Pra, ka vende me pengesa të dukshme, ku rëndësia e rolit të gruas nuk njihet dhe të tjera ku thjesht ato nuk ndihmohen. Në të gjitha kombet ka vështirësi, por më shumë në kontinente si Afrika dhe Azia, prandaj seminari bën thirrje që të merren masa kundër pabarazive, të cilat duhen korrigjuar me politika të përshtatshme, nëse duam vërtet të kontibuojmë për zhdukjen e urisë në gjithë globin.

23 maj 2023, 13:28