Kërko

Shenjtërorja e Sheshanit Shenjtërorja e Sheshanit

Nga Shangai për botën mbarë: Dita Botërore e Lutjes për Kishën në Kinë

Sot, e gjithë Kisha Katolike kremton Ditën Botërore të Lutjes për Kishën në Kinë. Mijëra katolikë të Shangait, duke i paraprirë kësaj dite, u mblodhën në shenjtëroren e Sheshanit me 17 maj për të thënë së bashku lutjen e Benediktit XVI, në përfundim të shtegtimit dioqezan. Në tetor 1993, këtu pati shkuar edhe shenjtorja shqiptare, Nënë Tereza

R.SH. – Vatikan

“Përkrahe impenjimin e të gjithë njerëzve në Kinë, të cilët, pavarësisht nga problemet e përditshme, vazhdojnë të besojnë, të shpresojnë, të duan, në mënyrë që kurrë të mos kenë frikë t'i flasin botës për Jezusin dhe Jezusit për botën”. Edhe këtë i kërkon shën Marisë, "Ndihma e të krishterëve", lutja e 24 majit 2008, me të cilën Papa Benedikti XVI kremtoi Ditën e parë Botërore të Lutjes për Kishën në Kinë.

Një vit më parë, ishte vetë Benedikti XVI, në letrën e tij drejtuar katolikëve kinezë të vitit 2007 (akt profetik i magjisterit të tij papnor), i cili propozoi 24 majin - ditën "kushtuar kujtimit liturgjik të Virgjërës së Bekuar, Ndihmë e të krishterëve, e cila nderohet me përkushtim të thellë në shenjtëroren mariane të Sheshanit në Shangai" – si datë që “katolikët e gjithë botës të bashkohen në lutje me Kishën në Kinë".

Katolikë kinezë në lutje
Katolikë kinezë në lutje

Edhe këtë vit, siç ndodh që prej 2008-ës, sot, 24 maj, në mbarë botën kremtohet Dita e Lutjes për Kishën në Kinë, në shenjë bashkimi dhe shqetësimi të Kishës universale për katolikët kinezë. Ndërkohë, mijëra katolikë të Shangait, duke i paraprirë kësaj dite, u mblodhën në shenjtëroren e Sheshanit me 17 maj për të thënë së bashku lutjen e Benediktit XVI, në përfundim të shtegtimit dioqezan të udhëhequr nga ipeshkvi Giuseppe Shen Bin.

 Shenjtërorja e Sheshanit është vend i dashur dhe i njohur për shumë katolikë kinezë. Vend, që i ka shoqëruar kinezët në historinë e tyre, në sprovat që kanë kaluar, duke i ngushëlluar me praninë e Zojës së Bekuar. Bazilika aktuale, e vetmja me këtë titull në gjithë Kinën, u ndërtua ndërmjet viteve 1924 dhe 1935, në një kodër 35 kilometra larg Shangait. Para vitit 1870, në atë kodër ndodheshin vetëm një shtëpi për të moshuar dhe një kishë e vogël për jezuitët e Shangait, ndërtuar mbi rrënojat e një tempulli budist. Pasi Shangai u shpëtoi bastisjeve të ushtrisë rebele të Taipingëve – të ashtuquajturit "Adhurues të Zotit", ndjekës të një doktrine fetare, që ndërthurte elemente të moralit të krishterë me besimet kineze para-konfuciane – falë ofertave të katolikëve të Shangait, u ndërtua në kodrën e Sheshanit, shenjtërorja e parë mariane, si falënderim për kapërcimin e atij rreziku.

Zoja e Sheshanit
Zoja e Sheshanit

Në qershor, u ngjitën në kodër edhe 25 ipeshkvijtë e të ashtuquajturit "Këshilli i Shangait", thirrur nga Legati apostolik Celso Costantini, për të shënuar fillimin e jetës së një Kishe kineze, jo më plotësisht të varur nga misionarët e huaj. Po në Sheshan, në vitin 1954, ipeshkvi i Shangait Ignatius Gong Pigmei dhe gjithë meshtarët e dioqezës shkuan në majë të kodrës për t'u betuar së bashku se, me ndihmën e Marisë, nuk do ta tradhtonin kurrë fenë dhe Kishën.

Tani, pas periudhës së vështirë të komunizmit më të ashpër, lutjet dhe shtegtarët kthehen në shenjtërore. Në tetor 1993, në Sheshan shkoi edhe shenjtorja shqiptare, Nënë Tereza. Vitet e fundit, Zoja e Sheshanit ka ndjekur vuajtjet, aspiratat e katolikëve kinezë dhe rifillimin e jetës së Kishës Katolike në Kinë. Në shtatoren prej bronzi mbi kambanore, Shën Maria paraqitet në një qëndrim të veçantë, teksa ngre mbi krye Jezusin Fëmijë, duke ua treguar të gjithëve në shenjë fitoreje.

24 maj 2023, 10:17