Kërko

Manastir në Erbil Manastir në Erbil

Kryeipeshkvi i Erbilit: pas Isis-it dhe eksodit të madh, shtohet popullsia e krishterë

Prelati foli për situatën në Irak gjatë udhëtimit të fundit në SHBA. Një pjesë e atyre që shkuan në vendet perëndimore “po kthehen”, veçanërisht në Kurdistan. Dëshirojnë të rriten në një mjedis "vërtet katolik". Që nga disfata e Shtetit Islamik, numri i familjeve kaldease është dyfishuar (sot 4000), mbi 8000 gjithsej ndërmjet besimeve të ndryshme

R.SH. - Vatikan

Shenja të vogla shprese dhe rimëkëmbjeje vijnë nga popullsia e krishterë irakiane, e cila, pas dekadash mërgimi dhe pakësimi demografik, duket se po rimëkëmbet paksa, megjithëse shifrat janë ende të ulëta në krahasim me fazën e mëparshme të pushtimit amerikan. Të paktën në Erbil, kryeqyteti i Kurdistanit irakian, siç pohoi kryeipeshkvi vendas, imzot Bashar Matti Warda i cili flet plot optimizëm për rritjen e bashkësisë; rritje e favorizuar jo vetëm nga lëvizjet e brendshme por, mbi të gjitha, nga kthimi i njerëzve që në të kaluarën ikën nga varfëria, dhuna ekstremiste ose shpallja e Shtetit Islamik (IS, ish ISIS) në verën e vitit 2014.

Në një vizitë të fundit në Shtetet e Bashkuara, prelati kujtoi betejat dhe vështirësitë e shumta që jetuan të krishterët dhe irakianët në përgjithësi, sidomos gjatë sundimit të terrorit të Kalifatit Islamik. Sfida dhe vështirësi të cilat, ndonëse në një masë më të vogël, vazhdojnë edhe sot, kur sfida kryesore për një rilindje të vërtetë të vendit përfaqësohet nga korrupsioni i përhapur në qeverisje. Në SHBA Imzot Warda u takua me personalitete institucionale, mori një doktoraturë nga Universiteti Walsh në Ohajo dhe filloi bashkëpunimin ndërmjet universitetit katolik të Erbilit - të cilin e themeloi menjëherë pas ngritjes së Shtetit Islamik - dhe universiteteve të ndryshme amerikane.

Dëshira për t'i rritur fëmijët në një ambient vërtet katolik

Popullsia e krishterë e Irakut - pohoi në një intervistë me faqen katolike të informacionit Aleteia, e cila dikur "tejkalonte një milion, tani ka vetëm rreth 200 mijë vetë". Megjithatë, disa nga ata që ikën në vendet e diasporës, veçanërisht në Perëndim, po kthehen. Shumë prej tyre janë ndalur në Erbil, në veri, ku situata është relativisht më e qetë.

Të pyetur për arsyen e kthimit, vijoi kryeipeshkvi 53-vjeçar Warda, "shumë prej tyre përgjigjen se donin t'i rrisnin fëmijët e tyre në një mjedis vërtet katolik".

"Ne jetojmë në një zonë mjaft të sigurt", pohoi kryeipeshkvi kaldeas, bashkësia e të cilit është dyfishuar që nga disfata e ISIS.  Nga dy mijë familje që ishin, sot janë katër mijë. “Për më tepër, mirëpritëm në zonë – vijon – kisha që nuk ishin të pranishme më parë, aq sa sot lagjja e krishterë e Ankawa-s mirëpret Kishën Asiriane, Eparkinë Katolike Siriane, Eparkinë Ortodokse Siriane, Kishën Armene dhe Kishën latine”. Kështu - shtoi prelati – popullsia e krishterë e Erbilit sot ka më shumë se 8 mijë familje”.

Vizita e Papës Françesku, në mars 2021

Vizita e Papës Françesku, në mars 2021 ishte ndihmesë e çmuar në forcimin e pranisë së krishterë. I dha shtytje të mëtejshme projekteve në kantier, duke vlerësuar edhe punimet ekzistuese. Dioqeza tani ka një spital, katër shkolla të reja, të cilave u shtohet një e pesta e shkollave të Kishës Ortodokse Siriane: 18 institute gjithsej. Një realitet i vlerësuar edhe nga myslimanët, të cilët nuk ngurrojnë t'i dërgojnë fëmijët në shkollat ​​katolike, sepse besojnë në nivelin e tyre të  mësimdhënies.

“Të gjithë e kuptuan se ta përdorësh fenë a dhunën në emër të Zotit dhe të fesë - thotë Imzot Warda - është fakt shkatërrues, që ndikon mbi të gjithë. Për shembull, 125,000 të krishterëve të shpërngulur nga ISIS, u shtohen tre milionë sunitë, për të mos përmendur shiitët e vrarë. Pra, ekziston vetëdija e përdorimit të emrit të Zotit për të përhapur dhunën”.

Vizita e Papës, më në fund, bëri të mundur të flitej për Irakun: jo për sulmet apo dhunën, por për shtegtimin e takimin e bazuar në dialog dhe vëllazërim.

“Falënderojmë Zotin - përfundon imzot Warda - që kohët e vështira kaluan, ndonëse sfidat vijojnë. Kërkojmë nga vëllezërit dhe motrat tona të krishtera [në Perëndim] që të na ndihmojnë, ta kemi përsëri këtë lloj ndihme, këtë mbështetje, këtë solidaritet, që të mund të vazhdojmë rrugën e nisur”.

22 maj 2023, 15:16