Kardinali Erdő: Hungarezët e duan Papën, jemi përgjegjës përpara Zotit për paqen
R. SH. - Vatikan
Ditët e fundit populli hungarez brohoriti shpesh: “Papa Françesku, të duam!". Brohoriti kështu, sepse "Papa, këtu në Hungari, përfaqësoi Krishtin, për ne të gjithë". Me këto fjalë Kardinali Péter Erdő, kryeipeshkëv metropolit i Esztergom-Budapestit dhe primat i Hungarisë, përshkruan shtegtimin apostolik të Papës, që përfundoi dje, e diel, 30 prill. Tri ditë plot ngjarje, çaste prekëse, duke përfshirë lutjen e Françeskut “përpara figures së Zojës, në Bazilikën e Esztergom”. Më pas, prelati reflekton mbi mesazhin e paqes të sjellë nga ipeshkvi i Romës, detyrë për të cilën "të gjithë janë përgjegjës përpara Zotit".
Ta ndjekim intervistën me kardinalin Péter Erdő
Ky shtegtim apostolik ishte një hov hiri. Ne hungarezët e prisnim, sepse Papa pati bërë një vizitë rrufe në Budapest, dy vjet më parë, për të marrë pjesë në Meshën e Shenjtë në përfundim të Kongresit Ndërkombëtar Eukaristik. Por menjëherë, duke u kthyer nga Sllovakia në Romë, shprehu dëshirën për t'u rikthyer në Hungari. Sot mendojmë se kjo ishte një vizitë vërtet baritore: ai erdhi tek ne, na takoi dhe solli fjalën e Krishtit. Kishim dy muaj për t'u përgatitur, një kohë e shkurtër që përkoi edhe me Pashkët. U përpoqëm ta organizonim gjithçka sa më mirë dhe njerëzit iu përgjigjën dashurisë baritore të Papës, i cili u prit me shumë dashuri. Me dashuri e me brohoritje: “Papa Françesku, të duam”. Kjo atmosferë na kujtoi edhe një herë se ai përfaqëson Krishtin mes nesh.
Ndonjë çast i veçantë, që do të mbetet në zemrën tuaj?
Papa donte të lutej përballë figures së Zojës, figure e mrekullueshme, e cila ruhet në bazilikën e Esztergom. Historia e saj na kujton çastin e çlirimit të qytetit, sepse u gjet në rrënojat e katedrales. Nisi menjëherë të nderohej e të bënte shumë mrekulli, që ndodhën para asaj ikone. Ati i Shenjtë i kërkoi edhe një herë t’i sjellë sytë nga populli rus dhe ukrainas.
Papa erdhi këtu si shtegtar i paqes. Si mund të kontribuojë Kisha në mbrojtjen e paqes shumë të dëshiruar në Hungari dhe në çdo cep të botës?
Mbi të gjitha, të lutemi: për çdo të krishterë ndjenja e paqes është gjithmonë e gjallë. Ne jemi përgjegjës për këtë përpara Zotit, nuk mund të mendojmë vetëm për interesat tona. Nëse të gjithë jemi bij të Marisë, të gjithë jemi vëllezër dhe është themelore ta kujtojmë këtë. Kisha jonë është shumë aktive. Vitin e fundit në Hungari bëmë gjithçka për të mirëpritur një milion e gjysmë refugjatë. Siguruam ushqim dhe strehë, mundësi punësimi e mësime shkollore në gjuhë të ndryshme, pasi disa flisnin hungarisht, të tjerë ukrainisht, të tjerë rusisht. Në kishën e Shën Elisabetës Papa takoi disa nga këta refugjatë.