Kërko

Ascensione del Signore Ascensione del Signore

Fjala e Zotit e dielës të Të Ngjiturit të Krishtit në Qiell

Kisha kremton të Ngjiturit e Krishtit në Qiell. Të Shëlbuemit, shënon përmbushjen e shëlbimit, që nisi me Mishërimin e Hyjit: ashtu siç Jezusi zbriti për ne nga qielli, për ne vuajti e vdiq në kryq, kështu për ne u Ngjall e u ringjit në qiell, pranë Hyjit Atë, i cili nuk është më larg nesh, por është Hyji ynë, Ati ynë. Prej këndej, të Ngjiturit e Krishtit në Qiell është akti i fundit i çlirimit tonë nga zgjedha e mëkatit e vdekjes.

R. SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, kësaj radhe meditojmë leximet biblike të solemnitetit të Të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell, ciklit të parë sipas kalendari liturgjik.

Të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell

Solemniteti i të Shëlbuemit, na tregon episodin e ndarjes së Jezu Krishtit Zot nga dishepujt e vet që nuk është braktisje, sepse Jezusi mbetet gjithnjë me ta, në një formë të re. Festa e Ngjiturit e Jezu Krishtit në Qiell, që te shqiptarët quhet festa e të Shëlbuemit, të cilën Kisha katolike e kremtoi të enjten e kaluar, më 18 majin e kaluar, po për arsye baritore ua propozon besimtarëve këtë të diele. Hyji është përherë me ne. Është pranë nesh në çdo moment të jetës sonë personale e komunitare.

Kështu, këtë të Diele kremtojmë festën e Ngjitjes së Jezu Krishtit Zot në Qiell, një ngjarje e rrëfyer nga Veprat e Apostujve që na propozohet çdo vit si Leximi i Parë i kësaj të kremte: "Jezusi u ngjit në qiell para syve të apostujve dhe një re menjëherë ua zuri para syve (shikimit ) të tyre” (Veprat 1,9).

Ngjitja e Jezusit në Qiell, "shkëputja e tij nga dishepujt për t'u çuar drejt qiellit" (krh. Lk 24,51), është një mënyrë tjetër për të shprehur ngjalljen e tij: fitorja e Jezusit mbi vdekjen në saje të dashurisë së tij të jetuar, lavdërimi i Zotit dhe Mësuesit tonë është hyrja e tij përgjithmonë, në saje fuqisë së Shpirtit Shenjt, në jetën hyjnore të Atit.

Në të njëjtën kohë Ngjitja e Jezusit në qiell, një ngjarje e patregueshme me fjalë njerëzore, ashtu siç shënon një "ndarje" të Jezusit nga të tijtë, u jep një formë të re marrëdhënieve ndërmjet të Ngjallurit dhe dishepujve; ndërmjet të Ngjallurit dhe ne, që duke kaluar përmes dëshmisë së apostujve, jemi dishepujt e tij dhe për këtë arsye dëshmitarët e tij në botë.

Kundrimin e këtij realiteti ka ofron liturgjia e Fjalës edhe në tekstin e solemnitetit të sotëm, faqja përmbyllëse e Ungjillit sipas Mateut. Para mundimit dhe vdekjes së tij mbi kryq, Jezusi i pati premtuar komunitetit të tij: "Pas ngjalljes sime do të shkoj para jush në Galile" (Mt 26,32); dhe në agimin e Pashkëve, para varrit të zbrazët, engjëlli ua pati konfirmuar këtë paranjoftim grave, duke i ftuar të bëheshin lajmëtaret e tij: «Shkoni dhe te tregoni nxënësve të tij: Ai u ngjall së vdekuri dhe, ja, tani po shkon para jush, pra, ju paraprin në Galile. Atje do ta shihni” (Mt 28,7).

Duke iu bindur dishepujve, të cilët mbetën njëmbëdhjetë për shkak të tradhtisë së Judës, ata shkojnë në Galile, vendi ku pati filluar shërbimi publik i Jezusit dhe jeta e tyre e përbashkët me të (krh. Mt 4,12-22): prandaj përgatiten të fillojnë përsëri, për t'u kthyer e ndjekur në një mënyrë tjetër Jezusin, i cili gjithmonë u paraprin.

Zoti e tërheq vështrimin e Apostujve drejt Qiellit, për t’u treguar si të ecin në rrugën e së mirës gjatë jetës së tyre tokësore. Po Ai, gjithsesi, mbetet në zemër të historisë njerëzore, është pranë secilit nga ne dhe na prin në udhën tonë të krishterë: është shok udhe i të persekutuarve për shkak të fesë, është në zemër të të shtypurve, i pranishëm në njerëzit, të cilëve u mohohet e drejta për të jetuar. Solemniteti i Shëlbuemit të Zotit, nënvizon se Jezusi është gjithnjë pranë secilit nga ne e na prin në rrugën tonë të fesë së krishterë.

Të Ngjiturit e Jezu Krishtit në qiell nuk do të thotë lamtumirën e Tij nga kjo botë, por është një mënyrë ndryshe e të qenurit të pranishëm (Ungjilli). Nuk është më i dukshëm për shqisat njerëzore, por për ato të fesë.

Solemniteti i të Shëlbuemit na kujton besimin dhe sigurinë e Jezusit në dëshminë tonë. Po të ndalemi tek kuptimi i solemnitetit të sotëm të Të Ngjiturit e Krishtit në Qiell, dyzet ditë pas Pashkëve, kujtojmë se  Ungjilli, që flet për ndarjen përfundimtare të Jezu Krishtit -  për ndarjen përfundimtare të Të  Ngjallurit nga dishepujt e vet. Atyre, akoma dyshimtarë, pasi kaluan përmes zjarrit të mundimeve e të ngjalljes, Jezusi u lë detyrën e pafundme të ungjillëzimit të njerëzimit, duke mësuar e duke pagëzuar.

E Kisha e vijon që këtu misionin e saj. Që nga ky çast, prania e Krishtit në botë ndërmjetësohet nga dishepujt, ata që besojnë në të dhe që e kumtojnë. Ky mision do të vijojë deri në mbarimin e historisë, në praninë e përditshme të vetë Zotit të ngjallur, i cili na siguron: ‘Unë jam me ju gjithmonë ‑ deri në të sosur të botës!’. E pikërisht prania e Krishtit jep forcë në persekutime, ngushëllim në mundime, mbështetje në vështirësitë e këtij misioni e është pikërisht Ngjitja e Krishtit në Qiell, që na e kujton këtë.

Sot grishemi ta kuptojmë sa më mirë se Zoti na dha dinjitet të madh dhe përgjegjësi të madhe për ta kumtuar praninë e Tij në botë, për ta bërë të kuptueshëm për njerëzimin. Ky është misioni ynë, ky, nderi më i madh, që na bëhet ne, të pagëzuarve. Me sytë drejtuar nga qielli, në këtë festë – na porosit Kisha - t’i forcojmë hapat tonë për vijimin e misionit, të vetëdijshëm se ai nuk varet prej nesh. Vetëm me dritën dhe me forcën e Shpirtit Shenjt Zot, ne mund ta kryejmë me fryt misionin tonë, për t’i bërë të tjerët ta njohin e ta provojnë gjithnjë më shumë dashurinë dhe dhembshurinë e Jezusit.

                                             Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi parë Vap 1, 1-11

Lexim prej Veprave të Apostujve
Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka Jezusi bëri dhe mësoi qysh prej fillimit deri në ditën kur u ngrit në qiell, pasi që u dha porositë apostujve, të cilët i pati zgjedhur nëpërmjet të Shpirtit Shenjt. Ai, pas mundimit të vet, me shumë prova ua vërtetoi apostujve se ishte i gjallë duke u shfaqur për dyzet ditë para tyre dhe duke u folur për Mbretërinë e Hyjit. Dhe, njëherë, ndërsa po hante bukë bashkë me ta, u urdhëroi të mos e lëshojnë Jerusalemin, por ta presin Premtimin e Atit: “Atë që dëgjuat prej meje: Gjoni ka pagëzuar me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni me Shpirtin Shenjt.” Tani ata që ndodhën bashkë me të e pyetën: “Zotëri, a thua do ta ripërtërish në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?” Ai u përgjigj: “Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet. Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari, madje dhe gjer në skajin e botës.” Dhe, kur i tha këto fjalë, ndër sy të tyre, u ngjit në qiell dhe një re menjëherë ua zuri para syve të tyre. Dhe, ndërsa ata me ngulm shikonin sesi ai ngjitej në qiell, ia behën dy njerëz të veshur me petka të bardha, zunë vend para tyre dhe u thanë: “O burra galileas, përse rrini kështu duke shikuar kah qielli? Ky Jezusi, që prej jush u ngjit në qiell, do të kthehet pikërisht kështu, si e patë se shkoi në qiell!”  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
 

Psalmi 47

Ngritët Zoti me këngë të hareshme

Duartrokitni, o popuj të gjithë,
brohoritni Hyjit me zë gëzimi!
Sepse Hyji është i tejetlartë, i tmerrshëm,
Mbreti i madh mbi tokën mbarë.

Ngritët Hyji me brohori,
Zoti me zë trumbete.
Këndoni Hyjit, këndoni,
këndoni mbretit tonë, këndoni!

Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës:
këndoni këngë me mjeshtëri!
Hyji mbretëron mbi mbarë popujt,
Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë

Leximi dytë Ef 4,1.13

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, ju përbej unë, i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: me plot përvujtëri, butësi e duresë; duroni njëri-tjetrin me dashuri! Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. S’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm – sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj. Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim; një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë. Edhe secilit prej nesh i qe dhënë hiri me atë masë me të cilën Krishti deshi të na e dhurojë. Këndej edhe thuhet: ‘Kur u ngrit në lartësi i mori dhe u dha dhurata njerëzve’. E ajo fjalë: ‘U ngrit’, çka do të thotë tjetër, por se më parë ‘zbriti’ këtu poshtë, përmbi tokë; Ai që ‘zbriti’, është po Ai që ‘u ngrit’ mbi të gjithë qiejt për ta mbushur gjithësinë. E Ai i ‘dha’ disa apostuj, disa tjerë profetë, disa prapë ungjilltarë, do të tjerë barinj dhe mësues, që shenjtërit t’i bëjë të aftë për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit Krishtit, deri që të gjithë t’ia arrijmë njësisë së fesë dhe njohjes së Birit të Hyjit deri në gjendjen e njeriut të përsosur, deri në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit.  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
 

Aleluja, Aleluja

Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt, thotë Zoti.
Dhe, ja unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës
Aleluja

Ungjilli Mt 28,16-20

Lexim i Ungjillit të shenjtë sipas Mateu

Në atë kohë të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në atë mal, ku u kishte urdhëruar Jezusi. Kur e panë, e adhuruan, por disa dyshuan. Jezusi u afrua e u tha: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj, shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësojini të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë ‑ deri në të sosur të botës!”. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

TË NGRITURIT E JEZUSIT NË QIELL - SHËLBUEMI: UNË JAM ME JU GJITHMONË, DERI NË TË SOSUR TË BOTËS!

(Vap 1, 1-11; Ps 47 (46); Ef 1, 17-23; Mt 28, 16-20)

Thuhet se një herë një meshtar vendosi të shkojë e të takojë disa minatorë, të cilët punonin në miniera të largëta, ku askush nuk shkonte të fliste për Krishtin. Kur arriti atje, thirri njërin prej punëtorëve dhe i tha: «A e njihni Jezu Krishtin?». E meshtari kuptoi shumë nga përgjigjja e patëkeq e punëtorit: «Jo, nuk e njoh! Ndoshta nuk punon këtu!»

Ka në botë njerëz që nuk dinë asgjë për Krishtin! Të mos shkojmë larg: edhe këtu, në Shqipërinë tonë, ku krishterimi është predikuar që prej dy mijë vjetësh nga vetë Shën Pali, ka shumë të tillë. Nuk po flas për rastet kur e mohojnë Krishtin apo e tallin Atë, por për rastet ku vërtet nuk dihet asgjë rreth Krishtit.

Jezusi në Ungjillin e sotëm u thotë apostujve të vet: «Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt.» Sot që kremtojmë Ngjitjen e Krishtit në Qiell, kjo ftesë na bën të mendojmë shumë. Është e vërtetë se kjo e kremte e sotme thekson në radhë të parë faktin se Jezusi na ka paraprirë në atë lavdi të cilën edhe ne shpresojmë se do ta shijojmë një ditë, por kjo e kremte thekson jo pak edhe një të vërtetë tjetër: këtu në këtë botë Jezusi ka lënë Kishën e vet që ta vazhdojë misionin e Tij. Edhe pse kurrë Ai nuk e lë atë të vet­me.

Sikur të mos e kuptonim këtë, nuk do të arrinim ta kuptonim as bisedën interesante që zhvillohet në mes Jezusit dhe apostujve ditën kur Ai do të ngjitej në Qiell. Ndërsa ishin duke ngrënë bukë (mister më vete: Jezusi i Ngjallur vazhdon të ushqehet me ushqimet e kësaj bote!), apostujt i bëjnë këtë pyetje: «Zotëri, a thua do ta ripërtërish në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?» Kjo pyetje tregon shpresën që kishin apostujt se, një ditë, Hyji do ta lironte Izraelin nga zgjedha e pushtuesve dhe do t’ia zbardhte atij faqen para të gjithë popujve të tjerë. Një shpresë pak si  tepër materialiste kjo e tyre, por jo edhe aq e shtrembër, siç përpiqet të theksojë dikush. Në fund të fundit kjo shpresë tregonte fenë e gjallë të Izraelit në Hyjin, bindjen se askush nuk është më i madh se Ai. Apostujt (e kjo është madhështore), duke ia drejtuar Jezusit këtë pyetje, tregojnë haptas bindjen e tyre se Jezusi është Hyj.

Megjithatë, në fakt, kjo lloj kërkese nuk ishte e plotë: apostujve do t’u duhet të shkojnë edhe më thellë në misterin e Krishtit. Prandaj Jezusi iu përgjigj i prerë: «Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet. Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju, dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, na Samari, madje dhe gjer në skajin e botës.»

«Nuk është puna juaj»: Jezusi dëshiron t’i largojë aspotujt nga kureshtja e tepërt. E, në fakt, i krishteri duhet të ruhet nga një kureshtje tepërt në lidhje me llojin e ndërhyrjes së Hyjit në jetën e tij e në jetën e botës. Apostujt, si edhe mbarë Izraeli – e thamë – prisnin çastin kur do t’i zbardhej fytyra këtij populli, pritje kjo shumë e drejtë, por, kur dhe si do të ndodhte kjo, i takonte vetëm Hyjit ta dinte në plotësi. Mbase natyra jonë njerëzore e ka të pamu­ndur ta kuptojë dhe mbase i sjell më shumë dëm se dobi nëse Hyji ia zbulon kohën dhe mënyrën e atij çasti, prandaj edhe Hyji, në dashurinë e në urtinë e Tij, nuk e sheh me vend të na e zbulojë. Besimtari, ndërkohë, është i thirrur të japë dëshmi e të shpallë Ungjillin: «Ju do të bëheni dëshmitarët e mi.»

Shumë prej nesh duam t’i japim mend Hyjit, dëshirojmë ta nxisim Atë që ta shohë gjendjen tonë. Dikush lutet për shëndetin e vet, dikush dëshiron t’i mësojë Hyjit se çfarë Ai duhet të çojë në jetën e fëmijëve të tyre, dikush i paraqet atij projekte e plane, në të cilat Hyji patjetër u dashka të hedhë firmën e Tij. E, kur këto nuk ndo­dhin, as që u shkon ndër mend se mbase Hyji po u pëshpërit në vesh diçka tjetër. Po u thotë se nuk është puna e tyre kjo. Po u thotë se, edhe pse kërkesa të tilla janë shprehje e besimit në gjithëpu­shtetësinë e Tij, prapëseprapë nuk mjaftojnë për të çuar kah shëlbi­mi: «Besojnë edhe djajtë dhe dridhen», thotë Shën Jakobi në letrën e tij (2, 19).

Ta kuptojmë drejtë: ne edhe të lutemi e të kërkojmë hire të ndry­shme jo vetëm mundemi, por edhe duhet. Vetë Jezusi thotë në Ungjill «Lypni, e do t’ju jepet.», por duhet të kemi kujdes të mos kaplohemi nga ajo fryma që na nxit të përpiqemi t’i japim mend Hyjit, apo të kërkojmë gjëra që janë thjesht kureshtje e tepruar. Këto nuk janë puna jonë. Puna jonë, kryesisht, qenka që të japim dëshmi të krishterë, t’i përngjajmë Krishtit dhe ta përhapim sa më shumë Fjalën e Tij.

Sa shumë janë të krishterët që e kanë ndonjë rast për dëshmuar Krishtin (e unë jam i bindur se “ndonjë rast” i fortë vjen për secilin), por i kthejnë shpinën kësaj mundësie! Sa shumë të rinj tërhiqen mbrapsht nga dëshmia e krishterë për shkak të frikës së përqeshjes nga bashkëmoshatarët e tyre! Sa shumë janë ata që, të marrë mendsh nga ajo që mund të mendojnë të tjerët, bëjnë mëkate të mëdha e deri edhe mizore! Sa shumë janë të krishterët që kanë rast të bëjnë mirë me pasuritë që Hyji u vë në duart e tyre, por lakmia e tepërt i çon ata që t’ia vënë tapën ndërgjegjes së tyre! Ta dimë mirë se, në ndihmë të përhapjes së Ungjillit, askush në botë nuk do të mund ta bëjë të mirën që ne mund ta kishim bërë me dëshminë tonë, por që e lamë pa bërë.

Jezusi i ngritur në qiell pret prej të krishterëve dëshminë, në mënyrë që bota ta njohë Jezusin, t’i besojë Atij dhe të shpëtojë nga egoizmi e nga mëkati: «Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar!». Këto janë porositë e fundit të Jezusit para se të shkëputet nga toka e të ngjitet në Qiell, para syve të mahnitur të nxënësve të vet.

Po në çfarë bazohet gjithë kjo urgjencë për të dhënë dëshmi? Në faktin se jemi Kishë, Trupi i Krishtit. Do të ishte në kundërshtim me identitetin tonë si Trup, sikur të mos vazhdonim misionin e Krishtit, Kreut të Kishës.

Pastaj, pikërisht se jemi Trupi i Krishtit, nuk duhet ta shohim jetën siç e shohin paganët. Nuk jemi gjymtyrë të një Trupi të mjerë, por të një Trupi të thirrur që të gëzojë lavdinë, po atë lavdi që gëzon edhe Koka. Për ta arritur një gjë të tillë na e mundëson Shpirti Shenjt. Në leximin e parë Jezusi u thoshte apostujve se, Ai që do t’i ndihmonte në dëshminë e tyre, do të ishte Shpirti Shenjt: «Ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju, dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi». Ndërsa në leximin e dytë Shën Pali uron që, Hyji Atë, Efesianëve, t’u dhurojë «Shpirtin e dijes e të zbulesës», pra Shpirtin Shenjt. Është interesant fakti që, rolin e Shpirtit Shenjt, Shën Pali nuk e lidh me ndihmën e nevojshme për të dhënë dëshmin, por me «njohjen e Hyjit dhe kuptimin e shpresës së madhe»: «Vëllezër, Hyji i Zotit tonë Jezu Krishti, Ati i Lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; t’ju japë syve të zemrës suaj dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër dhe madhërinë e pamasë të fuqisë së tij kundrejt nesh që besojmë... ».

Pra, Shpirt Shenjt na e mundëson në këtë jetë njohjen e Hyjit dhe dëshminë e krishterë, por edhe kuptimin e shpresës së madhe, e cila është shpresa e bashkimit të lumtur me Hyjin.

Prandaj, ajo që na mbetet të bëjmë është që ta lejojmë veten tonë të drejtohemi nga veprimi i Shpirtit Shenjt. Ai do të na japë forcën e nevojshme për të dhënë dëshmi dhe, njëkohësisht, do ta mbajë në ne të ndezur shpresën e madhe se, një ditë, edhe ne do të hyjmë në atë lavdi në të cilën na ka paraprirë Krishti i Ngjallur. Madje pikërisht Ngjitja e Krishtit në Qiell mundëson edhe zbritjen e Shpirtit Shenjt mbi Kishën e Tij. Për këtë Jezusi u thoshte apostujve një natë para se të pësonte: «Është më mirë për ju të shkoj, sepse, po s’shkova, Mbrojtësi nuk do të vijë te ju, kurse, po shkova, do ta dërgoj te ju.» (Gjn 16, 7). Bashkimin me Hyjin, të cilin Izraeli gjithnjë e kishte dëshiruar e synuar me zbatimin e Ligjit dhe me ritet e tjera të kultit, tani do ta realizonte Jezusi i vdekur e i ngjallur duke u ngjitur tek Ati i vet dhe, prej atje, nga gjiri i së Shenjtërueshmes Trini ku tani gjendet edhe me natyrën e Tij njerëzore, do të mund të ndërmjetësojë që Ati të dërgojë mbi Kishën e Tij Shpirtin Shenjt, për ta zhytur edhe atë në shentjërinë e lavdinë e dashurisë ndërtrinitare.

Në këtë kuptim, gjatë kësaj jete, kohë dëshmie dhe shprese të madhe, kemi sigurinë se Jezusi i Ngjallur na rri gjithnjë pranë, me forcën e Shpirtit Shenjt.

«Unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës!», thotë Jezusi për të krishterët e të gjitha breznive, për të cilët gjithnjë ndërmje­tëson për dërgimin e Shpirtit Shenjt, të domosdoshëm për shenj­tërimin tonë. Prandaj edhe ne të mos ngurojmë në dëshminë dhe në shpresën tonë, sepse bota pret edhe ajo të zhytet në përqafimin e dashurisë ndërtrinitare.

Dom Dritan Ndoci

20 maj 2023, 10:26