Kërko

Alfabetizimi i femrave në Pakistan Alfabetizimi i femrave në Pakistan

Faisalabad: në “fshatin e martirëve”, shkollë katolike për vajzat e varfra jetime

Instituti i Shën Domenikut në Khushpur, aktiv që nga viti 1975, mirëpret 170 nxënëse (nga klasa e parë deri në të dhjetën), nga të cilat 15 janë myslimane. Qendra ndodhet në fshatin ku është lindur Shahbaz Bhatti. Synimi i tij është të ofrojë arsim "cilësor" për t’i siguruar një të ardhme "më të mirë" gjithë shoqërisë

R.SH. – Vatikan

Edukim “cilësor” për vajzat e varfra dhe jetime, me synimin për të garantuar një të ardhme “më të mirë” për gjithë shoqërinë. Kjo është fryma e shkollës së mesme për vajza Shën Dominiku në Khushpur, pranë Faisalabadit (në Punxhab), aktive që nga viti 1975, pavarësisht nga vështirësitë ekonomike dhe sociale. Një qendër, që njihet edhe si "fshati i martirëve”, pasi aty janë lindur imzot John Joseph, i cili vrau veten në shenjë proteste kundër ligjeve të blasfemisë dhe ministri katolik Shahbaz Bhatti, vrarë nga fundamentalistët në vitin 2011.

Dy nxënëse u vranë në Swat Valley

 Struktura administrohet nga murgeshat domenikane, nën drejtimin e dioqezës lokale e, pavarësisht nga kuadri i krizës së thellë ekonomike dhe nga mungesa e fondeve, përpiqet të vijojë misionin e saj edukativ ndër katolikët, por edhe ndër myslimanët. Në Pakistan, arsimimi për femrat është veçanërisht i vështirë, pasi shkollat ​​janë në shënjestër të kriminelëve e të fundamentalistëve, siç dëshmohet nga lajmi i ditëve të fundit, i cili flet për dy nxënëse, njëra prej të cilave vetëm 8 vjeç, që u vranë në Swat Valley.

Numri i nxënëseve është rritur nga 130 në 170

Drejtoresha e këtij instituti, që prej gjashtë vitesh, është motër Esther Arseen, e cila flet për të në një intervistë me agjencinë katolike të lajmëve AsiaNews. Në këto vite, numri i nxënëseve është rritur nga 130 në 170, 15 prej të cilëve janë myslimane, ndërsa të tjerat u përkasin familjeve të varfra të krishtera të zonës e disa prej tyre janë jetime. Nga klasa e parë deri në të pestën, tarifa për çdo nxënëse është 500 rupi (1,6 euro) në muaj, ndërsa nga klasa e gjashtë deri në të dhjetën rritet maksimumi në 600/750 rupi (nga 2 në 2,4 euro). Për më të varfrat tarifa bie në 0,3 euro në muaj. Në të punojnë 20 mësues dhe punonjës administrativë.

Vështirësi për mungesë fondesh

Në një fazë vështirësish ekonomike në rritje, vazhdon motër Ester, shkolla "nuk mund të garantojë mobilje të reja për nxënëset dhe mësuesit" dhe "paga për mësuesit është vërtet e ulët". Dioqeza bën "çfarë mundet", por jo gjithmonë është e mundur të plotësohen të gjitha nevojat, për shkak të fondeve të pakta. Struktura përbëhet nga 12 klasa, tre dhoma të përdorura si zyra, një laborator dhe një ambient lojrash. Pa dyshim, duhen rregulluar tavanet dhe duhen ndërruar bangat e karriget në disa klasa, pasi janë të vjetra dhe të konsumuara.

“Ofrojmë arsim cilësor”

Pavarësisht nga pagesa e ulët (shumica fitojnë pak më shumë se 16 euro në muaj), personeli pedagogjik punon me entuziazëm, përkushtim dhe profesionalitet, pohon murgesha, për të “garantuar një të ardhme më të mirë për këto vajza të varfra”. “Ne ofrojmë arsim cilësor dhe një ambient të përshtatshëm për nxënëset – vazhdon motër Ester. – Ndjekim programin qeveritar e ambienti i shkollës është laik, siç vërtetohet nga fakti se ka edhe nxënëse myslimane. Kjo është edhe bukuria e shkollave misionare katolike, ku çdo nxënës trajtohet në mënyrë të barabartë pa asnjë diskriminim”.

Mbi 90% e vajzave e kalon provimin përfundimtar të shtetit

Puna e mirë konfirmohet nga shifrat: mbi 90% e nxënëseve e kalon provimin përfundimtar të shtetit, në fund të vitit të 10-të. Murgesha nënvizon se do të dëshironte edhe studente të tjera, veçanërisht të varfrat, që nuk kanë mundësi të paguajnë as tarifën minimale. Por, tani për tani, instituti nuk ka fonde të mjaftueshme, prandaj ajo bën thirrje të mbështetet shkolla, që ua hap vajzave rrugën për një të ardhme më të mirë.

22 maj 2023, 16:00