Kërko

Dekreti i Çështjeve të Shenjtorëve, Dekreti i Çështjeve të Shenjtorëve, 

Do të jetë i lum Giuseppe Beotti, vrarë nga nazistët më 1944

Do të jetë i Lum Don Giuseppe Beotti, vrarë nga nazistët në vitin 1944. Papa Françesku autorizoi Dikasterin për Çeshtjet e Shenjtorëve të shpallë Dekretin që njeh martirizimin e priftit italian gjatë pushtimit nazist. Njihen edhe virtytet heroike të 8 shërbëtorëve të Zotit, duke përfshirë 4 laikë, të cilët shpallen të Nderuar.

R. SH. - Vatikan

Kisha së shpejti do të ketë një të Lum të ri, priftin e Piaçenzës, Giuseppe Beotti, vrarë nga nazistët më 20 korrik 1944. Papa Françesku, gjatë audiencës së sotme me kardinalin Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, autorizoi shpalljen e Dekretit, që njeh martirizimin e tij. Njihen gjithashtu virtytet heroike të 8 shërbëtorëve të Zotit që bëhen kështu “Të nderuar”: janë dy priftërinj (kameruniani Simon Mpeke dhe spanjolli Pedro de la Virgen del Carmen), dy murgesha (brazilianja Tereza Margarida do Coração de Maria dhe italianja Edda Roda) dhe 4 laikë (seminaristi i ri brazilian Guido Vidal França Schäffer, katekisti italian Arnaldo Canepa dhe dy gra italiane, Maria Cristina Ogier dhe Lorena D'Alessandro, e cila vdiq në moshë të re nga kanceri.

Ndihmë për ata që ikën nga nazizmi

Giuseppe Beotti lindi në vitin 1912 në një familje fermerësh, u shugurua prift dioqezan më 2 prill 1938. U dallua menjëherë për punën e tij të palodhur bamirëse në favor të nevojtarëve dhe për angazhimin në formimin e të rinjve. Ndihmoi gjithkënd: partizanët, hebrenjtë, ushtarët, të plagosurit. Gjatë pushtimit gjerman mbrojti të drejtat e famullitarëve të tij dhe më pas iu nënshtrua gjyqit, i cili përfundoi pa mundur ta fajsojnë.

Vijoi të presë dhe të shpëtojë ushtarë të arratisur, të burgosur të ikur nga luftërat, të persekutuar, duke përfshirë njëqind hebrenj të fshehur në shtëpi fermash, falë ndihmës së famullitarëve. Nuk iku përballë rrezikut të arrestimeve dhe hakmarrjeve naziste, por mbeti  pikë referimi në kishën e tij në Sidolo, në provincën e Parmës, plot zell në lutje. U arrestua dhe u pushkatua më 20 korrik 1944 në Sidolo, së bashku me një prift dhe një seminarist strehuar në kishë me të. Vrasja e tij ishte pasojë e urrejtjes së nazistëve kundër shkelësve të ligjit të tyre kriminal antisemitik.

Ungjilli në malet e Kamerunit

Ndër themeluesit e Unionit Priftëror Jesus Caritas të Shën Charles de Foucauld në Kamerun, është edhe Shërbëtori i Zotit, Simon Mpeke, i lindur në fillim të shekullit të kaluar në një familje fermerësh paganë të grupit etnik Bakoko. I magjepsur nga krishterimi ende i ri, në vitin 1935 la të fejuarën dhe hyri në seminar për t'u bërë prift. U dallua për thellësinë e jetës së tij shpirtërore dhe përkushtimin baritor. Duke ditur disa gjuhë, ishte misionari i parë kamerunian fidei donum në veri të vendit, që banohej nga popullsi me origjinë sudaneze, nën ndikimin e myslimanëve dhe të popullsive malore, të lidhura me fetë tradicionale.

U quajt nga banorët vendas "Baba Simon": duke udhëtuar nëpër male i predikoi Ungjillin popullit indigjen Kirdi. I magjepsur nga shembulli i tij, e falë tij, lindi një bashkësi e zjarrtë e krishterë. Pranë të varfërve dhe të sëmurëve, ungjillëzoi përmes veprave të tilla si predikimi dhe ndërtimi i shkollave. Në Krishtin At Simon Mpeke pa përmbushjen e shpresave, të pranishme edhe në konfesionet e tjera fetare: me këtë bindje  favorizoi kalimin e ngadaltë “të tjerëve” në krishterim e u angazhua edhe për promovimin njerëzor, duke kapërcyer shumë paragjykime, si p.sh. atë që  e konsideronte sëmundjen një dënim hyjnor.

Ungjilli në shkollë dhe ndërmjet të sëmurëve

I formuar nga Skolopët, fillimisht në shkollën e të Lumit Manuel Segura, martir i persekutimit fetar në Spanjë dhe më pas në atë të të Lumit Faustino Oteiza, Pedro de la Virgen del Carmen, prift i Urdhrit të Klerikëve të Varfër Rregulltar të Nënës së Zotit të Shkollave të përshpirtshme, jetoi në vendin Iberik ndërmjet viteve 1913 dhe 1983. I dërguar në front si kapelan ushtarak, qëndroi atje deri në fund të luftës. Në Saragoza jetoi në bashkim të thellë me Zotin, duke kundruar Eukaristinë, duke zhvilluar një aktivitet intensiv në shkollë, në vizitat e të sëmurëve, në rrëfimet dhe në Konferencën e Shën Vincent de Paolit. Pikë referimi për studentët, i përkushtuar ndaj Virgjëreshës Mari, ishte dëshmitar i vërtetë i Ungjillit. Përkushtimi i tij në mësimdhënie u shpërblye me një nderim civil nga shteti. Vuajti qysh në moshë të re nga një ulçer stomaku që, në vitet tetëdhjetë, do t'i shkaktonte vdekjen.

Apostulle e Ngushëllimit

Dëshmi e lidhjes së ngushtë me fenë, pavarësisht nga vuajtjet, është ajo e Shërbëtores së Zotit Edda Roda, murgeshë e Institutit të Motrave Kapuçine të Nënës Rubatto, e cila jetoi në Bergamo, Itali, ndërmjet viteve 1940- 1996. Vuante nga sindroma asthenike, e cila i shkaktoi dëme fizike e rënie  humori. Ndonëse nuk mundi t’ia shuante buzëqeshjen kur vizitonte familjet, kur organizonte takime lutjeje apo kur shoqëronte me përkushtim njerëzit që kalonin situata të dhimbshme.

Gjatë një prej Misioneve Popullore ndërmjet viteve 1980 dhe 1995 në Itali, Motra Edda u rrah dhe u përdhunua nga tre burra. Edda e mbajti të fshehtë këtë fakt dramatik, gjë që nuk e pengoi në veprimtarinë e saj misionare. Në vitin e fundit të jetës u diagnostikua me kancer të mitrës, në fazë të avancuar. I duroi vuajtjet pa u ankuar kurrë, duke i shndërruar në një ofertë dashurie. Siç dëshmojnë ditarët e saj, sëmundja u bë rrugë pastrimi për të.

Një pikë referimi në fe

Dëshmia e Shërbëtores së Zotit Tereza Margarida do Coração de Maria, vjen nga Brazili. Së bashku me shtatë motrat, ajo hyri në një manastir në Três Pontas, ku u bë pikë referimi për murgeshat dhe besimtarët që i drejtoheshin për këshilla, drejtim shpirtëror dhe ndihmë, duke e quajtur Nossa Mãe. Mori përsipër t’i jetonte Dekretet e Koncilit II të Vatikanit me bashkësinë dhe u kujdes për formimin biblik, shpirtëror dhe liturgjik të murgeshave. Një sëmundje e mushkërive, e jetuar në lutje të palodhur i shkaktoi vdekjen.

Vijnë, së fundi, Guido Vidal França Schäffer, mjeku i ri i lindur më 1974, që tregoi kujdes të jashtëzakonshën për të sëmurët nga Sida, Shërbëtori i Zotit Arnaldo Canepa, që nën regjimin fashist vijoi të përhapte fenë  në rrethinat e Romës; Shërbëtorja e Zotit, Lorena D’Alessandro, që jetoi në Romë ndërmjet 1964 e 1981 dhe shërbëtorja italiane e Zotit, Maria Cruistina Ogier, që një vit para se të vdiste nisi fakultetin e mjekësisë dhe hyri në Urdhërin e Tretë Françeskan. 

20 maj 2023, 15:44