Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: udha e fesë është udhë e jetës

Vijojmë ciklin me mendimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, fjalët e Joseph Ratzinger në audiencën e përgjithshme të 23 janarit 2013, si edhe pjesë nga Engjëlli i Tënzot i 17 shkurtit 2013

R.SH. – Vatikan

         Të thuash “Unë besoj në Zot” do të thotë ta bazosh në Të jetën, ta lejosh Fjalën e Tij ta orientojë çdo ditë, në vendimet konkrete, pa frikën se mos humbasim diçka nga vetvetja. Kështu thoshte Papa Benedikti XVI, në audiencën e përgjithshme të 23 janarit 2013.

         Feja na bën shtegtar mbi tokë, pjesëmarrës në botë e në histori, por për udhë drejt atdheut qiellor. Besimi në Zotin, pra, na bën bartës vlerash, që shpesh nuk përkojnë me modën apo me opinionin e kohës, na kërkon të përdorim kritere dhe të mbajmë qëndrime, që nuk i përkasin mënyrës së zakonshme të të menduarit. Të krishterët nuk duhet të kenë frikë të shkojnë “kundër rrymës” për ta jetuar fenë e tyre, duke i rezistuar tundimit për t’u “uniformuar”, vijonte Papa Ratzinger. Në shumë shoqëri, Zoti është kthyer në “dikë të madh, por që mungon”, pra, nuk konsiderohet i pranishëm e, në vend të Tij, kemi shumë idhuj, të llojllojshëm, por sidomos kemi etjen për pasuri dhe “unin” autonom, pra, njeriun që mendon se i mjafton vetvetja. E, edhe përparimet e rëndësishme e pozitive të shkencës e të teknikës e kanë shtyrë njeriun drejt iluzionit të gjithëpushtetit e të vetëmjaftueshmërisë. Gjithashtu, egocentrizmi në rritje ka krijuar jo pak çekuilibrime në marrëdhëniet ndërpersonale dhe në qëndrimet shoqërore.

         E megjithatë, etja për Zotin (shih Ps 63,2) nuk është shuar dhe mesazhi ungjillor vazhdon të jehojë përmes fjalëve e veprave të shumë burrave dhe grave të fesë. Abrahami, ati i besimtarëve, vazhdon të jetë ati i shumë bijve, që pranojnë të ecin në gjurmët e tij dhe vihen për udhë, duke iu bindur thirrjes hyjnore, duke pasur besim në praninë mirëdashëse të Zotit e duke e pranuar bekimin e Tij që të bëhen pastaj, bekim për të gjithë. Është bota e fesë, në të cilën jemi të thirrur të gjithë që të ecim pa frikë, duke ndjekur Zotin tonë, Jezu Krisht. Nganjëherë, udha është e vështirë, vihemi në provë e njohim edhe vdekjen, por ajo është në gjendje të na e hapë horizontin e jetës, ta shndërrojë radikalisht realitetin, të cilin vetëm sytë e fesë janë në gjendje ta shohin e ta shijojnë plotësisht.

         Pohimi “Unë besoj në Zotin” na shtyn atëherë të nisemi, të dalim vazhdimisht nga vetvetja, pikërisht si Abrahami, për të sjellë në realitetin e përditshëm në të cilin jetojmë, sigurinë që na vjen nga feja: pra, sigurinë e pranisë së Hyjit në histori, edhe sot; prani, që sjell jetë e shpëtim e na hap horizontin e së ardhmes bashkë me Të, për begatinë e asaj jete, e cila nuk do të perëndojë kurrë.

         Në Engjëllin e Tënzot të 17 shkurtit 2013, Papa Benedikti XVI trajtonte temën e tundimeve në jetën e besimtarit, duke u nisur nga figura e tunduesit. Tunduesi, thoshte Ratzinger, është tinëzar: nuk na shtyn haptazi drejt së keqes, por drejt një lloj të mire të rreme, duke na bërë të besojmë se realitetet e vërteta janë pushteti dhe gjithçka kënaq nevojat themelore. Në këtë mënyrë, Zoti bëhet dytësor, reduktohet në mjet e, së fundi, bëhet jo real, nuk ka më rëndësi, zhduket. Në analizë të fundit, në tundime është në lojë feja, sepse është në lojë Zoti. Në çastet vendimtare të jetës, por, nëse vërejmë mirë, në çdo çast të saj, jemi para një udhëkryqi: a duam ta ndjekim Zotin apo jo? A duam të ndjekim interesin individual apo të Mirën e vërtetë, atë që është realisht e mirë?

         Siç na mësojnë Etërit e Kishës, tundimet bëjnë pjesë në “zbritjen” (pra, në mishërimin) e Jezu Krishtit në gjendjen tonë njerëzore, në humnerën e mëkatit e në pasojat e tij. “Zbritje”, që Jezusi e përshkoi nga fillimi deri në fund, deri në vdekjen në kryq e deri në ferrin e largimit të skajshëm nga Zoti. Në këtë mënyrë, Ai është dora, që Hyji i zgjati njeriut, deles së humbur, për ta shpëtuar. Siç na mëson Shën Augustini, Jezu Krishti mori prej nesh tundimet për të na dhuruar fitoren e tij (shih Enarr. in Psalmos, 60,3; PL 36,724). Atëherë, nuk duhet të kemi frikë t’i bëjmë ballë edhe ne betejës kundër shpirtit të së keqes: e rëndësishme është që këtë betejë ta bëjmë bashkë me Të, me Krishtin, me Fitimtarin.

04 maj 2023, 10:42