Kërko

Shën Rita e Kashias Shën Rita e Kashias 

Cascia feston Shën Ritën, murgeshat në lutje për Ukrainën dhe Emilia Romagna-n

Në qytetin e Umbrias, një program i ngarkuar me festime dhe ngjarje. Më 22 maj, ditën e kujtimit liturgjik të Shën Ritës, kardinali Semeraro do të kryesojë meshën solemne pontifikale: “Jemi përkrah Papës në përpjekjen për të ngjallur shpresat për paqen, në Ukrainë dhe në çdo vend të torturuar nga lufta” - pohon në një mesazh Abatesha e manastirit ku jetoi Shenjtorja e së pamundurës, duke siguruar gjithashtu afërsi dhe lutje për Emilianët e prekur nga përmbytjet

Kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, do të kryesojë më 22 maj, në orën 10.30, në Cascia, Meshën solemne pontifikale për kujtimin liturgjik të Shën Ritës. Festimi do të mbahet në Sallën e Paqes e, në fund, kremtuesit dhe besimtarët do të shkojnë me procesion në oborrin e bazilikës ku pushon në paqe trupi i mrekullibërëses Agostiniane e ku do të luten dhe do të marrin pjesë në bekimin tradicional të trëndafilave. Në festën e Shenjtores së rasteve të pamundura, në shenjë shprese, do të nisë zyrtarisht rindërtimi i spitalit të qytetit, i papërdorshëm që nga tërmeti i vitit 2016, ndërtuar në vitet 1960 nga Manastiri i Shën Ritës e dhuruar komunës.

Mesazhi i Abateshës së Manastirit të Shën Ritës

“Në prag të 22 majit, jemi përkrah Papës në përpjekjen për paqe, në Ukrainë dhe në çdo vend të torturuar nga lufta. Do të lutemi, duke kërkuar ndërmjetësimin e Shën Ritës - pohon Nëna Maria Rosa Bernardinis, abateshë e Manastirit të Kashias, në mesazhin me rastin e festës - që, sipas shembullit të saj, t’i shndërrojë zemrat e prijësve e t’i nxisë të kërkojnë dialogun, për të ecur në rrugën e paqes e të drejtësisë e jo në atë armëve, me pasojë, spiralen e urrejtjes". Shën Ritës do t'i drejtohen lutje për popullatat e përmbytura të Emilia Romagna-s - shton Nënë Maria Rosa, duke shprehur në emër të të gjitha murgeshave agostiniane afërsinë me tokat emiliane. "Të krijosh paqen e drejtë - vazhdon mesazhi i Abateshës - do të thotë t'ia hapësh dyert tjetrit; do të thotë të përpiqesh për të ndërmjetësuar në favor të dialogut, do të thotë të ecësh përkrah gjithë atyre, që punojnë për paqen! E sot kjo shikohet gati-gati si e pamundur! Po Shën Rita është pikërisht shenjtorja që e bën të mundur të pamundurën, falë dashurisë së papërshkrueshme që pati për Zotin, i cili i la një shenjë të pashlyeshme në ball. Shenjën e një gjembi, simbol i gjembave që e gjakosën gjatë gjithë jetës!

Çmimi Ndërkombëtar Santa Rita 2023

Si çdo vit, edhe sot, në orën 17. 30 do të dorëzohet “Çmimi Ndërkombëtar Shën Rita 2023, në Bazilikën e Cascias. Çmimi, i themeluar nga murgeshat agostiniane, etërit agostinianë dhe anëtarët e administratës komunale, u jepet grave të çdo vendi dhe feje që mishërojnë vlerat e mesazhit të Shenjtores së Kashias. Sivjet, Luciana Daqua-s, kalabreze, punonjëse shoqërore dhe pedagoge universiteti, për mbrotjen e  emigrantëve, prostitutave, grave të dhunuara, homoseksualëve të papranuar nga familja, njerëzve me sëmundje mendore, duke i shoqëruar drejt një ardhmërie më të mirë; Antonella Dirella, nga Molise, mësuese, e cila humbi të shoqin dhe hyri si laike në shoqatën e Shën Jozefit,  themeluar nga Don Giussani,  e shquar për besimin ndaj Zotit në provat e rënda të jetës, duke dhuruar veten, për të tjerët; Franca Pedrinit, veneciane, bashkëshorte, nënë dhe gjyshe, kryetare e kooperativës sociale "I Piosi", qendër ditore dhe shtëpi për personat me aftësi të kufizuara. Prej 40 vitesh, pas morteve të shumta në familje, e shndërroi pa rezerva zinë në shërbim të të afërmit.

Trëndafilat e Shën Ritës

E, në këtë atmosferë, u dukën edhe Trëndafilat e Shën Ritës, simbol i lules të Shenjtores së rasteve të pamundura, që lulëzoi në zemër të saj pavarësisht ferrave që pati jeta, e cila iu mbush plot me parfumin e Krishtit.

21 maj 2023, 15:16