Kërko

Patriarku Bartolomeu Patriarku Bartolomeu

Bartolomeo: njerëzit ta respektojnë planetin, dhuratë e Zotit, për të mirën e bijve

Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, në Firence për Titullin honoris causa të Fakultetit Teologjik të Italisë Qendrore, shpjegon se të shkatërrosh krijimin, do të thotë të fyesh Zotin: "E kjo nuk pajtohet me parimet themelore të teologjisë së krishterë"

R.SH. - Vatikan

Kriza që po jeton bota nuk është "kryesisht ekologjike": ka të bëjë me mënyrën se si njeriu "e percepton botën". Planeti trajtohet “në mënyrë të patenzonë”, sepse nuk shikohet si dhuratë nga lart, ndonëse për njerëzit mbetet detyrimi për ta respektuar dhuratën e Zotit, “për të mirën e breznive të ardhshme”. Bartolomeu I, Patrik Ekumenik i Kostandinopojës, duke folur në Firence me rastin e dorëzimit  të Titullit honoris causa nga ana e Fakultetit Teologjik të Italisë Qendrore, ritheksoi se Patriarkana Ekumenike, duke punuar me dekada për tërheqjen e  vëmendjes dhe për ndërgjegjësimin përballë krizës së ndryshimeve klimatike, ka qenë pioniere në fushën e ruajtjes së Planetit dhe burimeve të tij. Një aksion i çuar përpara edhe me nxitjen e mbrojtjes së mjedisit, shikuar si “temë kryesore dhe qendrore e dialogut ndërfetar”.

Lufta për mbrojtjen e ambientit

Patriku përmend shembullin e paraardhësit të tij, Demetrios, i cili, që nga viti 1989, e shpalli 1 shtatorin “Ditë e lutjes për krijimin e Zotit", i ndjekur nga organizata të ndryshme ekumenike dhe bashkësi të tjera kishtare, duke përfshirë edhe Kishën Katolike. Një angazhim, ky i Patriarkanës, që buron nga “vetëdija kishtare” dhe jo nga përgjigjja e modave të çastit. “Ne besojmë - pohoi Bartolomeu - se vetë jeta e Kishës është ekologji e aplikuar. Kisha në tërësi dhe jeta e besimtarëve të saj shprehin dhe  nxisin respektin më të thellë për Krijimin”. Prandaj Patriku e quajti “luftën për mbrojtjen e krijimit”, “përmasë jetike dhe themelore të fesë sonë”. Shkatërrimi i krijimit është fyerje për Zotin, ndaj edhe "i papajtueshëm me parimet themelore të teologjisë së krishterë". Këtë e theksoi Bartolomeu, që kujtoi në vijim, teologun e rëndësishëm Gjoni i Pergamit dhe dëshminë e tij themelore mbi marrëdhëniet ndërmjet ekologjisë dhe teologjisë, ku arsyeton për krizën ekologjike, parë si problem shpirtëror dhe mëkatin ekologjik, si "veprim të gabuar kundër qenieve të tjera njerëzore dhe breznive të ardhshme". Kriza ekologjike - shpjegoi akoma Bartolomeo, "shkon krah për krah me padrejtësitë shoqërore". Metropoliti Gjon zhvilloi, pra “përmasën eukaristike” të kujdesit për krijimin, ku njeriu thirret të shërbejë “si prift dhe ofrues, ashtu si meshtari i ofron Zotit botën, në një akt lavdërimi dhe falënderimi”.

Teologjia, për një botë të lirë nga zvetënimi

Prandaj, në përfundim, Bartolomeu përsëriti se “fëmijët kanë të drejtën për një botë më të mirë dhe më të ndritshme; botë pa zvetënim, pa dhunë, pa gjakderdhje; botë ku mbretërojnë bujaria dhe dashuria”. E teologjia është treguesi përfundimtar: "mund të ndihmojë dhe të hapë rrugën drejt së ardhmes".

04 maj 2023, 10:56