Kërko

Zoja e Këshillit të Mirë në 30 vjetorin e bekimit të gurit të Shenjtërores nga Gjon Pali II

Në 30 vjetorin e bekimit të gurit të parë (pas komunizmit) nga Shën Gjon Pali II, në atë Kishë simbol të fitores së jetës mbi vdekjen, dritës mbi errësirën, të dashurisë mbi urrejtje, sot më 26 prill, barinjtë e Kishës në Shqipëri ripërtërinë aktin e kushtimit ndaj Zojës Këshillit Mirë, të popullit shqiptarë dhe të mbarë Shqipërisë

R.SH. / Vatikan

Kisha katolike në Shqipëri kremtoi, sot 26 prill, solemnisht festën e Zojës së Këshillit Mirë, pranë Shenjtërores te Rozafa, në Shkodër. Sivjet festa e pajtore Qiellore e popullit shqiptar, përkon me 30 vjetorin e bekimit të gurit të parë (pas rënies së regjimit komunist) nga Papa Shën Gjon Pali II, me rastin e vizitës apostolike të 25 prillit 1993 në Shkodër e Tiranë.  Në praninë e një numri të jashtëzakonshëm besimtarësh të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, në Shenjtëroren e Zojës në Shkodër u kremtua Mesha solemne, kryesuar nga imzot Massafra, në bashkëkremtim me Episkopatin e Kishës katolike të Shqipërisë, Nuncin Apostolik në Tiranë, shumë meshtarë e rregulltarë. Një festë që është edhe një përkujtim historik domethënës për Kishën katolike në Shqipëri, po më hollësisht të ndjekim njoftimin e zëdhënësit të Konferencës Episkopale të Shqipërisë dom Mark Pashkja

dom Mark Pashkja

Zoja e Këshillit të Mirë

Buzë  kështjellës së Rozafës, në prehrin e Shenjtërores së Zojës së Këshillit të Mirë, siç e do tradita edhe këtë viti 26 prilli  e gjeti të bashkuar Kishën katolike në Shqipëri. Populli Zotit bashkë me meshtarët, rregulltarët dhe barinjtë e tij u mboldhën për të kremtuar festen e pajtores qiellore të Shqipërisë. Në 30 vjetorin e bekimit të gurit të parë (pas komunizmit) nga Shën Gjon Pali II, në atë Kishë simbol i fitores së jetës mbi vdekjen, dritës mbi errësiren, sot barinjtë e Kishës në Shqipëri ripërtërinë aktin e kushtimit ndaj Zojës, të popullit tonë dhe mbarë Shqipërisë. Në praninë e një numri të jashtëzakonshëm besimtarësh të ardhur nga të gjitha trevat u kremtua Mesha tradicionale që shënon edhe fillimin e pelegrinazhit në këtë Kishë. Meshen pontifikale me praninë e të gjithë ipeshkvijve të Shqipërisë e udhëhoqi Sh.T. Imzot Angelo Massafra Arqipeshkëv i Shkodrës dhe njëkohësisht President i KISH. Në homelinë e tij Imzot Massafra kujtoi pelegrinazhin e Atit të Shenjtë në këtë vend ku:

 “ Ai, në atë rrethanë, nuk mbajti fjalime, por u përqendrua në një lutje të heshtur, që vetëm zemra e Nënës së Qiellit e dëgjoi dhe me siguri ia drejtoi Zemrës së Birit të saj të dashur Jezus: lutje ndërmjetësimi për këtë Kishë në aktin e ringjalljes pas mundimeve të saj të dhimbshme.”

Imzot Angelo nënvizoi edhe rëndësinë e të ecurit me hapin e Kishës universale ku në raport me ecjen sinodale u shpreh se:

 “Nuk mund dhe nuk duhet ta lëmë këtë Sinod të bjerë në vesh të shurdhër: do të ishte sikur të linim të binte në vesh të shurdhër ftesa e Marisë për të bërë atë që Jezusi na thotë të bëjmë. Po, sepse Jezusi, sipas premtimit të tij, është aty ku është e pranishme Kisha: “Ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre” (Mt 18,20).”

Shoqërimi i Nënës së Jezusit në këtë proces është më i nevojshëm se kurrë, sepse ajo na kujton se sa shumë këmbëngulje nevojitet në jetë. Gjoni ungjilltar na e paraqet atë duke qëndruar drejt te këmbët e kryqit me një folje shumë të fortë latine “Stabat” (rrinte): është qëndrimi drejt dhe i patundur në fenë që kemi shpallur, në shpresën e atyre që dinë të presin, në dashurinë që nuk trembet përballë asgjëje.

Në fund të homelisë, Imzot Massafra ia besoj Zojës së Këshillit të Mirë edhe sfidat me të cilat përballet populli ynë në këto momente. Duke kërkuar kështu bashkëpunimin mes njëri-tjetrit. Duke mbyllur kështu predikimin me një thirrje drejtuar veçanërisht të rinjve ku pohoi se:

Gjendemi përballë situatave ekstreme siç është shpopullimi, që na privon nga burimet më të mira, nga shume familje,  duke ecur me shpejtësi drejt plakjes te Shqipërisë; siç janë fenomenet e degradimit, që nuk i prisnim t’i shihnim, siç është “shitja” me çmim të ulët e vlerave tona më të rëndësishme në këmbim të “tymit”.

Te dashur vellezer dhe Motra, por a duhet të presim gjithmonë që të tjerët të na i zgjidhin problemet tona? Rreziku është që t’ia delegojmë gjithmonë përgjegjësinë dikujt tjetër.”

Në përfundim të meshës u bë edhe bekimi i mozaikut të “Zojës së Këshillit të Mirë” i cili do të vendoset në Nazareth. Vepër e skulptorëve Edi & Albana Sinaj. Ofruar me aq dashuri dhe fe nga Mara Tinaj. Një grua që është mishërimi i Nanave Shqiptare, e cila kurr nuk e humbi besimin në Zojen tonë, edhe në atë kohë kur të besoje ishte krim.

Pas Meshës barinjtë e Kishës në  trevat Shqiptare u ndalën për të përshëndetur dhe shkëmbyer urime me meshtarët dhe besimtarët e pranishëm. Në Meshën e orës 18.00 u bë edhe binjakëzimi me Shenjtëroren e Zojës në Genazzano me praninë e të dy rektoreve Atë Lodovico dhe Don Kledjan Vukaj

26 prill 2023, 17:09