Kërko

Mons Ottavio Vitale, vescovo di Lezhë Albania Mons Ottavio Vitale, vescovo di Lezhë Albania

Imzot Vitale: Jezusi Ngjallur u shfaqet atyre që bëhen dëshmitarë të Tij

Në fenë e Kishës, të udhëhequr nga liturgjia në takimin e vërtetë me Jezusin e ngjallur, zemra jonë mbushet me gëzim, lind një këngë shprese, që e ndjejmë ta këndojmë me sa zë kemi nëpër rrugët e botës. Jezusi Ngjallur i ofrohet në besim njeriut që është i gatshëm ta pranojë, të besojë në të, të shpresojë dhe të dashurojë. Ai nuk e imponon ngjalljen e tij, gati fshihet, që t’i jepet hapësirë pranimit të një besimi të lirë dhe personal. Ai zgjedh t’iu shfaqet personave që bëhen dëshmitarë të Tij

R.SH. / Vatikan

"Në fenë e Kishës, të udhëhequr për dore nga liturgjia e shenjtë për takimin e vërtetë me Jezusin e ngjallur, zemra jonë mbushet me gëzim dhe lind një këngë shprese, që e ndjejmë ta këndojmë me sa zë kemi nëpër rrugët e botës. Jezusi Ngjallur i ofrohet në besim njeriut që është i gatshëm ta pranojë, të besojë në të, të shpresojë dhe të dashurojë. Ai nuk e imponon ngjalljen e tij, nuk e imponon lavdinë e tij, gati fshihet, që t’i jepet hapësirë pranimit të një besimi të lirë dhe personal. Ai zgjedh t’iu shfaqet personave që më pas do të bëhen dëshmitarë, i besohet dëshmisë së nxënësve të tij". Ky mesazhi i Pashkës 2023 nga ipeshkvi i Lezhës imzot Ottavio Vitale:

PASHKET 2023

Fort të dashur besimtarë,

Jezusi është ngjallur! Zotëria Jezus e la zbrazët varrin. Ky varr, që e kishte mbyllur brenda trupin e tij të pajetë, mbeti i zbrazët. Guri i rëndë, që e pengonte hyrjen në varr, ishte hequr tutje. Lidhur me këtë fakt, mund të bëhen interpretime të ndryshme. Dhe shumë shpejt, u kërkuan shpjegime të shumta.

Apostujt, dishepujt, të parat ka qenë disa gra, të cilat pohuan se e kishin parë të gjallë, se e kishin takuar, kishin folur me të, i ngjallur nga të vdekurit, siç edhe e kishte parakallëzuar. Mirëpo, vetëm këta janë dëshmitarët.

Fakti është se Jezusi nuk u ngjall botërisht, në mesin e turmave, në praninë e njerëzve. Përkundrazi, ai u ngjall natën, kur tashmë nata po mbaronte dhe po shfaqeshin vezullimet e para të dritës së agimit.

Nuk ishte askush aty që ta shihte tek u ngjall. Askush nuk e vuri re derisa grate shkuan aty për të kryer vajimin dhe e gjetën varrin e zbrazët.

Për më tepër, pastaj, Jezusi i ngjallur dhe i gjallë iu shfaq vetëm të vetëve. Si të thuash, ai nuk iu dëftua kryepriftërinjve apo Pilatit. Jo. Ai iu dëftua vetëm atyre që ishin të gatshëm të besojnë në të, vetëm nxënësve të tij, sidomos kur ishin të mbledhur së bashku.

Kjo është diçka që duhet të na bëjë të reflektojmë. Jezusi i ngjallur ofrohet në besim, pra, i ofrohet njeriut që është i gatshëm ta pranojë, të besojë në të, të shpresojë dhe të dashurojë. Ai nuk e imponon ngjalljen e tij, nuk e imponon lavdinë e tij, gati fshihet, që t’i jepet hapësirë pranimit të një besimi të lirë dhe personal. Ai zgjedh t’iu shfaqet personave që më pas do të bëhen dëshmitarë, i besohet dëshmisë së nxënësve të tij.

Me ngjalljen, nis koha e Kishës, bashkësia e dëshmitarëve të ngjalljes, bashkësia e atyre që janë të thirrur për t’ia lajmëruar botës lajmin e mirë të fitores së Krishtit mbi vdekjen.

Është koha e historisë sonë, koha që po e jetojmë ne. Koha në të cilën, duke iu bashkuar dëshmisë së apostujve, mund ta takojmë tashmë në besim Zotërinë e ngjallur, nën shenjat e dobësisë së varfërisë, në shenjat e varfra të sakramenteve dhe në shenjën e vëllezërve të varfër.

Pastaj, do të vijë çasti, në fundin e kohëve, kur Zotëria do të shfaqet fitimtar në krejt lavdinë e vet. Do ta shohin të gjithë. Do ta njohin të gjithë. Ai do të ulet në fron për t’i gjykuar të gjallët dhe të vdekurit. Në atë çast, historia do të mbyllet dhe do të përmbushet tërësisht dhe përfundimisht Mbretëria e Hyjit, ndërkohë që vdekja do të mundet përgjithmonë. Kjo do të ndodhë në fund të kohëve, kur Zotëria do të kthehet.

Megjithatë, sot, ngjallja dhe fitorja e Krishtit mbi të keqin dhe mbi vdekjen e pret besimin tonë, i besohet fesë sonë dhe dëshmisë sonë; ne mund të marrim pjesë në të vetëm përmes besimit.

Ja, pra, vëllezër e motra fort të dashur, në fenë e Kishës, të udhëhequr për dore nga liturgjia e shenjtë për takimin e vërtetë me Jezusin e ngjallur, zemra jonë mbushet me gëzim dhe lind një këngë shprese, që e ndjejmë ta këndojmë me sa zë kemi nëpër rrugët e botës.

Ju përshëndes përzemërsisht të gjithëve në Jezusin e Ngjallur dhe ju uroj të gjithëve një Pashkë të Shenjtë. Gëzuar Pashkën!

 At Ottavio Vitale, rcj

09 prill 2023, 09:46