Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës III pas Pashkëve
R.SH. – Vatikan
E Diela III pas Pashkëve (A), përmes kreut të 24-t të Ungjillit sipas Lukës (13-35), na paraqet një nga kryeveprat e katekezës liturgjike e misionare: skenën e Emausit. Përshkruhet udha e dy dishepujve, që lënë Jerusalemin të zhgënjyer, por kthehen për të dëshmuar Krishtin e gjallë, pasi e njohin në “bukën e thyer” e dëgjojnë shpjegimin e Tij. Pikërisht këtu gjen kuptim i gjithë Shkrimi Shenjt e sqarohet prania e përhershme e Krishtit ndër të vetët në sakramentin e asaj “buke të thyer”, që e përsërisim edhe sot e kësaj dite. Skena e Emausit është kryevepër dialogu ngushëllues. Emausi i siguron të gjithë se kur dëgjojnë Shkrimin Shenjt në liturgjinë e Fjalës dhe marrin pjesë në thyerjen e bukës në liturgjinë eukaristike, takojnë vërtet Krishtin dhe gjejnë fe e shpresë. Të ndjekim një pjesë nga Ungjilli i kësaj së diele nga Luka:
Ditën e Pashkëve dy prej nxënësve të Krishtit po shkonin në një fshat që quhet Emaus, që është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje. Ata bisedonin njëri me tjetrin për të gjitha këto ngjarje. Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin.
Ai i pyeti: “Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni ndër vete udhës?”
Ata u ndalën të trishtuar e njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, i përgjigji: “A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çka ndodhi në të po në këto ditë?” Ai i pyeti: “Po çka?”
Ata i përgjigjën: “Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, që ishte profet i madh me vepra e me fjalë në sy të Hyjit e të mbarë popullit; si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan. Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. E, përmbi të gjitha këto, sot është e treta ditë me që ndodhën këto ngjarje. Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato qenë në agim te varri e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë. Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën shi ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë.”
Ai u tha: “O të pamendë e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?”
E, që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin shenjt për të. Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri kinse po vazhdonte udhën.
Por ata iu vunë: “Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!” Dhe hyri që të rrijë me ta.
Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falenderua, e theu dhe ua dha. Atyre u hapën sytë dhe e njohën. Por ai u zhduk para syve të tyre. Atëherë i thanë njëritjetrit: “Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin shenjt?” U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta. Të njëmbëdhjetët u thanë: “Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!”
Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur e ndau bukën.
Të lutemi së bashku
Edhe në jetën time, o Zot,
ka një rrugë, që e përshkoj me zemrën e shqetë,
kur shpresa duket vetëm iluzion
e Ungjilli, fjalë tepër e bukur
për të qenë e vërtetë.
Është rrugë, që e përshkoj i vetëm,
ose bashkë me të tjerë si unë,
duke sjellë vazhdimisht nëpër mend
ngjarje e fakte,
pa arritur të dal
nga vorbulla e shkurajimit.
Është rrugë në të cilën eci i trishtuar,
pa u tunduar aspak
nga pamja e pejsazhit,
kaq shumë më qan shpirti.
E pikërisht në këtë rrugë, o Zot,
ti vjen të më takosh
e, shpesh, duket sikur je
thjesht, dikush, që më kalon afër,
i varfër e i pambrojtur si unë.
Dikush, që më fton t’i shoh ndryshe
fjalët e ngjarjet e kështu,
më bën të ringjallem, çdo herë nga pak,
në dritë e në shpresë.
E pikërisht këtë rrugë, o Zot,
marr guximin ta përshkoj,
kësaj here me vrap
e me zemrën mal nga gëzimi,
pasi ti më hap sytë,
më jep të ha bukën tënde,
pasi ulem në tryezë,
me vëllezërit e motrat e mia,
për ta përsëritur gjestin tënd
e për të kumtuar plotësimin
e planit tënd të dashurisë.