Tawadros II në Romë, përqafimi me Papën dhe lutja e përbashkët për martirët
R. SH. - Vatikan
Nga 9 deri më 14 maji i ardhshëm, Patriarku Ortodoks Kopt i Aleksandrisë Tawadros II do të vizitojë Romën. At Hyacinthe Destivelle, zyrtar i Dikasterit për promovimin e unitetit të krishterë kujton, në mediat e Vatikanit, rëndësinë e këtij shtegtimi të rëndësishëm.
Në një intervistë dhënë me rastin e kësaj vizite, imzot Hyacinthe Destivelle, në një intervistë, kujton:
“Po festojmë tri ngjarje: e para është 50- vjetori i takimit të parë të një Ipeshkvi të Romës me një patriark ortodoks koptik. Fjala është për takimin e vitit 1973 të Patriarkut – i cili ka edhe titullin Papë – Shenouda, më 10 maj, në Romë, me Papën Pali VI, kur u nënshkrua një marrëveshje shumë të rëndësishme kristologjike, e cila shërbeu si model për marrëveshje të ngjashme me kishat e tjera lindore. Kryesisht me Kishat ortodokse, të cilat njohin tre Koncilet e para Ekumenike. Pastaj festojmë edhe dhjetëvjetorin e vizitës së parë të Tawadros më 2013, disa muaj pas zgjedhjes së vetë Françeskut dhe Tawadros; festojmë edhe fundin e 1500 viteve të polemikave kristologjike rreth Koncilit të Kalçedonisë”.
Çdo herë, një hap përpara në rrugën e unitetit…
“Uniteti është shtegtim, siç e ripohon shpesh Papa Françesku, dhe me siguri kjo vizitë do të jetë një çast historik në rrugëtimin tonë drejt unitetit. Tashmë ka pasur hapa të rëndësishme në të kaluarën, si dërgimi i vëzhguesve në Koncilin II të Vatikanit nga Patriarku Cyril, rikthimi i relikeve të Shën Markut në vitin 1968, vizita e përmendur tashmë e vitit 73, nisja e një komisioni të përbërë nga Kisha Kopte dhe Katolike. Tani marrëdhëniet teologjike zhvillohen në kuadrin e një komisioni të përbashkët të Kishës Katolike dhe të gjitha Kishave Ortodokse Lindore, në të cilin Kisha Kopte luan një rol të veçantë, sepse bashkë-presidenti ishte peshkop koptik që nga fillimi”.
Gjatë vizitës së Tawadros në Romë do të ketë disa takime.