Sudan, nunci: gjendja është e rëndë, shpresojmë të mos përfundojë në luftë civile
R.SH. – Vatikan
Intensifikohet konflikti ndërmjet ushtrisë qeveritare dhe forcave paraushtarake në Sudan. Sindikata e mjekëve njofton se nga fillimi i tij, numri i të plagosurve ka arritur në 942 vetë, civilë dhe ushtarakë. Kreu i misionit të OKB-së në Sudan, Volker Perthes, deklaroi se është "jashtëzakonisht i zhgënjyer" nga fakti që të dyja palët e respektuan vetëm "pjesërisht", "armëpushimin humanitar" tre-orësh të së dielës, një ditë pas fillimit të problemeve në vend.
Interesat ekonomike rëndojnë mbi Sudanin
Ushtria e Burhanit, kryetar i Këshillit Sovran Tranzitor – “de facto”, president i Sudanit pas grushtit të shtetit të 25 tetorit 2021 - por edhe milicitë paraushtarake të Hemdtit kanë interesa të mëdha ekonomike. Ushtria kontrollon një pjesë të madhe të veprimtarive ekonomike të vendit, ndërsa paraushtarakët kanë disa miniera ari, në bashkëpunim edhe me mercenarët rusë të kompanisë Wagner. Nga ana tjetër, mbi Sudanin i ka vënë duart Kina, që është partnerja më e madhe tregtare i tij. Problemet nisën kur duhej nënshkruar marrëveshja për fillimin e procesit politik, që do të kthente pushtetin në duart e civilëve.
Muñoz Cárdaba: ka rrezik të dështojë marrëveshja e tranzicionit
Të dielën, bombardimet prekën edhe zonën në afërsi të nunciaturës apostolike. Gjendja humanitare është kritike. Bashkimi i Mjekëve Sudanezë denoncon se spitalet në Khartoum dhe në qytete të tjera të vendit janë goditur me topa dhe me armë zjarri e disa prej tyre nuk janë më aktive. I kontaktuar me telefon, nunci apostolik, imzot Luís Miguel Muñoz Cárdaba, pohoi: "Sot është dita e tretë e luftimeve ndërmjet ushtarëve të Forcave të Armatosura dhe paraushtarakëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë. Pas ditësh e javësh tensioni, fatkeqësisht, shpërtheu lufta e vërtetë. Situata është e rëndë, me luftime në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera të vendit. Luftime të fuqishme, të ashpra, me artileri, avionë... Jemi shumë të shqetësuar, në situata kërcënuese për jetën, sidomos civilët. Njerëzit janë mbyllur në shtëpi, pa mundur të dalin jashtë, pa mundur të shkojnë në treg për të blerë, sepse është vërtet me rrezik”.
Pranë Nunciaturës, që ndodhet në zonën veriore të kryeqytetit, ku janë edhe ambasadat e rezidenca e kryeministrit (që aktualisht nuk është aty), gjendja është keqësuar, sepse luftimet janë krejt afër. Të dielën, shpjegon nunci, “tre grupe ushtarësh hynë në nunciaturë gjatë meshës. Mbase donin ta përdornin kopshtin e nunciaturës si pozicion për të luftuar me armiqtë e tyre, por falë Zotit, pas gjysmë ore, ikën pa incidente. Këtu plumbat vërshëllejnë, ashtu si në gjithë qytetin”.
Thirrje për të ndalur luftën
Imzot Muñoz Cárdaba bashkohet me Papën Françesku, që i drejtoi një thirrje popullit sudanez të dielën, gjatë Mbretëreshës Qiellore. Nunci u kërkon “protagonistëve të konfliktit", "të ndalen luftimet dhe të gjenden zgjidhje me dialog e paqe”. Gjithashtu, u bën thirrje edhe organizatave e bashkësisë ndërkombëtare të ndërmjetësojnë për t’i dhënë fund këtij tensioni, pasi konflikti kompromenton mundësinë për arritjen e marrëveshjes politike ndërmjet partive, grupeve të armatosura dhe shoqërisë civile. “Nënshkrimi i marrëveshjes së tranzicionit demokratik dhe formimi i një qeverie të re civile pritej në fillim të prillit – sqaron nunci. - Por fatkeqësisht, tani ka rrezik që ky konflikt të zgjasë dhe madje të shkaktojë, Zoti na ruaj, luftë civile. Të shpresojmë që kjo nuk do të ndodhë, të shpresojmë për mirë”.
Në fakt, shumë analistë mendojnë se do të jetë e vështirë të rifillojnë bisedimet para se njëra palë të fitojë mbi tjetrën, ose të dyja të pësojnë humbje aq të rënda, sa të detyrohen të ulen në tryezën e bisedimeve. Shumë nënvizojnë se në rastin e fitores së njërës palë në kryeqytetin Khartoum, lufta mund të vazhdojë në pjesë të tjera të vendit. Ndërkohë, dëmet më të mëdha i pësojnë civilët. Më se një e treta e popullsisë 45 milionëshe të Sudanit kishte nevojë për ndihmë humanitare edhe përpara shpërthimit të kësaj krize.