Kërko

Siri: për Pashkë rilindje është rindërtimi pas tërmetit

Kryeipeshkvi maronit i Halebit, Imzot Tobji, rrëfen përpjekjet e të gjitha besimeve të krishtera, të bashkuara në një komitet ekumenik për rindërtimin. Në Haleb procesionet dhe funksionet e Pashkëve të kremtuara në rrugë, bëhen trashëgimi e përbashkët, që jep shpresë dhe e shndërron vuajtjen në dashuri

R.SH. – Vatikan

“Po jetojmë Kreshmë të vuajtura, por plot solidaritet; ngjarja e vërtetë nuk është tërmeti, por dashuria e botës për ne”. Me këtë sy e shikon Imzot Joseph Tobji, kryeipeshkëv maronit i Halebit, aspektin pozitiv të tragjedisë që, për disa javë, e vuri Sirinë në qendër të vëmendjes të gjithë bashkësisë ndërkombëtare. Mjerisht, vitet e luftës dhe të shkatërrimit nuk kishin arritur të nxisnin të njëjtën dhembshuri e të njëjtën mbështetje.

Siria, sërish në qendër të lajmeve

“Të shikojmë këtë aspekt pozitiv: një mori njerëzish u tregua e gatshme të punojë në terren: shumë të rinj, shumë shoqata, shumë vëllazëri morën masa për t’i ndihmuar njerëzit që pësuan dëme” - shpjegon prelati - “në të gjithë botën u organizuan fushata për të ardhur e për t’i ndihmuar njerëzit tanë". Solidaritet treguan edhe bashkësitë fetare e vendet fqinje në rajon, si Iraku dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. “Në mes të kësaj tragjedie, pra, ka edhe diçka pozitive - nënvizon prelati - Siria u duk sërish në faqet e gazetave ndërkombëtare, pasi qemë harruar prej disa vitesh”. Imzot Tobji kujton më pas se këto Kreshmë "të ndryshme nga gjitha tjerat", vijnë pas më shumë se një dekade ngjarjesh të tjera të dhimbshme: "12 vjet luftë, dy  me pandemi Covid, pastaj kolera, masat ndëshkimore: tepër shpesh mbartëm kryqe mbi shpinë!”

Marrëdhëniet me myslimanët

Siria vijon të jetë mozaik grupesh etnike dhe besimesh fetare e, për këtë arsye, kjo periudhë e vitit 2023 me të cilën përkojnë Pashkët dhe Ramazani, merr një vlerë edhe më të madhe. “Të krishterët takohen për ditë me myslimanët - pohon Imzot Tobji – sigurisht që ka shumë vëllazëri por edhe diçka që i dëmton marrëdhëniet e mira! Megjithatë në përgjithësi ia kalojmë shumë mirë bashkë”. Në këtë kontekst, marrëdhëniet që e lidhin Ipeshkvin me Myftiun e Madh të Sirisë dhe me të gjithë udhëheqësit fetarë të Halebit, janë domethënëse. "Ne nuk shkëmbejmë vetëm përshëndetje formale me myslimanët - vazhdon prelati - por kemi dialogë të thellë, p.sh., mbi figurën e Virgjërës Mari”. “Dy festat përkojnë – shton  – ashtu siç përkojnë të gjitha ndjenjat, që u shprehën gjatë tërmetit dhe që ngjallën shumë solidaritet! Jemi, pra, në të njëjtën barkë!”.

Vuajtje, që të çojnë në dashuri

Kremtimet e bashkësisë u zhvilluan në një atmosferë paqësore, pavarësisht nga shqetësimet e shkaktuara prej shkatërrimeve të tërmetit, që nuk ranë aspak në sy, pas viteve të vështira të luftës, gjatë të cilave të krishterët pësuan ndalime të shumta në territoret e kontrolluara nga rebelët xhihadistë. Imzot Tobji thekson se bashkësia e krishterë "e vlerëson shumë  këtë çast liturgjik", "nuk mund të mos marrim pjesë në këto kremtime - shton - sepse na japin shumë shpresë, duke na kujtuar gurrën e besimit tonë". Këto ditë të krishterët ia ngulin në mënyrë të veçantë sytë Kryqit e Mundimeve të Krishtit, për të marrë forcë në vështirësi. “U mësuam të vuajmë - vijon ipeshkvi maronit - dhimbja i edukon shpirtrat të duan, sepse pa vuajtje, nuk ka dashuri. Krishti u gozhdua mbi  kryq i shtyrë nga dashuria! E ky duhet të jetë edhe qëndrimi ynë”. Këtë theksoi Prelati, por pa e nënvlerësuar "barrën e dhimbjes", pa i harruar "njerëzit e rraskapitur nga gjithë këto vite krize".

Pashkët, çast ringjalljeje

Pashkët janë çast ringjalljeje, ndaj “pritshmëritë e të rinjve janë shumë të larta”, por ipeshkvi i Halebit bën thirrje për realizëm sepse “shkatërrohet shpejt, por rindërtohet ngadalë”. “Duhet të jemi të durueshëm - thotë Imzot Tobji - dhe të presim që hiri i Zotit t’i hapë zemrat dhe ndërgjegjet e pushtetarëve në mbarë botën, ndërsa ne lutemi për paqen në botë dhe prosperitetin e popujve”.

Bashkësitë e krishtera nën xhihadistët

Mendimet e ipeshkvit maronit të Halebit shkojnë edhe tek ato bashkësi të vogla të krishtera në veri të Sirisë, që janë ende nën kontrollin e grupeve rebele të ekstremistëve islamikë. Tek fshatrat, ku të krishterët nuk mund ta deklarojnë lirisht besimin e tyre.

"Në zonat e Sirisë veriore jashtë kontrollit të qeverisë - kujton - të krishterët vuajnë. Ndaj kanë mbetur shumë pak, veçanërisht të moshuarit, që jetojnë në vuajtje të mëdha - vijon Prelati - ndërsa në Haleb dhe në zonat fqinje jemi mirë në këtë këndvështrim: mund të lutemi, të kremtojmë, të organizojmë procesionet dhe funksionet tona edhe në rrugë”. Prej këndej kryeipeshkvi Tobji  i fton besimtarët të luten për të krishterët ndër zonat nën kontrollin e xhihadistëve, "të cilët mund të luten vetëm brenda kishave, gjë e mjaftueshme, por pa nxjerrë simbole fetare jashtë". Ipeshkvi maronit është në kontakt me një nga priftërinjtë e paktë të pranishëm në ato zona dhe e ka takuar rreth një muaj më parë. Gjatë takimit ky i fundit i tregoi se tërmeti "shkatërroi 80% të shtëpive, po banorët nuk kanë marrë asnjë ndihmë, sepse askush nuk hyn në zonat e kontrolluara nga ekstremistët”.

Të krishterët, të bashkuar për rindërtim

Ipeshkvi e përfundon rrëfimin e tij mbi mjedisin social dhe fetar të këtyre Kreshmëve në veri të Sirisë, duke bërë bilancin e rindërtimit të strukturave të bashkësisë së krishterë në Haleb: “Pas tërmetit, shumica e ndërtesave në qytet u dëmtuan, kështu që ne formuam një komitet ekumenik, kryetari i të cilit është i nënshkruari, për t’i ndihmuar gjithë të krishterët”. Filluam realizimin e dy projekteve: "për rindërtimin dhe restaurimin e shtëpive të krishtera, i cili parashikon gjithashtu mbështetje me qira për ata që duhet të largohen nga shtëpitë e tyre" dhe për t’u siguruar familjeve ndihmë ditore në formën e "pakove ushqimore dhe donacioneve me para në dorë" “sepse nuk është e lehtë të gjesh punë, gjë që u rëndua edhe më shumë me tërmetin”. Komiteti Ekumenik është një tjetër shenjë shprese dhe reagimi përballë tragjedisë! Ipeshkvijtë e ndryshëm të krishterë organizuan për një projekt konkret gjashtë bashkësi katolike - lindore dhe të ritit latin - tri ortodokse dhe dy protestante: jemi njëmbëdhjetë realitete të ndryshme të krishtera, por që po punojmë së bashku”.

04 prill 2023, 09:13