Kërko

Bunk Art 2, Tiranë Shqipëri, ku do të shkojnë për vizitë meshtarët nga Roma Bunk Art 2, Tiranë Shqipëri, ku do të shkojnë për vizitë meshtarët nga Roma

Shtegtim i dioqezës së Romës në Shqipëri

Dioqeza e Romës ka zgjedhur Shqipërinë për shtegtimin e saj, udhëhequr nga kardinali-vikar Angelo De Donatis e organizuar nga Vepra Romake e Shtegtimeve. Që dje (11 prill) e deri më 15 prill, grupi viziton Tiranën, Ohrin e Shkodrën, për t’u njohur me historinë e persekutimit të shqiptarëve dhe me punën e Kishës Katolike sot

R.SH. – Vatikan

         Tiranë, Ohër, Shkodër. Janë vetëm disa nga qytetet, ku do të ndalen meshtarët e Romës gjatë shtegtimit të tyre dioqezan, udhëhequr nga kardinali-vikar Angelo De Donatis. Organizuar nga Vepra Romake e Shtegtimeve, udhëtimi nisi dje (11 prill) dhe do të vijojë deri më 15 prill, me pjesëmarrjen e ipeshkvijve të tjerë (Daniele Salera, Paolo Ricciardi, Dario Gervasi, Guerino di Tora, Valentino Di Cerbo) dhe të shumë besimtarëve laikë.

         “Zgjodhëm Shqipërinë për shumë arsye – shpjegon imzot Remo Chiavarini, përgjegjësi i Veprës Romake të Shtegtimeve. – Së pari, deshëm të takonim kryeipeshkvin e Tiranës, imzot Arjan Dodajn, i cili, kur u shugurua ipeshkëv, në vitin 2021, bënte pjesë në klerin e dioqezës së Romës. Imzot Arjani është anëtar i Vëllazërisë së Bijve të Kryqit, u shugurua meshtar në vitin 2003 nga Papa shenjt Gjon Pali II dhe ka shërbyer për një kohë të gjatë në dioqezën tonë. Në Shqipëri ka edhe shumë bashkësi italiane, që do t’i takojmë gjatë shtegtimit”.

Shtëpia me gjethe, ish-Sigurimi i Shtetit, ku do të shkojnë për vizitë meshtarët nga Roma
Shtëpia me gjethe, ish-Sigurimi i Shtetit, ku do të shkojnë për vizitë meshtarët nga Roma

         Itinerari i propozuar nga ORP (Opera Romana Pellegrinaggi – Vepra Romake e Shtegtimeve) nuk parashikon vetëm vizita kulturore, por edhe takime me besimtarët e Tiranës e të zonave përreth, si edhe vizita në qendrat, që dëshmojnë për persekutimin komunist. Në veçanti, në Shqipëri shërbejnë dy meshtarë “fidei donum” të dioqezës së Romës, don Tommaso Morelli dhe don Raffaele Gagliardi, të cilët ndihmuan edhe në organizimin e shtegtimit.

         “Janë vetëm pak ditë, por shumë intensive – vijon imzot Chiavarini. – Do të shkojmë edhe në Maqedoninë e Veriut, në Ohër, një nga qendrat më të rëndësishme për përshpirtërinë dhe ungjillëzimin e Ballkanit, me dëshmi historike e artistike shumë interesante, trashëgimi e mbrojtur nga UNESCO. Përveç bashkësive të krishtera, do të takohemi edhe me bashkësinë ortodokse e me atë myslimane, të pranishme në Shqipëri”.

         Grupi do të shkojë së fundi në Shkodër, ku do të kremtojë meshë në katedralen e Shën Shtjefnit e do të vizitojë Muzeun – dëshmi të martirizimit të katolikëve gjatë diktaturës. Gjithashtu, do të takohet edhe me bashkësinë e murgeshave stigmatine e do të shkojnë në Qendrën e tyre për fëmijët nevojtarë. Para kthimit për në Romë, vizita në Krujë.

12 prill 2023, 11:27