Shevchuk: në Ukrainë, Pashkët e dyta të sulmuar. Gratë mbështesin vendin!
R. SH. - Vatikan
"Unë besoj me të vërtetë se në Ukrainë ne jetojmë praninë e të Ngjallurit ndërmjet nesh, përndryshe tashmë do të ishim të vdekur prej një viti... Por jemi ende gjallë dhe mund t'i kumtojmë botës nga Kievi se Krishti u ringjall, me të vërtetë u ringjall". Kryepeshkopi i madh i Kyiv-Halyč, Sviatoslav Shevchuk, flet në telefon me Vatican News, ndërsa shikon mbi lumin Dnipro nga dritarja e tij e studimit. Uji rrjedh, ashtu si edhe jeta në kryeqytetin e vendit që ka mbi një vit në luftë. Nesër 16 Prill, kremtohen Pashkët sipas kalendarit Julian: “Pashkët tona të dyta, që na gjejnë duke i bërë ballë këtij agresioni” - kujton kreu i kishës greko-katolike të Ukrainës, dhe na siguron: “Kemi shpresë. Shpresë që del nga horizontet njerëzore, sepse as ushtarakisht, as ekonomikisht, as humanisht Ukraina nuk i ka burimet për t'i rezistuar një pushtuesi kaq imponues".
Të ndjekim intervistën me Kryepeshkopin Sviatoslav Shevchuk
Fortlumturia juaj, në Ukrainë për Pashkë besimtarët përshëndesin njëri-tjetrin me fjalët "Krishti u ngjall, me të vërtetë u ngjall". Çfarë kuptimi ka kjo përshëndetje në kontekstin dramatik të luftës që vijon prej më se një viti?
“Lufta është absurde dhe sakrilegje, por tani nuk ndihemi të braktisur! Mbaj mend se në fëmijëri prindërit e mi më mësuan t’i përshëndes të gjithë me këtë urim. Rastësisht, pa e ditur, një herë përshëndeta një përfaqësues të Partisë Komuniste, një ateist militant. "Krishti u ngjall!" - i thashë. I habitur, ai u përgjigj: “Po, po, më kanë njoftuar”. E mbaj këtë përgjigje në zemër dhe në kontekstin e luftës e kuptoj gjithnjë e më shumë: është një gjë të informohesh për ringjalljen e Krishtit, e krejt tjetër të verifikosh këtë mesazh nëpërmjet përvojës së jetës. Vërtet ringjallje do të thotë të pohosh besimin e krishterë, por edhe të thuash se kjo e vërtetë përkon me përvojën e jetuar. Tani besoj se në Ukrainë ne e përjetojmë vërtet praninë e të Ngjallurit mes nesh”.
Si u prit ky mesazh shëlbimi nga njerëzit, nga besimtarët? Mes kaq dhimbjesh, kaq shumë vdekjesh, kaq shkatërrimi, a e ka humbur kush besimin?
“Do të thosha të kundërtën, përvoja e drejtpërdrejtë e vdekjes për shumë njerëz, e qëndrimit ballë për ballë me këtë fatkeqësi, i kthen njerëzit në fe. Vërtet në Ukrainë kemi një periudhë të gjatë që kërkojmë Zotin, thuhet se edhe ateistët në front luten për ushtarët dhe kur kthehen nga lufta kërkojnë një atë shpirtëror për të ndarë me të përvojat e tyre. Kjo dhimbje, kjo vuajtje ngjall pyetje ekzistenciale jo vetëm për kuptimin e vuajtjes, por edhe për atë të vdekjes. Mesazhi i krishterë është me të vërtetë burimi i shpresës, sepse ne kemi një perspektivë jete që shkon përtej vdekjes. Një perspektivë më e madhe, më e gjerë, më e gjerë se vetë jeta, që na jep forcën e brendshme për të vazhduar ndërtimin, ndërsa dikush shkatërron çdo ditë; të vazhdojmë shërimin dhe t’i shërojmë plagët, ndërsa dikush na i shkakton çdo ditë. Gjithashtu vazhdojmë të shpresojmë, ndërsa dikush na thotë se nuk kemi më shpresë”.
Çfarë ndikimi pati lufta mbi priftërinjtë dhe marrëdhëniet ndërmjet Jush, si kryetar i Kishës katolike greke dhe i klerit?
“Lufta na ka çuar në një pendim të vërtetë baritor. Priftërinjtë nuk janë më elitë sociale, kastë e të paprekshmëve. Prifti është ai, që duhet të zbresë nga piedestali dhe të gjunjëzohet para të plagosurve, të ngushëllojë ata që vajtojnë vdekjen e të dashurve të tyre. Kjo kthesë baritore zbulon një përmasë prifti, që është shërbëtor, siç tha Krishti. Për mua, si peshkop, kjo periudhë ishte një kohë afërsie me priftërinjtë. Sepse ata, po, janë pranë njerëzve të vuajtur, por unë duhet të jem pranë priftërinjve të mi. Ata shërojnë plagët e popullit, por unë duhet t'i shëroj plagët e tyre, duhet të jem atë, kur ndihen të "djegur", të lodhur, t'i vë mbi supe për t'u dhënë prehje dhe guxim. Ky bashkim i Kishës, i priftërinjve dhe besimtarëve, priftërinjve dhe priftërinjve, ipeshkvit dhe priftërinjve të tij, është sekreti i qëndresës, i forcës së Kishës sonë në këto kushte”.
Të flasim edhe për gratë. Krishti i ngjallur iu duk fillimisht atyre. Çfarë roli luajnë gratë në Ukrainë, veçanërisht brenda Kishës, në këtë periudhë dramatike?
“Gratë janë aktualisht shumicë në bashkësitë tona, sepse ka fshatra ku nuk ka më burra. Ata janë të gjithë në front, duke luftuar… Pra, gruaja tani është ajo që vërtet mban mbi supe peshën e kësaj lufte. Me punë vullnetare, me ndihma humanitare... Në kishën tonë, gratë kanë qenë gjithmonë lajmëtaret e para të besimit të krishterë në familje dhe famulli. Pothuajse 99% e katekistëve tonë janë gra dhe 90% e klerikëve tanë janë të martuar dhe roli i gruas së priftit në famulli është gjithashtu shumë i rëndësishëm. Ne kemi vërtet gra shumë të kulturuara, të ditura, inteligjente që punojnë në fusha të ndryshme të jetës së Kishës dhe ofrojnë një kontribut të rëndësishëm në mekanizmat vendimmarrëse”.
A mund të themi pra se gratë janë ato që po mbështesin Ukrainën në këto rrethana lufte?
“Natyrisht… Tani gratë janë simboli i Ukrainës: pamja e një nëne, që vajton fëmijën e saj, ose e një nuseje, që shpreson t’i kthehet burri, është ikonë e Ukrainës”.
Në shumë raste në të kaluarën keni kujtuar rrezikun e indiferencës apo të mësimit me vuajtjet? A ekziston ende ky rrezik? Çfarë mund të bëhet për ta kundërshtuar atë?
“Po, është një rrezik i madh, sepse bombat bien çdo ditë, por këto bomba nuk trembin më. Edhe tmerri i vdekjes nuk të tremb më. Është një çështje e psikologjisë njerëzore: indiferenca mbron realitetin mizor. Por kjo indiferencë mund të jetë vërtet shumë e rrezikshme, sepse zemra thahet, nuk është më e aftë të jetë e ndjeshme me ata që vuajnë e klithma e atyre që janë në nevojë ekstreme nuk dëgjohet më. Çfarë duhet bërë? Për ne të krishterët është e nevojshme të dëgjojmë Fjalën e Zotit, të praktikojmë devotshmërinë tonë të krishterë, të lutemi. Lutja, sakramentet dhe dëgjimi i Fjalës së Zotit na ndihmojnë të mos biem në duart e indiferencës”.
E kush nuk i ka mjetet e fesë, si ia bën para këtij tmerri, që duket se ka zbehur deri krimet e luftës?
“Shoh se ata që nuk kanë besimin e krishterë, kërkojnë dikë që legjitimon dhunën ose urrejtjen. Është shumë e rrezikshme nëse dikush e justifikon dhunën nga pikëpamja fetare ose e krishterë, sepse në këtë mënyrë orteku i hakmarrjes bëhet vërtet, vërtet i pandalshëm. Dhe urrejtja e bën vërtet shpirtin të digjet flakë. Viktima e parë e urrejtjes, është ai që urren. Ne po përpiqemi të mos nxisim urrejtje kundër armikut. Nuk jemi ata liderë që bekojnë dhunën, ndryshe nga sa dëgjojmë nga pala ruse. Jo të gjithë na kuptojnë... Ne shohim jo vetëm se besimi i krishterë është forcë, por edhe se është diçka që hap horizonte, që na jep jetë për të mbijetuar në këto kushte. Në vend të kësaj, urrejtja dhe dhuna shkatërrojnë!”.