Kërko

 Gesù e i discepoli di Emmaus Gesù e i discepoli di Emmaus

Shenjtorët e javës 23 - 30 prill

E Diel 23 prill, Kisha katolike e ritit romak kremton të Dielën e Tretë të Pashkëve ‘A’. Gjithnjë më 23 prill kalendari kishtar përkujton shën Gjergjin martir; Shën Adalbertin, ipeshkëv të Pragës e martir dhe Shën Marinë Gabriela Sagedus, virgjër çistecense. Ungjilli i kësaj së Diele të 3-të të Pashkëve ‘A’ flet për dishepujt e Emausit dhe takimin e tyre me Jezu Krishtin e Ngjallur. Jezusi bëhet shok rruge për të rindezuar në zemrat tona flakën e fesë e të shpresës.

R.SH. -Vatikan

E Diel 23 prill, Kisha katolike e ritit romak kremton të Dielën e Tretë të Pashkëve, ciklit të parë ‘A’. Gjithnjë më 23 prill kalendari kishtar përkujton shën Gjergjin martir; Shën Adalbertin, ipeshkëv të Pragës e martir dhe Shën Marinë Gabriela Sagedus, virgjër çistecense. 

Ungjilli i kësaj së Diele të 3-të të Pashkëve ‘A’ flet për dishepujt e Emausit dhe takimin e tyre me Jezu Krishtin e Ngjallur. Jezusi bëhet shok rruge për të rindezuar në zemrat tona flakën e fesë e të shpresës.

Të hënën më 24 prill, kalendari përkujton shën Fedelin e Sigmaringen, meshtar kapuçin e martir dhe shën Marinë Heselblad, themeluese e murgeshave brigjidine.  Liturgjia e ditës na nxit të meditojmë se për të mos pasur më uri as etje, duhet besuar në Jezu Krishtin, që është buka e jetës. Buka që u jep Moisiu hebrenjve, ndonëse zbret nga qielli, mbetet bukë që ushqen jetën tokësore e jo jetën hyjnore, jetën e amshuar. 

Të martën më 25 prill, kalendari përkujton shën Markun ungjilltar. Ky shenjtë ungjilltar me jetën dhe me veprën e tij na nxit t’ia kumtojmë vëllezërve lajmin e madh të shëlbimit, të ecim në gjurmët e apostujve, për të përhapur në të katër anët e botës Ungjillin, forcë që e shndërron gjithësinë e që provon praninë e Zotit ndërmjet njerëzve.

Po më 25 prill, sivjet, bie 30- vjetori i vizitës historike të Papës Shën Gjon Palit II në Shqipëri, më 25 prill 1993, Ishte vizita e parë e një Pape në trevat shqiptare.

Të mërkurën më 26 prill, kremtohet festa e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtorës qiellore të shqiptarëve. Festa i bashkon shpirtërisht gjithë shqiptarët rreth figurës së Zojës së Bekuar në shenjtëroren kombëtare rrëzë Kështjellës Rozafa të Shkodrës, rrënimi dhe rindërtimi i së cilës do të mbetet në shekuj si simbol i ikjes e i rikthimit të përsëritur të Nënës së Zotit në trojet e në zemrat e shqiptarëve. Fugurja e mrekullueshme e Zojës së Këshillit të Mirë, origjinali i së cilës ndodhet në Gjenacan afër Romës, pasqyron gjithë historinë e katolicizmit në Shqipëri.

Të enjten më 27 prill, kalendari përkujton Shën Simeonin, ipeshkëv i Jeruzalemit e martir. Liturgjia e ditës na nxit si besimtarë t’i bëjmë vetes një pyetje që përshkon shekujt: “Si është e mundur që Jezusi të na ftojë të hamë korpin e Tij?”- e njëkohësisht të marrë përgjigjen: “Buka e tij nuk është si ajo hëngrën etërit e vdiqën. Korpi e gjaku i Tij janë bukë e vërtetë dhe pije e vërtetë!

Të premten më 28 prill, kalendari përkujton Shën Pjetrin Shanel, meshtar e martir i Oqeanisë dhe Shën Luigjin Grinjon de Montfort, meshtar, themelues i Shoqërisë së Marisë.  Liturgjia e ditës na kujton se, për fat të keq, shumë nga nxënësit, nuk i pranuan fjalët e Jezusit e u larguan nga Ai. Juda e tradhtoi. Ndërsa feja e Kishës u shpreh në besojmën e Pjetrit Apostull, që na kujton se e vetmja rrugë e drejtë është ajo që na çon te Krishti, sepse vetëm Ai i “ka fjalët e jetës së pasosur!”. 

Të shtunën më 29 prill, kalendari përkujton Shën Katerinën e Sienës, virgjër, doktoreshë e Kishës, Pajtore e Italisë dhe bashkëpajtore e Evropës. Liturgjia e ditës na nxit të meditojmë se për të mos pasur më uri as etje, duhet besuar në Jezu Krishtin, që është buka e jetës. Buka që u jep Moisiu hebrenjve, ndonëse zbret nga qielli, mbetet bukë që ushqen jetën tokësore e jo jetën hyjnore, jetën e amshuar.

Të dielën e ardhshme më 30 prill, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e Katërtë të Pashkëve. Gjithnjë më 30 prill, kalendari kishtar përkujton Shën Piun V, papë dhe Shën Kuirinin martir.

23 prill 2023, 15:35