Kërko

 Perù Settimana Santa Perù Settimana Santa

Shenjtorët e javës 2 - 9 prill - Java e Madhe e Pashkëve

E diel 2 prill, Kisha katolike kremton të Dielën e Larit, që përkujton hyrjen solemne të Jezusit në Jerusalem dhe pritjen e hareshme me degë lari e ullinjsh nga turma e hebrenjve. Procesioni me degë ulliri, dafina dhe palma na kujton hyrjen triumfale të Jezusit në Jerusalem. Por që ky triumf të mos na gënjejë për misterin e Krishtit dhe misionin e Tij në mesin e njerëzve, menjëherë pas procesionit, lexohet tregimi i Mundimeve dhe Vdekjes së Shëlbuesit të botës.

R.SH – Vatikan

E diel 2 prill, Kisha katolike kremton të Dielën e Larit, që përkujton hyrjen solemne të Jezusit në Jerusalem dhe pritjen e hareshme me degë lari e ullinjsh nga turma e hebrenjve. Procesioni me degë ulliri, dafina dhe palma na kujton hyrjen triumfale të Jezusit në Jerusalem. Por që ky triumf të mos na gënjejë për misterin e Krishtit dhe misionin e Tij në mesin e njerëzve, menjëherë pas procesionit, lexohet tregimi i Mundimeve dhe Vdekjes së Shëlbuesit të botës. Liturgjia hyjnore e kësaj të diele përkujton hyrjen solemne të Birit të Zotit, Jezu Krishtit në Jeruzalem dhe historikun e mundimeve të Tij. Me të Diele të Larit a të Luleve, Kisha katolike fillon Javën e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve.

Gjithnjë më 2 prill kalendari kishtar përkujton edhe Shën Vinçencin nga Paola, vetmitar, themelues i Urdhrit të Rregulltarëve të Vegjël dhe Shën Marina egjiptiane.

Të hënë e Madhe të Pashkëve, më 3 prill, është dita e parë e Javës së Madhe së Shenjtë tç Kashkëve, e këtë meditojmë mbi faktin se Krishti Zot është drita dhe shpëtimi ynë. Dashurisë pa kufi të Marisë, që lyen këmbët e Jezusit me vaj të parfumuar e të shtrenjtë, i kundërvihet meskiniteti i Judës, njeri që llogarit vetëm përfitimin e vet.

Gjithnjë më 3 prill, kalendari kishtar përkujton shën Sikstin I papë dhe shën Rikardin, ipeshkëv i Çiçesterit në Angli.

Të Martën e Madhe të Pashkëve,  më 4 prill, të përpiqemi të shpallim shpëtimin, që vjen nga Jezu Krishti Zot. Parashikimi që bën Jezusi, gjatë Darkës së Mbramë me apostuj, na drejtohet edhe ne e të gjithë atyre që thonë me zjarr Besojmen e fesë, por e realizojnë atë vetëm me fjalë e jo me jetën e përditshme.

Gjithnjë më 4 prill, kalendari kishtar përkujton shën Isidorin, ipeshkëv i Seviljes, doktor i Kishës dhe shën Benediktin Moro, françeskan.

Të Mërkurën e Madhe të Pashkëve, më 5 prill, i kërkojmë Zotit të na vijë në ndihmë. Jeta e çdo njeriu lëviz ndërmjet dy poleve ekstreme. Duhet të vendosim nëse duam t’ia dorëzojmë Jezusin vdekjes, ose t’ia dorëzojmë vetveten, ashtu si Krishti, Zotit dhe vëllezërve.

Gjithnjë më 5 prill, kalendari përkujton shën Vinçencin Ferrer, meshtar domenikan e shën Irenën, virgjër e martire.

Me të Enjten e Madhe të Pashkëve, më 6 prill, fillon Treditëshi i Pashkëve. Viti Meshtarak është atmosfera ideale për të kremtuar meshën e Darkës së Mbramë. Të mbledhur përreth tryezës eukaristike, ashtu si Apostujt në Çenakull, të përpiqemi ta jetojmë këtë mister me fe, mirënjohje e vëllazërim të sinqertë. Përkujtojmë themelimin e Eukaristisë e të shërbimit meshtarak, dy dhurata të çmuara të Zotit Jezu Krisht.

Gjithnjë më 6 prill, kalendari kishtar përkujton shën Rozën nga Viterbo, virgjër françeskane dhe shën Koletën Bolič, themeluese e klariseve të varfëra.

Të Premten e Madhe të Pashkëve, më 7 prill, gjunjëzohemi para Kryqit të Jezu Krishtit, i cili është shenja se Zoti e do njeriun aq sa të japë jetën për të. Përshkrimi që i bën Shën Gjoni Ungjilltar Mundimeve të Krishtit është dëshmia më e madhe e dinjitetit të jetës njerëzore. Jezusi na tregoi se askush nuk e humb dinjitetin para padrejtësisë, gënjeshtrës, poshtërimit, dhunës e urrejtjes. Sa e çmueshme është jeta para syve të Zotit, nëse për ta mbrojtur lejoi ta kryqëzonin, si të ishte ndonjë keqbërës.

Gjithnjë të premten, më 7 prill, kalendari kishtar përkujton shën Gjon Pagëzuesin de La Sal, meshtar e shën Ermano Jozefin nga Këlni.

E Shtuna e Madhe e Pashkëve më 8 prill, karakterizohet nga Heshtja e Zotit, Nata e lutjes në pritje të Ngjalljes së Krishtit. U deshën fjalët e dy burrave të veshur me të bardha për t’i dhënë të kuptojnë Marisë Magdalenë, Gjovanës e Marisë së Jakut se Krishti ishte Ngjallur. Mahnitja e tre grave te varri i zbrazët i Jezusit duhet të na e hapë edhe ne zemrën për të dëshmuar në botë vërtetësinë e asaj ngjarjeje.

Gjithnjë të shtunën, më 8 prill, kalendari kishtar përkujton shën Dionisin Areopagit, shën Amanazin e të Lumin Klementin nga Osimo.

Të dielën e ardhshme më 9 prill, Kisha katolike romake kremton Pashkët e Ngjalljes së Jezu Krishtit.  Alelluja!  Kjo është Dita e Krishtit Zot! Në këtë ditë realizohen shpresat e njerëzimit. Ndërsa shkëmbejmë urimet, t’i japim njëri-tjetrit, së bashku me dorën, edhe këtë siguri: “Krishti u Ngjall, me të vërtetë u Ngjall! Alelluja!”.

Gjithnjë më 9 prill, kalendari kishtar përkujton edhe shën Dhimitrin e shën Liborin

02 prill 2023, 08:53