Kërko

 Vetrate delle Chiese gotiche Vetrate delle Chiese gotiche

Shenjtorët e javës 16 – 23 prill

Sot, 16 prill, e Diela e dytë pas Pashkëve, është edhe e Diela e Mëshirës Hyjnore, themeluar nga Papa Gjon Pali II. Kulti i Mëshirës Hyjnore mbetet i lidhur ngushtë me figurën e rregulltares mistike polake, Faustina Kovalska, lindur në fillim të shekullit të kaluar e vdekur në moshën 33 vjeçe, më 1938. Sot përshpirtëria e rregulltares, lartuar në nderimet e altarit nga Papa Gjon Pali II, është përhapur në shumë vise të botës

R.SH. - Vatikan

Sot, 16 prill, e Diela e dytë pas Pashkëve, është edhe e Diela e Mëshirës Hyjnore, themeluar nga Papa Gjon Pali II. Kulti i Mëshirës Hyjnore mbetet i lidhur ngushtë me figurën e rregulltares mistike polake, Faustina Kovalska, lindur në fillim të shekullit të kaluar e vdekur në moshën 33 vjeçe, më 1938. Sot përshpirtëria e rregulltares, lartuar në nderimet e altarit nga Papa Gjon Pali II, është përhapur në shumë vise të botës. Kujtojmë se solemniteti u kremtua për herë të parë nga Papa Shën Gjon Pali II. Në sa po vizitonte Krakovinë e Polonisë, më 30 prill 2000, Papa Vojtila ia besoi mbarë botën Mëshirës Hyjnore, për të cilën njerëzimi ka aq shumë nevojë edhe sot.  Po sot, kalendari përkujton shën Marinë Berndardetë Soubiroues, virgjër, shën Benediktin Jozef Labre.

Të hënën, më 17 prill, kremtohet festa liturgjike e shën  Simeonit Bar Sabbà, ipeshkëv e martir  dhe Usthazade e shokët, martirë në Persi. Liturgjia e ditës na kujton se kulmi i dashurisë ndaj Zotit është t’ua dhurosh të tjerëve gjithë vetveten me dashuri.

Të martën, 18 prill, kalendari kishtar përkujton shën Galdinin, kryeipeshkëv i Milanos e kardinal, shën Eleuterin, ipeshkëv i Ilirikut dhe Ancien, nënën e tij. Liturgjia e ditës na kujton se të krishterët e vërtetë do të urrehen ose do të kundërshtohen gjithnjë. E ka parafolur vetë Jezusi, që është e Vërteta, por kush do të vijojë të ecë në rrugën e Tij, do të shëlbohet.

Të mërkurën, më 19 prill, bie festa liturgjike e shën Leonit IX, papë. Liturgjia e ditës na kujton edhe një herë se Jezusi vjen nga Lart. Ai është Biri Hyjit që Ati e do, Ai që ka marrë Shpirtin Shenjt me begati e krejtësisht është lënë në duart e Tij. Të mos e pranosh Krishtin, të mos besosh në Birin Hyjnor, do të thotë të mos e takosh Hyjin në jetë. 

Të enjten, 20 prill, kalendari përkujton shën Aniçetin, papë e shën Anjezen nga Montepulçiano, virgjër dominikane. Liturgjia na thotë se Jezusi përkujdeset, me një mrekulli, t’i japë të hajë turmës që e ndiqte. Por Ai ka ardhur për një jetë shumë më të lartë e i bën të gjithë ta kuptojnë këtë, duke u larguar nga skena e mrekullisë.

Të premten, më 21 prill, kremtohet shën Anselmi, kryeipeshkëv i Kanterbërit e doktor i Kishës e shën Apolloni, filozof e martir romak. Liturgjia e ditës na nxit të meditojmë se largimi i Jezusit në vende të vetmuara nuk do të thotë se ai i braktis nxënësit e vet. Vetëm kur Krishti është në barkë bashkë me ta, frika zhduket e barka i afrohet bregut aq të dëshiruar.

Të shtunën, 22 prill, Kisha katolike përkujton Shën Sotirin papë, Shën Kajon papë, shën Agapiton, papë e Shën Leonidën. Jemi të pasur me hire e bekime hyjnore sepse kujtojmë e përkujtojmë mrekullitë që Zoti i ka bërë për njeriun, e ndjejmë nevojën për t’i dhënë “faleminderit” për gjithë atë që na është ofruar e që kemi marrë.

Më 23 prill, kremtohet e Diela e tretë pas Pashkëve. Kisha përkujton shën Gjergjin, martir e Papa Françesku, i cili quhet Jorge Mario Bergoglio – ku Jorge do të përkthehej Gjergj në shqip – ka ditën e emrit. Po atë ditë Kisha Katolike kremton festën liturgjike të shën Adalbertit, ipeshkëv i Pragës e martir dhe të së Lumes Maria Gabriella Sagheddo, virgjër çisterçense.

16 prill 2023, 08:57