Patton: Pashkë lutjesh në Tokën Shenjte, dhunës i duhet përgjigjur me falje
R.SH. – Vatikan
"Jerusalemi është vend takimi, feje, lutjeje, gëzimi e bashkimi dhe jo vend konflikti e ndarjeje, nuk ka vetëm tension politik e fetar". Këto fjalë përdori patriarku i Jeruzalemit, imzot Pierbattista Pizzaballa, për t’u theksuar rreth 20 mijë besimtarëve të krishterë, që morën pjesë në procesionin e së Dielës së Larit, se Qyteti i Shenjtë nuk është zotërim i askujt e nuk përjashton askënd. Imzot Pizzaballa u kërkoi të mos kenë frikë nga “ata, që duan t’i përçajnë”, duke iu referuar episodeve të dhunës kundër kishave dhe simboleve të krishtera. "Qyteti i Shenjtë – këto, fjalët e tij – ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë shtëpi lutjeje për të gjithë popujt e askush nuk mund ta ketë vetëm për vete". Një paralajmërim, përsëritur edhe nga Át Françesk Patton, Rojtar i Tokës Shenjte, i cili, në një intervistë për Vatican News, nënvizon "dinjitetin e të krishterëve", duke theksuar se reagimi kundër dhunës nuk është të përgjigjesh me dhunë, por të falësh, të lutesh dhe të kërkosh drejtësi.
Át Patton, si u jetua e Diela e Larit në Jerusalem?
Do të thosha se, përveç faktit që ka ende njerëz, të cilët duan të largohen nga Toka Shenjte, një pjesë e të krishterëve e ka më se të qartë se janë pasardhës të bashkësive të para të krishtera, prandaj, janë dëshmitarë të një feje, që këtu në Jerusalem, u transmetua pa ndërprerje për 2000 vjet, edhe në kohë shumë më të vështira se ato që po jetojmë sot. Përgjegjësia duhet kuptuar si thirrje, nuk është përpjekje e pastër njerëzore, është thirrje e Zotit: thirrja për të qenë të krishterë të Tokës Shenjte. E është mision, që i ka rrënjët në Ungjill, ku vetë Jezusi nuk i flet Kishës ashtu si bën me turmat e mëdha, kur i thotë: mos ki frikë, grigjë e vogël, sepse Ati Qiellor kujdeset për ne. Prandaj, edhe kur jemi pakicë – e, nuk jemi të tillë vetëm në Jerusalem, jemi pakicë edhe në shumë vende të tjera të botës - duhet të gjejmë forcën, jo në ndonjë lloj ndjenje heroike, por në fjalët e Jezusit në Ungjill, në atë marrëdhënie me Të, që quhet fe.
Mesazhi i Pashkëve i krerëve fetarë të Jeruzalemit përshkruan vështirësitë në të cilat ndodhet bashkësia e krishterë. Ç’atmosferë përjetohet tani, në pritje të riteve të Javës së Madhe?
Atmosfera është gjithsesi ajo e pritjes së gëzueshme për kremtimet, sepse Krishtlindja në Betlehem dhe Pashkët në Jerusalem janë dy çaste feste. Pastaj, kjo festë bie jo larg nga Pashkët për të krishterët lindorë, që do ta kremtojnë pas një jave. Praktikisht, bie njëkohësisht me Pashkët hebraike, e edhe me Ramazanin, pra, me kohën e agjërimit mysliman. Rrjedhimisht, bie në një kohë kur shumë dëshirojnë të luten dhe të kremtojnë në Jerusalem, të gjithë ata, që kanë të bëjnë me judaizmin, islamin dhe krishterimin. Gjithashtu, kremtojmë në një kuadër politik tepër të veçantë, për shkak të tensionit të madh disa javor, me demonstrata në sheshe, që në mënyrë paqësore dhe demokratike, kërkojnë të mos përmbyset struktura shtetërore dhe Gjykata e Lartë të mos i nënshtrohet qeverisë. Kjo krijon tension brenda vendit, por ne të krishterët duam ta kremtojmë si duhet ringjalljen e Zotit e po ashtu edhe të krishterët e tjerë.
Le të flasim për impenjimin e Rojtarisë françeskane për t’u kujdesur e për të garantuar vendet e shenjta përmes mbledhjes së fondeve nga e gjithë Kisha, të Premten e Madhe. Si po shkojnë punët?
Po ecin mjaft mirë për momentin, do të thosha më mirë se më parë, sepse vijmë nga një periudhë shumë e vështirë, periudha e pandemisë e praktikisht, ishim pa burime ekonomike. Tani, falë Zotit, është sërish i mundur ai gjest i solidaritetit universal, që përfaqësohet nga mbledhja e fondeve Pro Terra Sancta, të Premten e Madhe, formë bashkëpunimi e të krishterëve të gjithë botës me të krishterët e Tokës Shenjte. Me atë kontribut ne arrijmë të kujdesemi për vendet e shenjta dhe për shtegtarët, që vijnë për t’i vizituar. Gjithashtu, mund të kujdesemi për bashkësinë e vogël lokale, si për veprimtarinë baritore e shoqërore, ashtu edhe për arsimin dhe veprimtaritë e ndihmës shoqërore. Rojtaria nuk ka rrënjë vetëm në Izrael dhe në Palestinë, por edhe në territore që kanë vuajtur prej vitesh nga lufta, si Siria dhe zonat e goditura së fundi nga tërmeti.
Ashtu si bllokoi mbledhjen e fondeve, pandemia bllokoi edhe shtegtimet. Por, a po kthehen shtegtarët në këtë periudhë?
Po, po, tani shtegtarët kanë arritur pak a shumë në shifrat e vitit 2018. Për momentin, shumica vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pastaj, nga Polonia, Italia, Spanja dhe Brazili. Shihet ky kthim i shtegtarëve e, kjo është shumë pozitive. Bëj thirrje që të vijnë sa më shumë shtegtarë në Tokën Shenjte për të rigjallëruar fenë dhe për t’i rilidhur të krishterët me Tokën Shenjte e me Kishën Nënë të Jerusalemit. Thirrja tjetër është ajo për ndihmë financiare, sepse po bëjmë disa punimë të mëdha, si restaurimi i Bazilikës së Varrit të Krishtit dhe i shumë kishave të tjera, që kanë nevojë për mirëmbajtje dhe punë të vazhdueshme, për të lehtësuar më pas mikpritjen e shtegtarëve e përvojën e tyre të fesë.