Pashkët, kard. Sako: misioni i të krishterëve, të jenë dritë në terrin e Lindjes së Mesme
R.SH. – Vatikan
Në Lindje, të krishterët "sprovohen" vazhdimisht nga luftërat, dhuna, sulmet me natyrë fetare dhe nga emigracioni në rritje, prandaj, pikërisht për këtë arsye, ata duhet ta kenë gjithnjë e më tepër parasysh “misionin” e tyre. Kështu shkruan primati kaldeas, kardinali Louis Raphael Sako, në mesazhin e tij për meshtarët dhe besimtarët e bashkësisë së Irakut dhe të gjithë botës, me rastin e Pashkëve. "Jeta jonë - pohon kardinali - nuk është rastësi, por plan hyjnor". Për rrjedhojë, e kemi për detyrë “ta zbulojmë qartë" këtë thirrje dhe "ta pranojmë me besim, guxim dhe entuziazëm".
Për të krishterët irakianë, Java e Madhe filloi ndërmjet dritëhijeve, pasi, pavarësisht nga dëshira e madhe për të marrë pjesë në kremtimet e bashkësisë, vështirësitë e përditshme krijojnë probleme për këtë dhe vënë në rrezik praninë dhe të ardhmen e tyre në rajon. Një përpjekje për rilindje pas viteve të errëta të pushtimit amerikan, luftërave që pasuan, emigrimeve dhe dhunës së Shtetit Islamik, si edhe pas mbylljes së imponuar vitet e fundit, për shkak të pandemisë Covid-19.
Misioni i të krishterëve të Lindjes së Mesme, nënvizon kardinali Sako, më i fortë se çdo persekutim, mbetet aktual: “Nuk kemi frikë, nuk ka rëndësi sa jemi, nëse jemi vërtet ‘kripa’ e tokës, ‘tharmi’ i brumit dhe ‘drita’ në errësirë, siç na porositi Jezu Krishti”. Megjithatë, vetëm me ndihmën dhe mbështetjen për njëri-tjetrin do të jetë e mundur të kapërcehen sprovat e imponuara nga jeta e përditshme, e cila mbetet kritike. Së fundi janë miratuar disa ligje parlamentare dhe qeveritare, si ato për shitjen e alkoolit së bashku me reformën zgjedhore, që cënojnë të krishterët. "Të mos e humbasim solidaritetin dhe të mbështesim gjithnjë njëri-tjetrin - nxit primati kaldeas – për të ndihmuar në kapërcimin e krizave dhe në lehtësimin e dhimbjeve, siç bëri Simoni nga Cirena, i cili barti kryqin për Jezusin, por edhe Veronika, që ia fshiu fytyrën e tij me shami”. Kështu, fytyra e Jezusit mbeti përherë në atë pëlhurë, ashtu siç duhet të mbetet përherë në “në zemrat tona".
Ringjallja e Krishtit është ngjarja më e rëndësishme për të krishterët e pa të feja nuk ka kuptim. Patriarku i nxit të gjithë të kalojnë nëpër të njëjtën përvojë të shën Tomës për t’i besuar Krishtit, pasi në Lindjen e Mesme, vërtet, mund të preken me dorë plagët e Tij. E, ashtu si të krishterët e parë, që flijuan gjithçka për Krishtin, edhe Kishat vendase – trashëgimi e gjallë e atyre martirëve – duhet të mos e humbasin shpresën në Jezusin, e vetmja, që “jep aftësinë për të qëndruar e për t’i përballuar sulmet me durim e besim”.