Pashkët e Kishave Lindore në Ukrainë, At Ladnyuk: Mesha ime, nën bomba!
R.SH. / Vatikan
As gjatë kremtimit të Pashkëve të Kishave Lindore, bombat nuk pushuan së rëni mbi Ukrainën. Mbi shtëpitë, mbi kishat, mbi kokat e ukrainasve, që festonin në luftë. Festë e luftë: dy fjalë që nuk pajtohen për asnjë çast nga njerëz që edhe për Pashkë dëgjojnë të njëjtën “muzikë”, atë të fishkëllimës së armëve. Gjatë natës, ushtria ruse gjuajti me raketa S-300 në rajonin e Zaporizhzhia, duke shkatërruar Kishën ortodokse të Shën Mihailit Kryeengjëll në Kushuhum.
“Në atë kohë nuk kishte asnjë funksion dhe asnjë bekim të perpeqit në Kishë, e cila zakonisht është shumë e mbushur me njerëz natën e Pashkëve”, siguroi kryetari i komunitetit, Yurii Karapetian. Urdhëri ishte që të mos kremtoheshin Meshët e natës, për shkak të kërcënimit të sulmit me raketa. Ndërkaq goditej me artileri të rëndë kisha e Nikopolit, ku mbetën të plagosur dy vetë. Vendi i adhurimit ndodhet përballë termocentralit bërthamor Zaporizhzhia. Kështu besimtarët në festë dolën nga kisha edhe të gjuajtur me armë vdekjeprurëse, e edhe të rrezikuar nga termocentrali.
Pro-rusët, nga ana e tyre, denoncuan se të shtunën mbrëma, raketa ukrainase ranë pranë Katedrales së Shndërrimit, në Donetsk, duke lënë një të vdekur dhe dy të plagosur, ndërsa kremtohej Nata e Pashkëve!
Lufta vazhdon…
"Në Ukrainë bien çdo ditë bomba, të cilat dëmtojnë edhe kishat, e edhe për Pashkë! Të krishterë, kundër të krishterëve! Ndaj në këto ditë të shenjtëruara nga Gjaku i Krishtit, lajmet kishin rëndësi më të madhe". Me këto fjalë Atë Oleh Ladnyuk, salezian që jeton dhe punon si mësues e kapelan ushtarak në qytetin e Dnipros, pjesë e ekzarkatit të Donetsk-Zaporizhzhia, nis historinë e ngjarjes, që ndodhi në rajonin e tij orët e fundit. Në intervistën për Vatican News, prifti përsërit se “këto ditë flitet më shumë për objektet e kultit të shkatërruara, sesa për shtëpitë e shembura, por pa harruar se diçka e ngjashme ndodh pothuajse çdo ditë”.
Dy fjalë me Atë Oleh Ladnyuk
“Bombat - nënvizon meshtari - bien mbi të gjithë e gjatë gjithë natës. Prandaj nuk pati kremtime nate, por vetëm mëngjesi herët sepse, le të themi, më të sigurta”. Shumë kisha janë dëmtuar, në veçanti kisha e Shën Mihailit Kryeengjëll në Kushuhum, që u shkatërrua plotësisht dhe “nuk mund të rindërtohet” tani për tani. Urojmë ta shikojmë përsëri në këmbë, më vonë!
Bombat gjatë Meshës
Atë Oleh i kremtoi Pashkët pranë frontit me ushtrinë. “Edhe në kishën ku isha - kujton - dëgjoheshin shpërthimet e bombave! Për fat nuk na u shkreh mbi kokë asnjë” - thotë ai me një zë të dredhur nga emocioni, sidomos kur përshkruan guximin e besimtarëve të pranishëm:
“Nuk u trembën fare! I shikova njerëzit, fytyrat e tyre, qëndrimin… askush nuk iku, të gjithë ishin të sigurt se po i mbronte vetë Zoti, ndaj ndejën rreth Tabernakullit, deri në fund të fundit”. Kështu e përfunduam festën tonë".
"Ne themi gjithmonë se Pashkët e mundin vdekjen, se janë ngdhënjimi i dritës mbi errësirën - përfundon prifti - dhe për këtë arsye paqja e të mirat do të fitojnë gjithmonë mbi të keqen. Sigurisht që është e vështirë të predikosh në këto kohë, kur njerëzit të shuhen të përgjakur ndër krahë! Për shembull në Kherson vdiqën dy civilë në këto orë. Vështirë të ecim përpara e të mendojmë për të ardhmen, pa ngushëllimin se Zoti do të na shpëtojë, sidomos tani që e keqja korr e grin mes nesh”.