Hungari, don Fabry: me mijëra, të rinjtë që duan ta takojnë Papën Françesku
R.SH. / Vatikan
“Po punojmë për ta përgatitur sa më mirë këtë vizitë, me frymë miqësie dhe lutjeje”. Kështu shprehet, në një intervistë për mediat e Vatikanit, Atë Kornél Fábry, drejtor i Institutit Kombëtar Baritor Hungarez, ish-sekretar i përgjithshëm i Sekretariatit të Kongresit Ndërkombëtar Eukaristik të 52-të, mbajtur në Hungari, në shtator 2021. “Papa - nënvizon ai - këtë herë nuk do të takohet si në Kongresin Eukaristik Ndërkombëtar vetëm me ipeshkvijtë dhe krerët fetarë, por edhe me priftërinj, seminaristë, bashkëpunëtorë famullish”. Kujtojmë në veçanti, "takimin me të rinjtë, që do të mblidhen në një stadium me mbi 10.000 vende. E pastaj Papa do të jetë edhe ndërmjet invalidëve dhe refugjatëve. E unë mendoj sidomos edhe për ukrainasit, mbi një milion nga të cilët kaluan sivjet nëpër Hungari ".
Ta ndjekim intervistën me Atë Kornél Fábry
Ju përmendët të rinjtë, gjë që na kujton veçanërisht rëndësinë e kujdesit baritor universitar në Hungari, i ndaluar gjatë komunizmit. Si përgatiten studentët për ardhjen e Papës?
“Tashmë duke parë numrin e kërkesave për takimin në stadium, vërejmë se është më i lartë se ndenjëset në dispozicion, rreth 11 mijë. Shumë të rinj do të vijnë nga famullitë, por edhe nga universitetet, jo vetëm ata katolike. Papa do të ketë dy takime me ta: në stadium dhe, ditën e fundit, me botën e kulturës dhe universitetet. Ka shumë të rinj që duan të luten me Françeskun. E ne përgatitemi për këtë takim duke lexuar Christus vivit, nxitje apostolike që Papa ua kushtoi të rinjve”.
Në logon e këtij shtegtimi apostolik shihet ura, simbol i Budapestit. Ura bashkon, krijon dialog … E kjo është edhe ftesa, që Papa u drejton të rinjve dhe të rriturve. Një dialog ndërmjet brezave, në respekt të ndërsjellë, i cili vërehet veçanërisht në ciklin e katekizmit që Françesku ua kushtoi të moshuarve vitin e kaluar. Sa rëndësi ka për kujdesin baritor pranimi i kësaj ftese, edhe për t’iu kundërvënë kulturës së hedhurinës?
“Ky është faktor shumë i rëndësishëm për ne. Në Hungari, familjet nuk jetojnë më së bashku, ndërsa më parë brezat e ndryshëm bashkëjetonin. Në fshat ka shtëpi të mëdha, ku jetonin të gjithë bashkë. Sot bashkëjetesa është shumë e rrallë. Pavarësisht nga kjo, në kishat tona ne inkurajojmë dialogun ndërmjet të rinjve dhe të moshuarve, për shembull, në liturgji. Edhe me këngë më moderne, me dëgjim të ndërsjellë. Kjo është detyrë baritore, për të nxitur unitetin ndërmjet të rinjve dhe të moshuarve. Në famullinë ku kam qenë më parë, çdo festë kremtohej në familje, duke përfshirë edhe gjyshërit. Dëgjimi i tyre, mirëpritja e tyre është e rëndësishme, sepse janë njerëzit tanë më të urtë! Në kohën tonë, ku bota në internet duket tejet e largët nga ata që janë më të vjetër, shpesh vërej se janë nipërit ata që i mësojnë gjyshërit të përdorin telefonin, internetin. Kjo është e mirë, sepse kështu shkohet përpara së bashku.
Baritoria shëndetësore është gjithashtu e rëndësishme për përfshirjen e vërtetë. Sa e zakonshme është në Hungari?
“Shumë! Sidomos në kryeipeshkvninë e Budapestit, ku ka meshtarë që e drejtojnë, që i ndihmojnë të verbrit të marrin pjesë në liturgji. Mendoj se është shumë e rëndësishme që për ta të organizohen ngjarje të veçanta. E po mendoj edhe për meshën e krijuar posaçërisht për personat me aftësi të kufizuara. Janë pasuri e Kishës. Takimi që Papa do të ketë me këta të vegjël, bashkë me prindërit e tyre do të jetë ngjarje e veçantë vërtet i rëndësishme. Ipeshkvi i Romës dëshiron të kalojë ca kohë me ta, t'i inkurajojë. Ata e mbarë Kishën në vend”.