Kërko

Domenikanet e dëbuara Domenikanet e dëbuara 

Nikaragua, dëbohen dy murgesha kostarikane

Regjimi i vendit të Amerikës Qendrore dëboi dy murgesha nga Kongregata Domenikane e Lajmërimit të Zojës dhe shtetëzoi manastirin trappist të Shën Pedro de Lóvago

R. SH. - Vatikan

Dy murgesha kostarikane të Kongregatës Domenikane të Lajmërimit të Zojës, motrat Isabel dhe Cecilia Blanco Cubillo, të cilat punonin në Fundación Colegio Susana López Carazo, shtëpi për të moshuarit, u dëbuan nga Nikaragua. Para kësaj ngjarjeje, dy murgeshat drejtonin shtëpinë e Rivas. Të dyja mbërritën para tri ditësh në Kosta Rika.

Manastiri i murgeshave Trapiste konfiskohet

Tri ditë më parë, më 11 prill, qeveria e vendit të Amerikës Qendrore konfiskoi manastirin e murgeshave Trapiste, që ndodhej në San Pedro de Lóvago Chontales dhe ia dorëzoi Institutit të Teknologjisë Bujqësore Nikaraguane, INTA.

Murgeshat Trapiste u larguan nga manastiri më 24 shkurt dhe arritën në Panama të nesërmen. Kongregata i përket Urdhërit të Motrave Cistercense, ardhur në Nikaragua nga Argjentina, më 20 janar 2001.

Dëbimet

Në korrik 2022 nga Nikaragua u dëbuan Misionarët e Bamirësisë, themeluar nga Shën Nënë Tereza pasi Asambleja Kombëtare e anuloi statusin e tyre ligjor. Në fillim të Javës së Madhe, misionari panamez Claretian, At Donaciano Alarcón, u dëbua sepse ishte lutur për Imzot Rolando Álvarez, ipeshkëv i dioqezës së Matagalpa-s dhe administrator apostolik i Estelí. Që nga 9 shkurti, pas arrestit shtëpiak, Ipeshkvi u dënua me më shumë se 26 vjet burg. Vijon të vuajë dënimin në qeli që prej 19 gushtit 2022.

Bashkësia katolike kremtoi sivjet një Javë të Madhe të vështirë, pasi presidenti Ortega i ndaloi kremtimet tradicionale publike të kësaj periudhe.  U ndaluan më se 3000 procesione e u burgosen rreth njëzet vetë, që protestuan për këtë ndalesë!

14 prill 2023, 11:12