Kërko

Earth Day Italia - Fshati për Tokën Earth Day Italia - Fshati për Tokën

Nga Fshati për Tokën, mesazh i fuqishëm për paqen

Deklarata përfundimtare e Fshatit për Tokën: kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinali Matteo Zuppi, kremtoi meshën përfundimtare të veprimtarisë, e cila zgjati pesë ditë, në tendën e paqes, projektuar dhe gjallëruar nga françeskanët e “Frate Indovino”, duke bërë një thirrje të fuqishme për vëllazërim

R.SH. – Vatikan

         Dje, dita e fundit në Fshatin për Tokën, në Villa Borghese të Romës, me rastin e kremtimeve të Ditës Botërore të Tokës 2023, organizuar nga Earth Day Italia dhe Lëvizja e Fokolarinëve. Për pesë ditë me radhë, në kryeqytetin e Italisë, ashtu si në gjithë botën, pati rreth 600 veprimtari, që shërbyen për të sensibilizuar mbi problemet e planetit, por edhe për t’i parë me sy tjetër të gjitha bukuritë e tij.

E rëndësishme në ditën e fundit, prania e kardinalit Matteo Zuppi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Italisë, i cili kremtoi meshën përfundimtare të veprimtarive, në hipodromin e Vilës Borghese, në Tendën e Paqes, ngritur për këto ditë nga françeskanët. Gjatë pesë ditëve, prania e Kishës Katolike në Fshatin për Tokën ishte mjaft intensive, jo vetëm përmes mediave të Vatikanit, por edhe përmes vizitës së shumë ipeshkvijve e kardinajve, ndër të cilët kardinajtë Konrad Krajewski (Lëmoshtari papnor), José Tolentino De Mendonça (prefekt i Dikasterit për Kulturën dhe Edukimin), Mario Grech (Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve), Lazzaro You Heung-Sik (Prefekt i Dikasterit për Klerin).

Pati jehonë të madhe ndërkombëtare mesazhi i Papës Françesku në lutjen e Mbretëreshës Qiellore të së dielës, pikërisht për Ditën Botërore të Tokës, e cila u kremtua të shtunën, si edhe publikimi i një tweet-i, në të cilin Ati i Shenjtë shkruante:

“Libri i Zanafillës na thotë se Zoti ua besoi njerëzve përgjegjësinë për ta ruajtur Krijimin (Zan 2,15). Prandaj, kujdesi për Tokën është detyrim moral për të gjithë burrat e gratë, sepse janë bij të Hyjit”.

26 prill 2023, 12:00