Në Gjenacan, festa e ardhjes së Zojës së Këshillit të Mirë
R.SH. – Vatikan
Filloi sot në Gjenacan, pranë Romës, nëntëditëshi i lutjes dhe e veprimtarive kishtare për të shkuar drejt solemnitetit, që kujton ardhjen e fugures së Zojës së Këshillit të Mirë në këtë qytezë nga Shkodra, në atë kohë, e kërcënuar nga otomanët.
Nga dita e sotme (17 prill) e deri më 24 prill, do të thuhet Rruzarja në orën 17.15 e më pas do të kremtohet Mesha, në orën 18.00. Të shtunën, më 22 prill, do të kujtohet nisja e fugures së Zojës nga qyteti verior shqiptar, sipas traditës, ngritur në qiell mrekullisht nga engjëjt e shoqëruar në këmbë nga dy shqiptarë. Në orën 18.00, Mesha e kremtuar nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, kryeipeshkëv metropolit i Shkodër-Pultit.
Të martën, më 25 prill, në orën 7 të mëngjesit, fugurja, e cila mbahet pa u mbështetur në murin e Kishës, do të ekspozohet për besimtarët, nën tingullin festiv të kambanave. Në orën 17.15 të po asaj dite, e gjithë bashkësia do të kremtojë Ardhjen e fugures së Nënës së Këshillit të Mirë e do të këndojë Akathistos. Është një nga himnet më të njohura të Kishave të ritit lindor, që i kushtohet Theotokos, Hyjlindëses. Himni, i shekullit V, ishte dhe është model i kompozimeve ikonografike dhe litanike, të lashta e të reja. “A-kathistos”, në greqisht, do të thotë “jo-të ulur”, sepse Kisha e këndon këtë himn “duke ndenjur në këmbë”, ashtu siç bëhet për Ungjillin, në shenjë nderimi për Nënën e Zotit.
Në orën 18.00, nëntëditëshi përfundon me Meshën solemne të kremtuar nga ipeshkvi i Tivolit dhe i Palestrinës, imzot Mauro Parmeggiani.