Mianmar - Katolikët në adhurim përpara Eukaristisë për të kërkuar, me Papën, dhuratën e paqes
R.SH. / Vatikan
Më 15 prill, duke pritur në Vatikan shtegtarët nga dioqeza e Crema-s, qytet italian ku lindi Ati i Lum Alfredo Cremonesi, misionar i vrarë në Myanmar, më 7 shkurt 1953, Papa Françesku kujtoi dhunën që ende sot rrënon jetën e popullsisë së vendit, duke theksuar:
“Siç e dini, kjo është tokë e trazuar, që e kam në zemër, për të cilën ju ftoj të luteni, duke i kërkuar Zotit dhuratën e paqes”
“Papa Françesku na ka në zemër me lutjet e tij dhe vazhdon t'ia kujtojë botës kushtet tona të mjerueshme” - kujton në Fides, Robert Khen Tlung, laik katolik nga Yangon. - Burri, i cili falënderon sinqerisht Papën, është ndër dashamirësit që ndihmuan në ndërtimin e kishës së re të Adhurimit të Përhershëm në Katedralen e Zemrës së Krishtit, në Yangon, bekuar dje nga Kardinali Charles Maung Bo, Kryeipeshkëv i Yangonit.
Besimtarët i shprehin mirënjohjen Papës i cili "po lutet që Mianmari të mund të kapërcejë situatën e vështirë aktuale politike" - theksojnë meshtarët dhe laikët, që nisën një raund lutjesh dhe adhurimi eukaristik të vazhdueshëm, natë e ditë, në kapelën e re, për rikthimin e paqes në vend.
Dje, gjatë Meshës së së dielës, 16 prill, kremtuar në Katedrale, kardinali Bo kujtoi:
"Ndërsa populli birman po përjeton tmerret e luftës, ne nuk e harrojmë Zotin dhe ia besojmë Atij veten e të gjitha nevojat tona. Secili prej nesh përjeton vështirësi, dhimbje, probleme. T'i lëmë të gjitha në dorë të Zotit. Edhe Ati i Shenjtë na kujton e lutet që t'ia besojmë jetën tonë Mëshirës Hyjnore, e cila na dhuron begatisht ngushëllim dhe hir”.