Kërko

Imzot Simon Kulli, ipeshkëv i Sapës Imzot Simon Kulli, ipeshkëv i Sapës

Imzot Kulli: hiri i Ringjalljes së Krishtit duhet pranuar lirisht

Në mesazhin e tij për Pashkët 2023, ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli e vë theksin në mënyrën se si duhet jetuar me forcën e Krishtit të ringjallur, që na vjen pikërisht nga kjo e kremte e rëndësishme e vitit. “E kremtja e Ringjalljes – nënvizon ai - nuk shpall thjesht lajm, por na fton të marrim pjesë në lirinë, që na fali Krishti”

R.SH. – Vatikan

“Të jetosh me forcën e Krishtit të ringjallur do të thotë të përjashtosh nga e përditshmja fuqitë e vdekjes dhe të së keqes, të largosh errësirën dhe mjegullimet, që na pengojnë ta njohim të Vërtetën dhe Jetën dhe ta dëshmojmë atë”. Kështu pohon në mesazhin e tij për Pashkët 2023, ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, i cili thekson se hiri, që u vjen besimtarëve nga kjo e kremte, nuk imponohet, por duhet të pranohet lirisht nga njeriu. “Jeta e re me Krishtin – nënvizon ai - na jepet brenda Kishës me hirin e Shpirtit Shenjt. Çdo liturgji hyjnore, çdo kremtim Eukaristik është takim dhe shoqërim me Hyjin. E kremtja e Ngjalljes nuk shpall thjesht një lajm, por na fton të marrim pjesë në lirinë, që na fali Krishti. E kjo liri, sigurisht mbështetet në besimin tonë”. Por le ta ndjekim mesazhin...

Dëgjo imzot Simon Kullin...

KRISHTI I NGJALLUR ËSHTË THEMELI I FESË SONË

Mesazhi i Bariut të dioqezës së Sapes Imzot Simon Kulli

 

Shumë të dashur vëllezër e motra,

"Krishti dje dhe sot. Fillimi dhe mbarimi. Atij i përkasin kohët dhe shekujt. Atij i qoftë lavdia dhe pushteti në shekuj e në amshim"[1].

Të jetosh me forcën e Krishtit të ngjallur do të thotë të përjashtosh nga e përditshmja fuqitë e vdekjes dhe të keqes, të largosh errësirën dhe mjegullimet që na pengojnë ta njohim të Vërtetën dhe Jetën dhe atë ta dëshmojmë. Krishti i ngjallur prej së vdekurish është themeli i fesë sonë. Pashkët nuk janë thjeshtë kujtim i një ngjarjeje, por duhet të jetë aktualizim për jetën e çdo të krishteri e të çdo bashkësie kishtare, për jetën tonë.

Kur ne jemi në shoqëri me Krishtin aty nuk sundon vdekja, sepse Ai është "Ringjallja dhe Jeta" (Gjn 11,25), dhe këtë Jetë ua dhuron të gjithë atyre që bashkohen me Te. Shoqërimi me Të, para së gjithash, është dhuratë, "hir". Një hir që nuk imponohet, por që do të duhet të pranohet lirisht nga njeriu. Ky pranim i vullnetshëm ka të bëjë me njohjen, besimin e dashurinë, me përfshirjen dhe pjesëmarrjen në Trupin e Krishtit të Ngjallur me misteret e Kishës së Tij. Jeta e re me Krishtin na jepet brenda Kishës me hirin e Shpirtit të Shenjtë. Çdo liturgji hyjnore, çdo kremtim Eukaristik është takim dhe shoqërim me Hyjin.

Krishti i ngjallur është fillimi i njerzimit të ri, “i Parëlinduri ndër të vdekurit, që të jetë në gjithçka i Pari” (Kol 1,18). Me Ngjalljen e Krishtit ka nisur një formë e re ekzistence për njerëzit. Siguria e Ngjalljes, bindja se Atij iu dha “çdo pushtet në qiell e tokë” (Mt 28,18) i çliroi nxënësit e Tij prej çdo lloj frike dhe ankthi dhe i shndërroi në predikues të guximshëm të jetës së re në Krishtin.

Janë të shumta në kohën tonë frikët dhe ankthet që e kërcënojnë jetën. Madje, kohët e fundit janë edhe më të acaruara për shkak të vuajtjeve që shkaktojnë krizat: Lufta në Ukrahinë, krizat ekonomike e politike, morale dhe të fesë ... por Kriza më e fortë që po jetojmë ne me largimin e të rinjve për një jetë më të denjë se sa këtu. Brenda kësaj atmosfere të rëndë vjen e kremtja e Ngjalljes së Krishtit që të ftojë çdo besimtar në një rrugëtim lirie nga frika. Nga frika që krijon padrejtësia dhe egërsia e shoqërisë sonë. Nga frika e mëkatit shumëformësh që depërton në qenien tonë dhe na tjetërson.

Duhet që ta jetojmë misterin e Pashkëve në jetën tonë të përditshme. T’u shmangemi gjërave tokësore, papastërtisë, dëshirave të këqija, idhujtarisë dhe lakmisë, që është dëshira e tepruar e të mirave materiale. Duhet ta shuajmë, madje ta asgjësojmë në ne dashurinë e pangopur të të mirave materiale, egoizmin, rrënjën e çdo mëkati.

Pashkët, me kremtimin e Ngjalljes së Krishtit, na tregojnë “jo vetëm udhën për të ndryshuar, apo shndërruar vetveten tonë, por për të shndërruar botën, për t’i dhënë qytetit tokësor një fytyrë të re që favorizon zhvillimin e njeriut e të shoqërisë sipas logjikës së solidaritetit, të mirësisë, në respekt të thellë të dinjitetit të çdonjërit[2].

E kremtja e Ngjalljes nuk shpall thjesht një lajm, por na fton që të marrim pjesë në lirinë që na fali Krishti. Kjo liri, sigurisht mbështetet në besimin tonë.

Ngjallja e Krishtit shpalos se e vërteta është më e fuqishme se sa gënjeshtra; e mira është më e fortë se sa e keqja; dashuria është më e fuqishme se urrejtja, jeta është më e fortë se vdekja. Besimi ynë nuk është as bosh dhe as i kotë. Është burimi i jetës dinamike dhe frytdhënëse.

 Kjo është thirrja dhe urimi im në këto Pashkë. Me dëshirë që gjithmonë të jemi të angazhuar për Zotin dhe për të mirën e popullit që ta forcojmë besimin tonë, Ju uroj dhe dëshiroj që ta shpallim me guxim Ngjalljen e Krishtit që është thelbi i besimit tonë.

Për shumë vjet Pashkët!

__________________________________________________________

[1] Liturgjia nga përgimi pashkor  Natën e Shenjtë – bekimi i zjarrit;

[2] Benedikti XVI – urimi për Pashkë 2011

09 prill 2023, 09:45