Kishat e Tokës Shenjte: Pashkët e forcojnë fenë e të krishterëve
R. SH. - Vatikan
Mesazhi i Pashkëve për ringjalljen e Krishtit dhe shpresa që sjell me vete, i inkurajojnë dhe u japin forcë të krishterëve të Tokës së Shenjtë, besimi i të cilëve "vazhdon të vihet përsëri në provë të rëndë" në këto kohë "të trazuara". Kështu shkruajnë patriarkët dhe krerët e kishave të Jeruzalemit në mesazhin e tyre për Pashkët 2023, duke nënvizuar “shkallëzimin e dhunës” që, muajt e fundit, “e ka pushtuar Tokën Shenjte”. Ata që vuajnë më shumë, janë veçanërisht të krishterët vendas - lexojmë akoma - "vuajnë gjithnjë e më shumë nga erëra armiqësore, që vijojnë të fryjnë në këto vise të shenjta".
Në mesazhin e Pashkëve, prijësit fetarë të Jeruzalemit shkruajnë për sprovat e vështira që detyrohen të kalojnë besimtarët dhe për "shkallëzimin e dhunës", që prek njerëzit dhe vendet e adhurimit. Kërkesa drejtuar autoriteteve qeveritare është të garantojnë "sigurinë, hyrjen dhe lirinë fetare të bashkësisë së krishterë vendase, të miliona shtegtarëve të krishterë si dhe status quo-në fetare.
Të jehojë në gjithë vendin përshëndetja e krishterë!
Sidoqoftë, shpresa përfundimtare - kujton akoma teksti - nuk vendoset përfundimisht nga dora njerëzore, por nga dora e Zotit, "që na ndihmon edhe sot, na mbron edhe sot, ashtu si i mbrojti të krishterët e Jeruzalemit shumë shekuj më parë".
Përshëndetja që krerët fetarë të Tokës së Shenjtë shkëmbejnë me besimtarët nga e gjithë bota, është pikërisht përshëndetja e lashtë e krishterë, që vazhdon të kumbojë me forcë të madhe, edhe sot e do të vijojë:
"Krishti u ngjall - Vërtet u ngjall!".