Imzot Yazlovetskiy: në plagët e Jezusit të ringjallur është vuajtja e Ukrainës
R.SH. / Vatikan
Pak më shumë se një vit lufte dhe dy kremtime të Pashkëve të jetuara në rrethim. Besimtarët katolikë të ritit latin të Ukrainës e festojnë Ngjalljen e Zotit duke parë rilindjen, në përfundim të frikës dhe të lotëve. Ndonëse bombat nuk kanë reshtur, pavarësisht nga frika e vdekjes, që ende shoqëron jetën e përditshme të të gjithëve, forcohet shpresa se së shpejti mund të arrihet fundi i pushtimit rus. "Ky vit është ndryshe" – pohoi për Vatican News - imzot Oleksandr Yazlovetskiy, ipeshkëv ndihmës i dioqezës së Kyiv-Zhytomyr - për të shpjeguar, më pas, se "të rinjtë i nxisin të gjithë gëzohen dhe të besojnë se paqja nuk do të vonojë":
Më poshtë, intervista me Imzot Oleksandr Yazlovetskiy
Shkëlqesi, këto janë tashmë Pashkët e dyta, që Ukraina i jeton në luftë. Ç’kuptim ka festa në këto rrethana?
Sigurisht që këto Pashkë, edhe nëse jetohen sërish gjatë luftës, janë pak më ndryshe nga Pashkët e mëparshme, sepse tani kemi shpresën dhe besimin se me ndihmën e Zotit mund të përfundojë konflikti. Mbaj mend se vitin e kaluar festuam, ndonëse me gëzimin e Ngjalljes së Krishtit, edhe me pikëllim të madh, sepse nuk e dinim çfarë do të ndodhte në vendin tonë, pyesnim se si do të ecnim përpara e nëse do të ishim akoma gjallë si popull. Patëm frikë! Shumë frikë! Tani është pak më ndryshe. Mendoj se shumica e ukrainasve, besimtarë dhe jobesimtarë, vijojnë të mendojnë se me ndihmën e Zotit kjo luftë do të përfundojë. Prandaj edhe Pashkët sivjet janë pak më ndryshe: gëzimi është më i fortë sepse gëzimi varet para së gjithash nga Ngjallja e Krishtit, por edhe nga rrethanat që na ndihmojnë ta ndiejmë më mirë Ngjalljen!
Fjalët e para që Jezusi u drejtoi dishepujve të tij pas Ringjalljes ishin "Paqja me ju". Sipas mendimit tuaj, çfarë kuptimi do të kishin nëse Krishti do t'i shqiptonte tani në Ukrainë?
Ne e dimë se kur një njeri është i ri, nuk e vlerëson aq shumë shëndetin, sepse e e ka; dimë gjithashtu se kur ky i ri plaket, kupton se shëndeti ishte hir i bukur dhe i vjen keq që nuk diti ta vlerësojë sa e si duhet. Kështu është edhe me paqen. Mendoj se për të gjithë popujt, e jo vetëm për Ukrainën, sepse ka disa vende që vuajnë si ne, kjo fjalë ka vlerë të madhe. Për ne nuk do të thotë vetëm mungesë lufte, mbasi e kemi kuptuar që edhe pa pushkatim, edhe pa luftë reale, nuk është se kemi pasur paqe. Natyrisht, për ne të krishterët, paqe do të thoshte të kishim Mbret Krishtin tonë, por për ta arritur këtë, duhet të lutemi. E shumë!
Çfarë mund të thoni për të rinjtë në Ukrainë? Cili është burimi i shpresës për të rinjtë?
E dimë se të moshuarit janë zakonisht më të qetë, sepse e kanë njëfarë përvoje, kanë kaluar kohë të mira e kohë të këqija. E kur është fjala për fitoren, paqen, ata luten e heshtin, shpresojnë, e heshtin. Të rinjtë, nga ana tjetër, na shtyjnë të gëzohemi, por edhe të besojmë në këtë paqe, mjafton t'i takojmë edhe këtu në Kiev, mjafton të bisedojmë me ta, që të na japin shpresë, me buzëqeshje e me fjalë të ëmbla. Fjalë rinore. Kur na përshëndesin, na thonë “Do të fitojmë”, “Ju uroj paqen!” “Shpresojmë të shihemi kur të përfundojë lufta”. Prandaj të rinjtë tanë janë me të vërtetë burim ngushëllimi dhe ndihme për ne, sepse besojnë në paqen. E besojnë edhe se do të vijë Papa Françesku. E presin të rinjtë tanë e të gjithë, duke u lutur për shëndetin e Tij. Duke u lutur e duke shpresuar që një ditë ta shohim këtu, me gëzim të madh.
A ka ndryshuar mënyra e kryerjes së shërbimit tuaj ipeshkvnor gjatë këtij viti? Çfarë mësuat gjatë kësaj kohe?
Mësova shumë gjëra. Për shembull, mësova sesi ndizet e si fiket gjeneratori, ose çfarë do të thotë të kesh një power bank, jo të vogël për celular, por të madh, të aftë për të garantuar energjinë elektrike të një dite në një apartament. Mënjanë shakatë, kjo periudhë ka qenë e vështirë për të gjithë ne, por me ndihmën e Zotit mësuam shumë gjëra. Mua personalisht më ndihmoi edhe fakti që nga dhjetori i kaluar u emërova kryetar i “Caritas-Spes Ukraine”. Këtu kemi dy Caritase: "Caritas Ukraine" i kishës greko-katolike dhe "Caritas-Spes Ukraine" i kishës romako-katolike, të dy, duke realizuar shumë projekte. Dhe këtu po mësoj të bëj vepra mëshirë për nevojtarët.
Papa Françesku flet shumë për plagën e klerikalizmit, mendoj se, sigurisht, në çdo kishë ka klerikalizëm, më të madh apo më të vogël. As ne nuk jemi të lirë nga kjo. Por lufta na mësoi të jemi pranë njerëzve, të dalim, të jemi me ta, të kërkojmë të organizojmë diçka së bashku me ta, me famullitë, sepse prifti nuk mund të bëjë asgjë vetë. Prandaj shumë priftërinjve, madje edhe ipeshkvijve tanë duket sikur u ka ardhur fryma. Ndihet një solidaritet i madh, bëhen shumë projekte, shumë dashamirë telefonojnë nga jashtë, sepse duan të ndihmojnë ose sepse do të vijnë të na takojnë. Mësuam edhe të eksperimentojmë, të pranojmë mëshirën e të tjerëve, sepse edhe kjo duhet mësuar. Më kujtohet një herë, kur isha ende seminarist në Poloni, më dërguan për të mbledhur lëmoshë gjatë meshës. Më erdhi aq turp, sa u skuqa. Ndihesha i poshtëruar, edhe pse nuk kërkoja gjë për vete, por për Kishën, për famullinë. Po njeriu u dashka të mësohet edhe për të marrë ndihma prej tjetrit. Ne u poshtëruam me këtë luftë, por edhe përjetuam një mëshirë të madhe. Njëkohësisht mësuam të bëjmë vepra mëshire për të tjerët. Lufta të bën ose mëkatar të madh, ose një shenjtor të madh. Janë dy gjëra ekstreme, vetëm dy mundësi.
Mendoj se kjo që po thoni, mund të shihet edhe si shenjë e madhe shprese…
Sigurisht, ne po mësojmë shumë gjëra: po mësojmë të jemi të krishterë edhe pa e quajtur veten të krishterë. Në luftë, nëse do të jesh njeri i mirë, nëse dëshiron të ndihmosh të tjerët, solidarizohu me të tjerët e, nëse dëshiron të punosh për ta afruar këtë paqe, duhet të sillesh si i krishterë, se përndryshe s’ke ku shkon.
Pas Ringjalljes, Jezusi u duket dishepujve të vet me plagët e kryqit. Çfarë na mëson kjo në kontekstin e luftës?
Duke parë plagët e Krishtit dhe trupin e tij të Premten e Madhe, ndjejmë edhe dhembshuri të madhe. Zakonisht është Zoti ai që ndjen dhembshuri ndaj nesh, ndërsa atë ditë e ndjejmë edhe ne dhimbjen ndaj Zotit, që pagoi haraç të madh për të na shpëtuar. Ne ukrainasit mund t'i shohim këto plagë të Krishtit edhe në vendin tonë: e dimë se Krishti e identifikon veten me njerëzit që vuajnë. E ne, si Zoti, i kemi plagët e hapura për një vit të tërë. U shpreh mirënjohjen të gjithë atyre, që i ndjejnë vuajtjet e Krishtit, pasi shohin kryqin këto ditë, ose gjatë gjithë vitit. I ndjejnë dhe kuptojnë se Krishti është i pranishëm në njerëzit që vuajnë, në popujt që vuajnë! E nuk po flas vetëm për ukrainasit. Shikoj shumë që duan të sjellin ndihmë, që duan të na mbështesin me lutje, me fjalë ngushëllimi. Dhe ne e perceptojmë këtë dhembshuri ndaj nesh e u jemi shumë mirënjohës të gjithë atyre që e shohin Krishtin duke vuajtur edhe në vendin tonë, që i shohin këto plagë në qytetet dhe qytezat tona të shkatërruara e, sidomos, në njerëzit e ushtarët e shumtë që vdiqën”.