Imzot Massafra: “Pacem in terris” në shqip, sepse aktuale edhe sot
R.SH. – Vatikan
U paraqit sot në Shkodër, enciklika e Papës shenjt Gjoni XXIII, “Pacem in Terris”, e përkthyer në gjuhën shqipe. “E donim këtë konferencë për shtyp sot, - theksoi kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra - sepse situata botërore që po përjetojmë meriton të marrë shumë prej këtij dokumenti tejet të rëndësishëm që të reflektohet seriozisht për rëndësinë e paqes dhe për mjetet e nevojshme që ajo të arrihet”. Drejtësia e vendosur me luftë është vetëm e supozuar. Pikërisht në 60-vjetorin e publikimit, “Paqja në Tokë” mund të gjendet në format libri, në Kurien e kryeipeshkvisë në Shkodër, si edhe në faqen e internetit të saj, https://kishakatolikeshkoder.com/dokumentet-e-kishes- katolike/, siç shpjegoi imzot Massafra, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. Por le ta dëgjojmë paraqitjen e tij…
Përpara kamerave të televizionit italian, Pacem in Terris (PAQJA NE TOKE), Enciklika e Papa Gjonit XXIII u paraqit më 11 prill 1963, duke i dhënë atij titullin “Papa i Paqes”.
Ajo i drejtohet Ipeshkvijve, klerit dhe besimtarëve të mbarë botës, si dhe “të gjithë njerëzve vullnetmirë”, sepse Kisha duhet të shikojë një botë pa kufij dhe pa “blloqe”, pasi ajo nuk i përket as Perëndimit dhe as Lindjes.
Pacem në Terris përbën një kthesë jashtëzakonisht të fortë në një botë të dominuar nga Lufta e Ftohtë dhe e ndarë midis kapitalizmit dhe socializmit dhe flet për “pothuajse pamundësinë e përdorimit të luftës” dhe pohon me vendosmëri pamundësinë e ekzistencës së një “lufte të drejtë”.
Argumenti zhvillohet në tre nivele të ndërlidhura:
- marrëdhëniet mes qytetarëve dhe autoriteteve politike;
- marrëdhëniet mes bashkësive politike;
- marrëdhëniet e qytetarëve dhe të bashkësive kombëtare me bashkësinë botërore.
Thelbi i enciklikës është afirmimi i një rendi të drejtë të dashur prej Zotit, i qendërzuar në dinjitetin e njeriut dhe i pasqyruar gradualisht në histori nga evolucioni i institucioneve njerëzore.
Pas përcaktimit të të drejtave themelore të njeriut, nga ato bazë (ushqimi, veshmbathja, strehimi, pushimi, kujdesi mjekësor) deri te “të drejtat me përmbajtje politike” si, e drejta per jeten, per formimin kulturor, asociacionizëm, per lirine e fese etj, dhe detyrat përkatëse, dokumenti përshkruan një sistem marrëdhëniesh midis bashkësive politike bazuar në barazinë e tyre “për nga dinjiteti i natyrës”, në të drejtën e tyre për një ekzistencë të pavarur, në mbrojtjen e pakicave, në pranimin e refugjatëve politikë, në solidaritetin dhe besimin e ndërsjellë si alternativa e vetme e mundshme kundër garës së armatimit, konvencional dhe bërthamor.
Nga kjo rrjedh profili i një rendi juridik dhe politik global që përkon me “të mirën e përbashkët universale” dhe që kërkon “pushtete publike” të përshtatshme, të krijuara me miratimin e të gjithëve dhe që synojnë njohjen, respektimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, pa lënë jashtë parimin e subsidiaritetit.
Në pjesën baritore, enciklika thekson detyrën për të marrë pjesë aktivisht në jetën publike dhe bashkëpunimin e mundshëm mes katolikëve dhe jokatolikëve në nivel ekonomik, social dhe politik.
E donim këtë konferencë për shtyp sot, sepse situata botërore që po përjetojmë meriton të marrë shumë prej këtij dokumenti shumë të rëndësishëm për të reflektuar seriozisht për rëndësinë e paqes dhe për mjetet e nevojshme për ta arritur atë, pasi mjetet e luftës mund të vendosin vetëm një drejtësi të supozuar.
Lidhur me këtë, është mirë të kujtojmë se kjo Enciklikë pati një jehon shumë pozitive. Dhe Organizmat Kombëtarë dhe Mbikombëtarë e vlerësuan shumë, siç ishte rasti i Kremlinit, i cili, përveçse e vlerësoi atë, e përktheu edhe në rusisht.
Por, përtej përhapjes së trishtueshme dhe të mjerueshme të luftës në vende të ndryshme të botës, siç është ajo që ende vazhdon në Ukrainë, Enciklika është e rëndësishme sepse identifikon ato situata të padrejtësisë sociale që çojnë në konflikte dhe ofron sugjerime të rëndësishme për t’u dhënë fund luftave, duke pohuar fort se paqja midis popujve ndertohet mbi 4 shtylla: e verteta, drejtesia, dashuria dhe liria.
Kështu, ndërsa kujtojmë 60-vjetorin e shpalljes së Enciklikës, duam gjithashtu ta kthejmë atë në vëmendjen e atyre që janë caktuar për t’i shërbyer kombit tonë dhe, siç tha Papa Gjoni XXIII, të gjithë burrave dhe grave vullnetmirë të vendit tonë, që po përjeton një moment historik tensionesh të mëdha dhe që meriton t’i përballojë ato në mënyrën më të mirë të mundshme.
I rikthehemi me forcë temës së nevojës për një bashkëpunim të plotë dhe efektiv midis institucioneve dhe popullatës përmes dialogut konstruktiv, që mundëson zgjidhje të përbashkëta dhe pjesëmarrëse dhe, në këtë mënyrë, toka jonë të përjetojë një kohë paqeje të vërtetë sociale.
Ne fund: fjalët e Papës Pio XII, fq 66: “Asgjë nuk humbet me paqen. Gjithçka mund të humbet me luftën”.
Teksti i enciklikës është përkthyer edhe në gjuhën shqipe dhe është i disponueshëm në format letre në Kurien tonë dioqezane dhe në format elektronik në faqen e Arqipeshkvisë në adresën: https://kishakatolikeshkoder.com/dokumentet-e-kishes- katolike/