Imzot Gallagher: të përfundojë lufta, edhe nëse nuk do të jetë fundi i përfytyruar nga Zelensky ose Putin
R.SH. / Vatikan
“Të gjithë jemi të etur për paqen, por kjo paqe nuk mund të arrihet nëse nuk ndiqen rrugët e pajtimit”. Kështu u shpreh imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, gjatë konferencës “Diplomacia dhe Ungjilli”, mbajtur në bashkinë e kryeqytetit Vaduz, në Lihtenshtajn, ku është për vizitë këto ditë.
Përballë kërcënimit të luftës në Evropë, asgjë nuk mund të merret si e sigurt
Imzot Gallagher flet për diplomacinë papnore të frymëzuar nga Ungjilli dhe, si pasojë, gjithmonë në favor të paqes dhe të dinjitetit njerëzor, duke pasur si fill të kuq mëshirën. Përmend, në vijim, me shqetësim të thellë, luftën në Ukrainë. Tani që edhe Evropa e ndjen më shumë se kurrë kërcënimin kundër paqes, e plagosur nga lufta tragjike e sulmit të Rusisë mbi trojet e torturuara të Ukrainës, nuk mund të jetë më e sigurtë për asgjë - vëren prelati. Rikujton kështu mësimin e vazhdueshëm të Ungjillit, i cili të edukon, si askush tjetër, me artin e lëvizjes drejt paqes, duke 'i nxjerrë', si të thuash, individë, kombe, popuj nga spiralja e luftës, e inatit dhe e urrejtjes, për t’u prirë në rrugën e dialogut dhe kërkimit të së mirës së përbashkët.
Mungojnë ende kushtet për ndërmjetësimin e paqes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës
Imzot Gallagher nënvizon me forcë se "diplomacia papnore nuk ka interesa pushteti: as politik, as ekonomik, as ideologjik". Sepse - saktëson - nuk është diplomaci si ajo e shteteve të veçanta, që kujdesen për interesat e tyre, por i shërben së mirës së përbashkët. Prandaj, Selia e Shenjtë mund t’i paraqesë "me liri të madhe njërës palë, arsyet e tjetrës dhe t'i shpjegojë secilës rreziqet që këndvështrimi i njëanshëm mund të sjellë për të gjithë". Në situatën emergjente të pandemisë apo të konfliktit në Ukrainë, Papa Françesku konsiderohet më shumë se kurrë nga të mëdhenjtë e botës si autoritet moral dhe pikë e dukshme referimi, aq sa të kërkojnë ndërhyrjen dhe ndërmjetësimin e Atit të Shenjtë, nga që e njohin thirrjen e tij si Papë, si urë, për të kapërcyer barrierat, përndryshe të pakapërcyeshme. "Fatkeqësisht - ankohet Gallagher - me gjithë përpjekjet e Atit të Shenjtë dhe të Selisë së Shenjtë, ende nuk është hapur një spirale e dobishme për të favorizuar ndërmjetësimin për paqe ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës".
Diplomacia papnore dhe respektimi i të drejtave të njeriut
Përballë një tipologjie të larmishme luftërash (të drejtpërdrejta - si ajo në Ukrainë - luftëra me prokurë, luftëra civile, luftëra hibride, luftëra të ngrira dhe të shtyra, të cilat së shpejti bëhen konflikte transnacionale), Imzot Gallagher saktëson arsyet për ato që duken si dështime të veprimtarisë diplomatike. "Ndonjëherë - shpjegon - situata gjeopolitike është aq e diferencuar dhe e polarizuar, plot me këputje të të gjitha lidhjeve, saqë çdo ripërshtatje bëhet jashtëzakonisht e vështirë. Të mos harrojmë, pra, se shpesh janë flukset e parave dhe armëve ato që mbështesin dhe ushqejnë konfliktet. Si është e mundur të pretendohen sjellje korrekte nëse ne vazhdojmë t'i furnizojmë palët në konflikt me armë?". Në këtë drejtim, Selia e Shenjtë mbështet një diplomaci që duhet të rizbulojë rolin e saj si bartëse solidariteti ndërmjet individëve dhe popujve e si alternativë ndaj armëve, dhunës dhe terrorit. Diplomaci, e cila nxit dialogun, bashkëpunimin dhe pajtimin, që zënë vendin e pretendimeve të ndërsjella, kundërshtimeve vëllavrasëse, idesë për t’i parë të tjerët si armiq ose për ta refuzuar totalisht tjetrin”.
Kthim në themelet e Deklaratës Universale të 75 viteve më parë
Sfida, vijon diplomati i Vatikanit, është gjithmonë të kontribuojmë për mirëkuptim të ndërsjellë ndërmjet atyre që rrezikojnë të paraqiten si dy pole të kundërta. Dhe - shton ai - universiteti është një vend i privilegjuar për edukimin me kulturën e paqes. Pak muaj përpara 75-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut (10 dhjetor), Gallagher kujton se Kisha është në krye të angazhimit, jo vetëm për respektimin e të drejtave 'politike dhe civile' të njeriut, por edhe për ato 'ekonomike, sociale dhe kulturore' të cilat janë pohuar njëkohësisht në Deklaratën Universale të cituar. Në një botë ku shkeljet e të drejtave të njeriut janë shpesh të vazhdueshme dhe serioze, Kisha na fton të njohim ndërvarësinë e popujve si parakusht për frymën e vëllazërimit. Nëse kjo do të arrihej plotësisht, trashëgimia e të drejtave të njeriut, të cilën bashkësia ndërkombëtare e shpalli solemnisht shtatëdhjetë e pesë vjet më parë si themel i një rendi të ri, pas tmerreve të luftës, mund të jetë gjithashtu sot një pikë referimi për bashkësinë ndërkombëtare.
E nevojshme, një reformë më përfaqësuese e OKB-së
Në vend të kësaj, kriza e luftës në Ukrainë - theksoi kryeipeshkvi - krijoi "krizën e thellë të sistemit shumëpalësh dhe të organizatave të mëdha, veçanërisht të Kombeve të Bashkuara". Imzot Gallagher paralajmëron: "Sa e nevojshme është një reformë e funksionimit të kësaj organizate në mënyrë më përfaqësuese, që të ketë parasysh nevojat e të gjithë popujve! Prandaj - kujton - kemi nevojë për mbështetjen e gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe rikthimit të “frymës së Helsinkit".
Nën shenjën e mëshirës, të pushojë lufta në Ukrainë
Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet nuk lë pa përmendur rrezikun që Evropa "të bëhet gjithnjë e më shumë trup - në dukje, ndoshta, i organizuar mirë dhe shumë funksional - por pa shpirt; gjë që është në kontrast të thellë me identitetin real të Evropës, të pasur me histori, traditë dhe humanizëm”. Një aspekt që ka të bëjë me respektimin e dinjitetit të njerëzve. Së fundi, Gallagher ndalet në faktin se përgjegjësia politike duhet jetuar “nën shenjën e mëshirës, si formë e lartë bamirësie”. Në këtë sfond, shprehet - "nuk mund të dorëzohemi para faktit se lufta në Ukrainë mund të vazhdojë për një kohë të gjatë, me pasoja tragjike dhe të paimagjinueshme". E pas këtij pohimi, nënvizon: “Edhe nëse tani për tani nuk duket se ka ndonjë dëshirë për negociata të mundshme, ne nuk duhet ta humbasim kurrë shpresën e, veçanërisht ne, besimtarët në Krishtin, duhet ta mbajmë të gjallë idealin e paqes dhe të besimit në Zotin, që kjo luftë të përfundojë, edhe nëse nuk do të jetë fundi që përfytyrojnë Presidenti Zelensky a Presidenti Putin. Ne duam të gjithë një paqe të drejtë, por një paqe që duhet të vijë. E, për ta bërë këtë, nëse është e nevojshme, duhet të nisim të "mendojmë të pamendueshmen”: “paqen konkrete, të ndryshueshme, në zhvillim, në mënyrë që të jetë hallkë e një procesi të ri virtuoz ndërmjet palëve në konflikt dhe jo thjesht përfundim me fitimtarë e të mundur".