Fshati për Tokën, popull që krijon vëllazërim në një botë të ndërlidhur
R.SH. – Vatikan
Edicioni i tetë i “Fshatit për Tokën” kthehet në Romë, pas pauzës së imponuar nga pandemia. Në Ditën Botërore të Tokës, që kremtohet më 22 prill, do të mbahen veprimtari të shumta kudo, duke filluar nga 21 e deri më 25 prill.
Një miliard njerëz, në 192 vende të botës
Dita e Tokës është ngjarja më e madhe në favor të ambientit në gjithë planetin, e vetmja në të cilën qytetarët e botës mblidhen për të kremtuar Tokën dhe për të promovuar mbrojtjen e saj. Dita e Tokës, dëshiruar nga senatori amerikan Gaylord Nelson dhe promovuar që më parë nga presidenti John Fitzgerald Kennedy, mobilizon çdo vit deri në një miliard njerëz, në 192 vende të botës. Kombet e Bashkuara e kremtojnë atë një muaj e dy ditë pas ekuinoksit të pranverës, pra, më 22 prill.
Kërkohen zgjidhje, që eliminojnë pasojat negative
Kjo Ditë filloi të kremtohej më 22 prill 1970 për të nënvizuar nevojën e ruajtjes së burimeve natyrore të globit. Si lëvizje universitare, me kalimin e kohës, Dita e Tokës u shndërrua në ngjarje edukative dhe informuese. Grupet ambientale e përdorin si mundësi për të vlerësuar problemet e planetit: ndotjen e ajrit, të ujit dhe të tokës, shkatërrimin e ekosistemeve, zhdukjen e mijëra specieve bimore e shtazore dhe shterimin e burimeve jo të rinovueshme. Kërkohen zgjidhje, që eliminojnë pasojat negative të veprimtarive njerëzore, si riciklimi i materialeve, ruajtja e burimeve natyrore si nafta dhe gazi fosil, ndalimi i përdorimit të kimikateve të dëmshme, ndalimi i shkatërrimit të pyjeve të lagështa dhe mbrojtja e specieve të kërcënuara.
Për herë të parë në vitin 1962
Ideja e themelimit të "Ditës së Tokës" u diskutua për herë të parë në vitin 1962. Në ato vite, protestat kundër Luftës së Vietnamit ishin në rritje dhe senatori Nelson doli me idenë e organizimit të një "leksioni publik" për çështjet e ambientit. Nelson arriti të përfshijë edhe eksponentë të njohur të botës politike si Robert Kennedy, i cili në vitin 1963 udhëtoi nëpër 11 shtete të vendit, duke mbajtur një sërë konferencash kushtuar çështjeve mjedisore.
Së fundi, Dita e Tokës mori formë në vitin 1969 pas katastrofës së shkaktuar nga derdhja e naftës në pusin “Union Oil” pranë Santa Barbara-s, në Kaliforni. Atëherë, senatori Nelson vendosi se kishte ardhur koha për të përfshirë gjithë opinionin publik dhe botën politike në çështjet e ambientit. “Të gjithë njerëzit, pavarësisht nga përkatësia etnike, gjinia, të ardhurat apo prejardhja gjeografike, kanë të drejtën për një ambient të shëndetshëm, të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm”.
"Gjenerata e Gjelbër"
Më 22 prill 1970, të frymëzuar nga ky parim, 20 milionë qytetarë amerikanë u mobilizuan për një demonstratë në mbrojtje të Tokës. Grupet, që individualisht kishin luftuar kundër ndotjes nga lëndët djegëse fosile, nga fabrikat dhe termocentralet, kundër keqpërdorimit të mbetjeve toksike, pesticideve, kundër shkretimit dhe zhdukjes së kafshëve të egra, e kuptuan se duhej të luftonin së bashku për këto vlera. Mijëra kolegje dhe universitete organizuan protesta kundër degradimit të ambientit: që atëherë, më 22 prill kremtohet Dita e Tokës, Earth Day.
Me kalimin e viteve, pjesëmarrja ndërkombëtare në Ditën e Tokës është rritur, duke e kapërcyer shifrën e një miliard njerëzve në mbarë botën, ndërmjet të cilëve aktorë e personalitete të shquara: është afirmimi i së ashtuquajturës "Gjeneratë e Gjelbër", që punon për një të ardhme pa energji nga lëndët djegëse fosile, në favor të burimeve të rinovueshme, të përgjegjësisë individuale për konsum të qëndrueshëm, të zhvillimit të ekonomisë së gjelbër dhe të sistemit arsimor të vëmendshëm ndaj çështjeve mjedisore.
Dita e Tokës me Papën Françesku
Ndërkaq, Lëvizja kishtare e Fokolarinëve, në bashkëpunim me Earth Day Italia, organizon prej kohësh “Fshatin e Tokës” dhe maratonën multimediale #OnePeopleOnePlanet, me 16 orë transmetim të drejtpërdrejtë, që mund të shihet në RaiPlay dhe në You Tube të Vaticannews.va. Në vitin 2016, edicioni i parë i Fshatit të Tokës, organizuar nga këto dy realitete në Villën Borghese të Romës, u nderua nga prania e Papës Françesku, i cili e përuroi dhe e bekoi nismën. “Përpara të gjithë për të punuar së bashku – i pati nxitur pjesëmarrësit Ati i Shenjtë. – Të respektojmë njëri-tjetrin e tokën! E kështu, do ta shohim mrekullinë e shndërrimit të shkretëtirës në pyll”.
Manifestimi dhe objektivat e tij
Në mikrofonin e Radio Vatikanit – Vatikan News, bashkëthemeluesja e “Fshatit të Tokës”, Antonia Testa, shpjegon manifestimin dhe objektivat e tij…
“Fshati për Tokën” dëshiron të jetë një përvojë, një dëshmi dhe një shpresë. Një përvojë, që lindi nga një bashkëpunim, nga një takim ndërmjet dy realiteteve në dukje shumë të ndryshme, Earth Day Italia dhe Lëvizjes Fokolarine. Një takim, që çoi në krijimin e një "strumbullari", rreth të cilit u lidhën më shumë se 350 shoqata: sipërmarrës, politikanë, institucione, organizata - as nuk e dimë se sa - por është një ngjarje në të cilën secili sjell përvojën e vet, punën, talentet, perspektivat dhe prej andej, lindin sinergji. Është edhe shpresë, sepse në tranzicione kaq delikate si ato që po përjeton tani njerëzimi, kemi nevojë të provojmë të bukurën, pozitiven, atë energji, që e bën zemrën të hovë dhe na orienton drejt horizonteve më të gjera.
Nga përvoja e Fshatit të Tokës kanë lindur edhe projekte. Jo më shumë se para një muaji isha në Burundi, për një nismë të bukur marrëdhëniesh ndërmjet dy brezave: të moshuarve dhe të rinjve. Por kanë lindur sinergji edhe ndërmjet sportistëve dhe rinisë, ose rrjete të tëra ndërkombëtare si Youth4Climate, etj.. Kërkojmë hapa konkrete nga bota e edukimit, por sidomos nga politikanët, që të marrin vendime të guximshme, pasi pika nga e cila nuk do të mund të kthehemi më mbrapsht, po afrohet me shpejtësi.