Fjala e Zotit e së dielës II të Pashkëve, festa e Mëshirës Hyjnore
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj rradhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së dytë të Pashkëve, të ciklit të parë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të të Pashkëve e festës së Mëshirës Hyjnore
Me këtë të Diel përfundon Tetëditshi i Pashkëve, si të ishte një ditë e vetme, e bërë nga Zoti, përplot me frymën e Ngjalljes së Jezusit dhe të gëzimit të dishepujve, që shohin Jezusin e Gjallë. Që nga lashtësia, kjo e dielë njihet me emrin ‘in Albis”, ‘e Diela e Bardhë’. Gjon Pali II ia kushtoi këtë të dielë Mëshirës Hyjnore, me rastin e shenjtërimit të motër Maria Faustina Kovalskës, më 30 prill të vitit 2000
Leximet biblike të lirugjisë së Fjalës së Zotit na ftojnë të vijojmë reflektimin tonë mbi misterin e Pashkëve, mbi misterin e mundimeve, të vdekjes e tё Ngjalljes së Jezu Krishtit, që është qendra dhe zemër e krishterimit.
Ungjillit i shën Gjonit (20,19-31) na rrëfen sesi Jezusi, pas Ngjalljes, i vizitoi dishepujt e tij, mbledhur në Çenakull, në sa dyert ishin të mbyllura, prej frikës së judejve. Shën Agostini shpjegon se “portat e mbyllura nuk e penguan hyrjen e atij korpi, në të cilin banonte hyjnia”.
Jezusi u tregon dishepujve shenjat e mundimeve, duke e lejuar Tomën, që nuk beson, t’ia prekë plagët. E, duke ndjekur Tomën në mosbesimin e tij, nuk mund të mos pyesim: “Si është e mundur që një dishepull të dyshojë?”. Shenjat e kryqëzimit të cilat, sipas tregimit të ungjilltarit, dalloheshin qartë në Korpin e lumnuem të Krishtit të Gjallë. Këto plagë të shenjta, ndër duar, ndër këmbë e në kraharor të Jezusit, janë edhe për ne të gjithë burim i pashterrshëm feje, shprese e dashurie, posaçërisht për shpirtrat që kanë më shumë etje për Mëshirën Hyjnore. Në të vërtetë mirëdashja hyjnore na lejon të përfitojmë edhe nga mosbesimi i Tomës, përveçse nga qëndrimi i dishepujve besimtarë. Duke i prekur plagët e Jezusit të Ngjallur Zot, dishepulli që ngurron, Toma, shëron jo vetëm mosbesimin e vet, por edhe tonin.
Vizita e Jezusit të Ngjallur nuk kufizohet në hapësirën e ngushtë të Çenakullit, por shkon shumë më përtej, në mënyrë që të gjithë të mund të marrin dhantinë e paqes e të jetës, me ‘Frymën krijuese’. Në të vërtetë Jezusi, dy herë me radhë u tha dishepujve: “Paqja me ju! e shtoi: “Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju”. Ky, pra, është misioni i Kishës, që asistohet përjetësisht nga Ngushëlluesi: t’ua çojë të gjithë njerёzve lajmin e gëzueshëm, realitetin gazmor të dashurisë përdëllyese të Zotit, me qëllim që – siç thotë Shën Gjoni – “të besojnë se Jezusi është Krishti, Biri i Hyjit e që, duke besuar, të kenë jetë, në emër të tij”.
Pra, me pak fjalë, leximet e kësaj së diele na ofrojnë e na ftojnë të ndalemi tek frytet e Krishtit të Ngjallur: Leximi Parë na flet për lindjen e tiparet e bashkësisë së parë të krishterë të apostujve e të anëtarëve të parë, ndërsa Ungjilli i kësaj së diele na tregon për dhuratën e Krishtit të Gjallë, paqen dhe për vështirësinë e të besuarit të Tomës në Krishtin e Gjallë.
Liturgjia e Fjalёs sё Zotit
Leximi i parë (Vap 2, 42-47)
Lexim prej Veprave të Apostujve
Vëllezërit ishin vazhdimisht të kujdesshëm për ta përvetësuar mësimin e apostujve dhe nuk mungonin në mbledhjet vëllazërore, në ndarjen e bukës e në uratë.
Një frikë e madhe pushtonte çdo njeri: apostujt bënin shumë mrekulli dhe shenja të bindshme. Të gjithë ata që besuan, qëndronin së bashku dhe gjithçka kishin të përbashkët. Shitnin prona dhe pasuri që kishin dhe ua ndanin të gjithëve si kush kishte nevojë. Për çdo ditë shkonin së bashku e rregullisht në Tempull, në shtëpi ndanin bukën dhe me hare e me thjeshtësi ushqeheshin të gjithë së bashku. I jepnin lavdi Hyjit e mbarë populli i kishte fort për hir. Vetë Zoti çdo ditë i shtonte bashkësisë asish që shëlbohen. Fjala e Zotit
Psalmi 118 (117)
Ref: I kemi medituar, o Zot,
veprat e tua të madhwrueshme.
____________________________________________
Lavdërojni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e përjetshme është dashuria e tij!
Le të thotë tashti Izraeli: Zoti është i mirë,
e përjetshme është dashuria e tij!
_____________________________
Le të thotë tani shtëpia e Aronit,
e përjetshme është dashuria e tij!
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin,
e përjetshme është dashuria e tij!
________________________________
Më shtytën, më dhanë shtytje për të më rrëzuar,
por më përkrahi ndihma e Zotit.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti,
Ai është shpëtimtari im.
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi
në tendat e të drejtëve.
_____________
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit,
erdhi e u bë guri këndit;
Zoti e bëri këtë gjë:
sa mrekulli për sytë tanë!
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti:
të galdojmë e të gëzojmë në të!
_____________
Leximi i dytë (1 Pjt 1, 3-9)
Lexim prej Letrës së parë të shën Pjetrit apostull
Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na rilindi me anë të mëshirës së vet të pakufi në saje të ngjalljes prej të vdekurish të Jezu Krishtit, për shpresën jetësore, për trashëgim të pashkatërrueshëm, të panjollë e të pavyshkshëm që e ruajti për ju në qiell; për ju që jeni të ruajtur me fuqinë e Hyjit në saje të fesë për shëlbim që është gati të zbulohet në kohën e fundit.
Këndej gëzoheni edhe pse, në qoftë se duhet, për pak kohë jeni të trishtuar për shkak të provave të ndryshme, që feja juaj e sprovuar – shumë më e çmueshme se ari i shkatërrueshëm, që edhe ai sprovohet në zjarr – të fitojë lëvdatë, nder dhe lavdi në ditën e zbulesës së Jezu Krishtit: Atë e doni edhe pse nuk e patë, në Atë besoni edhe pse ende nuk e shihni; dhe galdoni me gëzim të patregueshëm dhe të lavdishëm, që ia rritët qëllimit të fesë suaj: shëlbimit të shpirtit. Fjala e Zotit
ALELUJA, Aleluja.
Pse po më sheh, o Tomë, po beson.
Lum ata që nuk panë e besojnë!
Aleluja.
Ungjilli (Gjn 20, 19-31)
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në mbrëmje po të asaj dite – të parën ditë të javës – ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Mandej u tha prapë: “Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.”
Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.”
Porsi Toma, njëri prej të dymbëdhjetëve, ai që quhet Binjak, nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. I thanë, pra, nxënësit tjerë: “E pamë Zotërinë!”
Toma u përgjigji: “Pa e parë në duar të tija vragën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdave; pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.”
Mbas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Mandej i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”
Toma i përgjigji: “Zotëria im dhe Hyji im!”
Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!”
Jezusi bëri ndër sy të nxënësve të vet edhe shumë mrekulli tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij. Fjala e Zotit!
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
E DIELA II E PASHKËS: ZURI VEND MIDIS TYRE.
(Vap 2, 42-47; Ps 118 (117); 1 Pjt 1, 3-9; Gjn 20, 19-31)
Pyetjes se cila është dhurata e parë e Jezusit të Ngjallur, pothuajse të gjithë i përgjigjen gabim. Të gjithë thonë: «Paqja», duke qenë se fjala e parë që Jezusi i Ngjallur u thotë apostujve, është «Paqja me ju!». Por kjo është fjala e parë, jo gjesti i parë. Gjesti i parë që Jezusi bën në mbrëmjen e ditës kur Ai, i Ngjallur, u shfaqet apostujve, tregohet nga ky rresht: «… erdhi Jezusi, zuri vend në midis tyre dhe u tha…». Pra, para se të fillojë të flasë me gojë, Jezusi flet me trupin e Tij. Ungjilli nuk thotë: «erdhi Jezusi dhe tha…», por me dashje tregon edhe gjestin që bën para se të flasë: «zuri vend midis tyre».
Mund ta imagjinojmë skenën sa tronditëse, aq edhe të mbushur me gjallëri për zemrat e apostujve të frikësuar e të trishtuar: Jezusi u shfaqet dhe, pa folur asnjë fjalë, shkon e zë vend në mes të tyre. E gjithë kjo skenë shoqërohet nga shikimet patjetër të zgurdulluara të dhjetë apostujve aty të pranishëm. Si pasojë, kur Jezusi gjendet në mesin e tyre, bën që sytë e tyre të kenë një pikë të përbashkët shikimi. Jo një pikë të përbashkët diku përballë të gjithëve, por në mesin e një rrethi (mbase pak të çrregullt) njerëzish. E gjithë kjo na mëson se dhurata e parë që i Ngjalluri u jep atyre është pikërisht BASHKËSIA. Krijon bashkësinë, atë bashkësi të cilën, pastaj, do ta forcojë e do ta mbajë me paqen e tij («Paqja me ju!») dhe me fuqinë e Shpirtit Shenjt («Merrni Shpirtin Shenjt!»). Kësaj bashkësie të brishtë, por të krijuar prej tij, Ai pastaj i jep edhe pushtetin që të falë, apo të mos falë, mëkatet: në një botë të mbushur me egoizëm e materializëm, Jezusi krijon këtë bashkësi (Kishën e tij) për t’i lënë botës udhën e vetme në të cilën mund të takojë të Ngjallurin dhe ku mund të fitojë faljen e mëkateve.
Në leximin e parë dëgjuam një pjesë shumë të bukur të shkëputur nga Veprat e Apostujve, në të cilën përblidhet në fare pak rreshta jeta e bashkësisë së parë të krishterë. Flitet aty për një bashkim e dashuri të pashoqe që mbizotëronte në mes të apostujve dhe të të krishterëve të parë: «Të gjithë ata që besuan, qëndronin së bashku dhe gjithçka kishin të përbashkët.» Bashkëndarja arrinte deri aty saqë ata «shitnin prona e pasuri që kishin dhe ua ndanin të gjithëve si kush kishte nevojë». Bashkoheshin rregullisht në lutje e në «ndarje të bukës», pra në kremtimin e Eukaristisë. E pasoja e mrekullueshme ishte se «… mbarë populli i kishte fort për hir». Tertuliani, njëri prej etërve të Kishës që jetoi mes shekujve të dytë e të tretë, dëshmon se paganët thoshin plot admirim për të krishterët: «Shihni se sa fort e duan njëri-tjetrin!». Kjo do të thotë se, kur bashkësia e krishterë është realisht e tillë, pra e bashkuar përreth Krishtit të Ngjallur, nuk mund të kalojë pa u vënë re nga bota. «M’i jepni dhjetë njerëz krejtësisht të shkëputur nga vetvetja për dashuri të Krishtit e unë me ta do të shndërroj botën.», thoshte Shën Filip Neri në shekullin XVI, i vetëdijshëm për forcën e papërmbajtshme që fsheh në vetvete një bashkësi e tillë.
E, në fakt, fiks dhjetë ishin apostujt atë mbrëmje. Mungonin dy prej tyre: Juda, i munduar nga trishtimi për tradhëtinë e bërë kundër Jezusit, bëri vetëvrasje, kurse Toma apostull nuk dihet pse, por atë ditë mungonte. E, kur apostuj e tjerë i thanë se e kishin parë Jezusin e Ngjallur, ai nuk u kishte besuar: «Pa e parë në duart e tij vragën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdave; pa e shtjerë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.» Prandaj, pikërisht për ta forcuar këtë bashkësi fillestare, Jezusi vendosi t’i shfaqej edhe një herë aspostujve tetë ditë pas asaj shfaqjeje të parë.
Toma ka kaluar gabimisht në histori si një njeri dyshues: «Je si Sh’Toma!», është bërë edhe si punë shprehjeje që u themi atyre që nuk besojnë pa parë. Por, në fakt, Toma apostull ishte njeri shumë i vendosur. Në Ungjillin e Gjonit thuhet se, kur Jezusi vendosi të kthehej përsëri në Jude dhe se disa apostuj ia kundërshtuan këtë vendim duke ia kujtuar se para pak kohësh judenjtë kishin tentuar ta vrisnin, Toma reagoi prerazi: «Të shkojmë edhe ne të vdesim bashkë me të!»
Ai është i gatshëm ta jepte jetën për Jezusin, por dëshironte të sigurohej për Ngjalljen e Tij e kjo është një sfidë të cilën Jezusi duket sikur e pranon. Ose më saktë: Jezusi përfiton nga kjo lëkundje e njërit prej aspotujve, për të dhënë një mësim që do t’i shërbejë Kishës së shekujve në vazhdim. Kështu pra, tetë ditë pas së shfaqurës së parë, Jezusi u shfaqet përsëri apostujve dhe përsëri bën të njëjtin gjest bashkimi dhe përsëri u dhuron paqen. Pastaj fton Tomën që t’ia prekë plagët e Tij. “Rastësisht” Toma është bërë shkaku që neve të na tregohet se Jezusi kishte edhe pas Ngjalljes shenjat e gozhdave që i kishin shporuar duart e këmbët dhe se kishte edhe kraharorin ende të shporuar. Është e vetmja pjesë e Shkrimit Shenjt që na e tregon këtë.
«Zotëria im dhe Hyji im!», thotë Toma, i prekur thellë në shpirt, kur e prek Jezusin dhe plagët e Tij, i bindur tashmë se ka përballë po atë Jezus që para pak ditësh e kishte parë të kryqëzuar. E Jezusi i thotë: «[Tomë] pse po më sheh, po beson? Lum ata që nuk panë e besojnë!». Ky nuk është qortim, por ftesë për t’u rritur edhe më shumë në fe. E është një ftesë që i bëhet të krishterëve të të gjitha kohëve. Shën Pjetri në leximin e dytë u thotë të krishterëve të parë plot gëzim: «Atë e doni edhe pse nuk e patë, në Atë besoni edhe pse ende nuk e shihni.» Me Krishtin e Ngjallur na lidhin jo shqisat e trupit, por fuqia e fesë së gjallë.
Megjithatë, nuk besoj se është e drejtë të ngutemi e të dalim në përfundimin se Jezusi dashka që popujt t’i afrohen Atij pa kurrfarë “prove”. Përvoja vetë e tregon se, të gjithë ata që dëshmojnë se besojnë në Krishtin, nuk mund të rrijnë pa pohuar edhe se nuk besojnë vetëm ngaqë kështu u është mësuar nga të tjerët, por edhe ngaqë edhe ata vetë e kanë ndjerë forcën e Krishtit të Ngjallur në jetën e tyre. E, këta njerëz, nuk ka asgjë në botë që t’i tundë nga kjo bindje. As provat më të thekta të jetës, as shkandujt më të rëndë, as përndjekjet më mizore. Efektet e Ngjalljes së Krishtit nuk janë shuar e nuk kanë për t’u shuar kurrë, por vazhdojnë ende në histori e do të vazhdojnë deri në fundin e kohëve. Por duke thënë «Lum ata që nuk panë e besojnë!» Jezusi e fton Tomën dhe ne që të mos përdorim vetëm sytë e trupit për të parë efektet e Ngjalljes së Tij, por të dimë të lexojmë shenjat e kohës e të kapim me sytë e shpirtit tonë praninë e Tij në mes nesh.
Tashmë është bërë “zyrtare” në Kishë që në këtë të diel të dytë të Pashkës të përkujtohet Mëshira Hyjnore. Vetë Jezusi, duke iu shfaqur Shenjtës Faustina Kovalskës në vitin 1931 në Poloni, i kërkoi asaj që Kisha ta caktonte zyrtarisht një gjë të tillë. Jezusi i kërkoi që të punohej ajo fugurja e famshme e Mëshirës Hyjnore të cilën të gjithë e njohim. Pastaj Jezusi i kërkoi edhe që në mbarë botën të flitej në këtë ditë për Mëshirën e pakufi që Hyji ka ndaj njerëzimit. Jezusi ka dashur kështu të na e bëjë edhe më të qartë se krijimi i bashkësisë, dhurata e Paqes, dhënia e Shpirtit Shenjt, pushteti i dhënë Kishës për të zgjidhur apo jo mëkatet, takimi i Tij me ata që janë ende në kërkimin e Tij si Toma dhe vazhdimi i efekteve të Ngjalljes së Tij, janë të mundura vetëm falë Mëshirës së Tij të pakufi. Asgjë nuk do të mund të na nxjerrë nga Zemra e Tij e dashur që është shporuar në kryq për ne.
Prandaj, për ta ftuar njeriun të ketë besim në Mëshirën e Tij, një herë Jezusi i kishte thënë Shenjtes Faustinë: «Më kënaqin shpirtrat që e kërkojnë mëshirën time. Këtyre shpirtra u jap shumë më shumë mëshirë, sesa ata vetë më kërkojnë. As mëkatarin më të madh unë nuk mund ta ndëshkoj, nësi ai i drejtohet mëshirës sime.»
Ditën kur u Ngjall, Jezusi do të mund të qëndronte përballë apostujve që e braktisën dhe të paktën t’u thoshte: «Ku ishit ju? Pse më latë vetëm? A nuk ju pata thënë?» Por jo, Ai e anashkaloi brishtësitë e tyre dhe «zuri vend në midis të tyre dhe u tha: “Paqja me ju!”». Mëshira Hyjnore ishte përpara syve të tyre. Po u fliste dhe po zbrazej mbi ta. Shenjtes polake që përmendëm më sipër, Jezusi i thoshte: «Oh, sa më djeg zjarri i mëshirës sime dhe dëshiroj që ta zbraz atë mbi shpirtrat e njerëzimit! E çfarë dhimbjeje më japin ata kur nuk e pranojnë mëshirën time!»
Dom Dritan Ndoci