Feja e arsyeja, konfrontim ndërmjet mendimtarësh. Staglianò dhe Odifreddi në dialog
R.SH. – Vatikan
"Dialog ndërmjet mendimtarëve" dhe jo ndërmjet një njeriu të fesë e një matematikani, por "thjesht" ndërmjet "dy njerëzve që mendojnë". Akademia Papnore e Teologjisë e shpjegon kështu, me një deklaratë për shtyp, konfrontimin mbi fenë dhe arsyen ndërmjet ipeshkvit Antonio Staglianò, kryetar i Akademisë, dhe Piergiorgio Odifreddi-t, matematikan ateist dhe eseist, të shtunën, më 22 prill, në orën 18.30, në sallën Antonelli të Auditoriumit të Shën Domenikut në Foligno të Italisë. Korniza është ajo e Festivalit XII të Shkencës dhe Filozofisë, këtë vit kushtuar temës "Odiseu i shekullit XXI. Shkenca si mjet për të përballuar krizat globale".
Takim mbi argumentet
"Shpesh - lexohet në tekst - kur flitet për fenë dhe arsyen, supozohet se feja është automatikisht në anën e besimtarëve, ndërsa arsyeja automatikisht në anën e shkencëtarëve". Në këtë dialog, moderuar nga imzot Domenico Sorrentino, ipeshkëv i dioqezës së Foligno-s dhe i dioqezës së Asizit, Gualdo Tadino dhe Nocera Umbra, sipas organizatorëve, nuk do të jenë ballë për ballë “një ipeshkëv e një matematikan, por thjesht dy njerëz të mendimit". Kjo do të thotë se do të jenë “argumentimet dhe jo rolet e tyre, që do të vendosin në cilën anë janë feja dhe arsyeja. E, sidomos, nëse dhe si njerëzit e fesë e kuptojnë dhe e jetojnë arsyen, ndërsa shkencëtarët besimin në Zotin”. Ngjarja mund të ndiqet edhe online.