E Premtja e Madhe në Jeruzalem: në Kalvar kundrohet misteri i Kryqit
R.SH. / Vatikan
Patriarku i Jeruzalemit të Latinëve, Fortlumturia e Tij Imzot Pierbattista Pizzaballa, kryesoi kremtimin e "Mundimeve të Zotit Jezu Krisht" duke u prirë besimtarëve në lutje dhe duke i ftuar rregulltarët, shtegtarët dhe të krishterët vendas të kundrojnë drurin e Kryqit të Krishtit, për të hyrë më intimisht në misterin e Mundimeve.
Kalvari ishte ngjyrosur me të kuqe, ngjyra liturgjike e veshjeve të meshtarëve të shumtë, ngjyrë që kujton gjakun e derdhur nga Jezusi në kryq: në altarin latin, në fillim të kremtimit, u lartua relikja e Kryqit Shenjt.
Liturgjia e së Premtes së Madhe pati tre çaste kryesore: liturgjinë e Fjalës, Adhurimin e Kryqit dhe Kungimin. Leximet ishin fragmente nga Mundimet sipas Gjonit (Gjn 18,1 - 19,42), të alternuara ndërmjet tre këngëtarëve françeskanë dhe korit të Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë, shoqëruar edhe nga "Kori i Shën Angjeles", ardhur nga Budapesti. Heshtja shoqëroi dhe pasoi një nga çastet më solemne të festës, kur një këngëtar këndoi versetin e vdekjes së Jezusit përpara altarit grek, vendosur mbi shkëmbin e Kalvarit.
Pjesa e dytë e kremtimit
Në pjesën e dytë të kremtimit u paraqit Kryqi i Shenjtë për nderim nga ana e besimtarëve të pranishëm, me një rit që vijon që nga shekulli IV.
Më në fund, diakonët shkuan në Edikulën e Varrit të Shenjtë – tabernakull i së Enjtes së Madhe - për të marrë hostet e shuguruara dhe për t'i çuar në procesion drejt Golgotës. Pas Atynës, besimtarët u ushqyen me Misterin e Kryqit nëpërmjet kungimit me Trupin e Zotit. Në fund të kremtimit, gjithnjë tek Varri i Shenjtë, fretërit françeskanë u mblodhën për Udhën tradicionale të Kryqit, të udhëhequr nga Rojtari i Tokës së Shenjtë, fra Françesk Patton. Udha e Kryqit në Jeruzalem, në të cilin morën pjesë shumë besimtarë, është çast që ndjehet thellë, ndërsa gjunjëzohesh para stacioneve të mundimeve dhe të vdekjes së Jezu Krishtit, nga dënimi me vdekje në kryq - deri te varrimi: udha sillet rrotull Manastirit Françeskan të Rrahjes me kamzhik, përgjatë Udhës së Dhimbshme për të përfunduar në 'Anastasis, përballë Edikulës së Varrit të Shenjtë.
Gjatë këtij shtegtimi, në rrugët e qytetit të vjetër radha e gjatë e shtegtarëve të krishterë u kryqëzua me besimtarët myslimanë, të cilët ecnin në të njëjtën rrugë drejt xhamisë al-Aqsa, për lutjen e tyre rituale të xhumasë, në këtë periudhë të Ramazanit. Në mbrëmje, ende brenda në Bazilikë, u kremtua "Procesioni i varrimit": varrim i vërtetë për Jezusin, që vdiq në kryq, sipas një zakoni të lashtë që nisi në shekullin e pesëmbëdhjetë. Liturgjia u kryesua nga Rojtari i Tokës Shenjte, fra Francesco Patton, ndërsa Sekretari i Tokës së Shenjtë, fra Alberto Joan Pari, mbante kryqin mbi të cilin u gozhdua Jezusi.
Në Kalvar dy diakonë mbanin në duar kurorën e gjembave, që pati kurozuar kokën e Jezusit e edhe gozhdat, e duarve e të këmbëve. Krishti i vdekur, i shtrirë në një çarçaf, u çua më pas te Guri i Vajosjes. Atje, Rojtari i Tokës Shenjte kreu ritet e varrimit, sipas përshkrimit të Ungjijve, duke vajosur trupin e Jezusit, siç bënë Jozefi i Arimatesë dhe Nikodemi, e duke përdorur vajin dhe parfumet, bekuar në Betani, të Hënën e Madhe.
Në lutje, në heshtjen e Bazilikës, u mbyll kështu e Premtja e Madhe, në pritje të Natës së Madhe të Pashkëve të Ngjalljes, e cila, për shkak të kërkesave që lidhen me status quo-në, u kremtua në mëngjesin e së shtunës.