Kërko

Imzot Pizzaballa, askush nuk do të mund ta sundojë i vetëm Qytetin e Shenjtë

“Askush nuk do të mund ta zotërojë i vetëm Jeruzalemin”: këtë përsëriti Patriarku Latin i Jeruzalemit, Pierbattista Pizzaballa, në përfundim të procesionit të Palmave, dje pasdite, në Qytetin Shenjtë

R.SH. / Vatikan

“Askush nuk do të mund ta zotërojë i vetëm Jeruzalemin”: këtë përsëriti Patriarku Latin i Jeruzalemit, Pierbattista Pizzaballa, në përfundim të procesionit të Palmave, dje pasdite, në Qytetin e Shenjtë, duke  përshkuar rrugën nga Kisha e Betfages, në Kishën e Shën Anës, pranë Portës së Luanëve. Këtu, në oborrin e Kishës, imzot Pizzaballa u kujtoi besimtarëve të shumtë, të mbledhur për festë, se "Jeruzalemi nuk është vetëm konflikt dhe ndarje, nuk është vetëm tension politik dhe fetar, nuk është vetëm zotërim dhe përjashtim. Është kryesisht vend takimi, feje, lutjeje, gëzimi, bashkimi”.

“Javët e fundit ishim dëshmitarë të shumë episodeve të dhunës në këtë qytet, madje edhe kundër kishave dhe simboleve të krishtera - kujtoi Patriarku - Por ne nuk duhet të kemi frikë nga ata që duan të përçajnë, nga ata që duan të përjashtojnë, që duan ta zotërojnë shpirtin e këtij Qyteti të Shenjtë. Ata nuk do të kenë sukses, sepse Qyteti i Shenjtë ka qenë gjithmonë dhe do të mbetet shtëpi lutjeje për të gjithë popujt (Is 56:7), dhe askush nuk do të mund ta zotërojë atë ekskluzivisht. Siç e përsëris vazhdimisht, ne i përkasim këtij qyteti dhe askush nuk mund të na ndajë nga dashuria për Qytetin e Shenjtë, ashtu si askush nuk mund të na ndajë nga dashuria e Krishtit”.

Në vijim Imzot Pizzaballa paralajmëroi: “Atyre, që duan të përçajnë, ne i përgjigjemi me dëshirën për të krijuar bashkim! Atyre, që shprehin urrejtje dhe përbuzje, do t'u përgjigjemi me fuqinë shëruese të dashurisë! Atyre, që duan të na përjashtojnë, do t'u përgjigjemi duke u përpjekur të takohemi me ta dhe t’i mirëpresim. Por nuk do të heqim kurrë dorë nga dashuria për çka përfaqëson ky qytet - shtoi Imzot Pizzaballa - vend i vdekjes dhe i ringjalljes së Krishtit, vend i pajtimit, i dashurisë që shpëton dhe që i kapërcen kufijtë e dhimbjes dhe të vdekjes.

E ky është edhe misioni ynë si Kishë e Jeruzalemit: të ndërtojmë, të bashkojmë, të shembim muret, të shpresojmë kundër çdo shprese, të dëshmojmë me besim të qetë për një mënyrë jetese të lirë nga leqet e nga çdo forme frike”. Prandaj - përfundoi Prelati - “në zemrën tonë, në zemrën e të krishterëve të Jeruzalemit, nuk ka vend për urrejtje, as për hakmarrje! Nuk duam as të urrejmë e as të përbuzim askënd. Dashuria e Krishtit që na ka pushtuar, është më e fortë se çdo përvojë e kundërt. E kjo është dhe do të mbetet forca jonë e dëshmia jonë, pavarësisht nga kufizimet tona të shumta”.

Nuk duhet ta humbasim kurrë shpresën

Pra, nuk duhet ta humbasim shpresën – vijoi Prelati – e aq më pak të kemi frikë. Çka duhet të bëjmë, është “ta shikojmë me besim të ardhmen dhe ta  përtërijmë rishtas angazhimin tonë të sinqertë e konkret për paqen dhe unitetin, me besim të patundur në fuqinë e dashurisë së Krishtit”.

Toka Shenjte, në Festë

Në fund, turma e besimtarëve u bekua me reliken e Kryqit. Në procesion morën pjesë edhe fretërit françeskanë të Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë të cilët  e gjallëruan të gjithë rrugëtimin me këngë dhe muzikë, duke shoqëruar Patriarkun, Rojtarin e Tokës së Shenjtë, At Francesco Patton dhe Imzot Tito Yllana-n, nunc apostolik në Izrael e në Qipro dhe delegat në Jerusalem e Palestinë, si dhe autoritetet e shumta të besimeve të tjera të krishtera.

Mesha e paharrueshme, te Varri i Krishtit

Procesioni nga Betfage në Sant'Anna u parapri në mëngjes, në Bazilikën e Varrit të Shenjtë, nga një procesion tjetër dhe nga Mesha e së Dielës së Larit, kryesuar nga Patriarku, që hapi me të Javën e Madhe. Imzot Pizzaballa bekoi brenda edikulës së Varrit të Shenjtë palmat që vinin nga Jeriko dhe degët e ullinjve të Manastirit Françeskan të Shën Shëlbuesit. Pasi iu shpërndanë besimtarëve, nisi procesioni tradicional rreth Varrit: besimtarët, sipas traditës, u sollën tri herë rreth edikulës, vendit, që të kujton ditët ndërmjet vdekjes dhe ngjalljes së Krishtit.

03 prill 2023, 14:14