Çelësi i fjalëve të Kishës: Zoti në jetën e përditshme
R.SH. – Vatikan
Nuk është vetëm njeriu, që bart në vetvete pyetjen e vazhdueshme për Zotin, por ky shqetësim është pjesëmarrje në shqetësimin e Zotit për ne. Meqenëse Zoti shqetësohet për ne, na ndjek deri në grazhd, deri në Kryq. Kështu thoshte Papa Benedikti XVI, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, më 6 janar 2013, duke komentuar, në homelinë e meshës, ardhjen e Dijetarëve për të parë Jezu Krishtin, foshnjë në grazhd. Feja, vijonte Joseph Ratzinger, nuk është tjetër veçse prekja e shpirtit nga Zoti, një gjendje që na udhëheq në rrugën e jetës. Feja na tërheq drejt një gjendjeje, në të cilën na kap shqetësimi për Zotin e na bën shtegtarë, në rrugëtim shpirtëror drejt Mbretit të vërtetë të botës e drejt premtimit të Tij për drejtësi, vërtetësi e dashuri.
Shtegtimi shpirtëror i fesë drejt Zotit bëhet sidomos në lutje. Shën Augustini pati thënë dikur se lutja, në analizë të fundit, nuk është tjetër veçse aktualizimi dhe radikalizimi i dëshirës sonë për Hyjin. Në vend të fjalës “dëshirë” mund të vendosim fjalën “shqetësim” e të themi se lutja na shkëput nga rehatitë tona të rreme, nga mbyllja në realitete materiale, në ato që vetëm duken, duke na transmetuar kështu, shqetësimin për Zotin e përmes tij, duke na e hapur zemrën që të shqetësohemi për njëri-tjetrin.
Mishërimi, nënvizonte Papa Benediki XVI në audiencën e përgjithshme të 9 janarit 2013, Zoti që bëhet njeri si ne, vë në pah realizmin e padëgjuar të dashurisë hyjnore. Vërtet, veprimi i Hyjit nuk kufizohet vetëm me fjalë, madje, mund të themi se ai nuk kënaqet me kaq pak, por hyn thellë në historinë tonë dhe merr mbi vete lodhjen dhe peshën e jetës njerëzore. Biri i Zotit u bë vërtet njeri, lindi nga Virgjëra Mari, në një kohë e në një vend të mirëpërcaktuar, në Betlehem, gjatë mbretërimit të perandorit August, nën guvernatorin Kuirini (shih Lk 2,1-2); u rrit në një familje, pati miq e shokë, formoi një grup dishepujsh, i mësoi apostujt si ta vazhdojnë misionin e Tij, e përfundoi udhën e tij tokësore në Kryq.
Kjo mënyrë veprimi e Zotit është nxitje e fuqishme për ta pyetur veten mbi realizmin e fesë sonë, e cila nuk duhet të kufizohet thjesht në sferën e ndjenjave e të emocioneve, por duhet të hyjë në sferën konkrete të ekzistencës, pra, duhet të prekë jetën tonë të përditshme e ta orientojë atë edhe nga pikëpamja praktike. Zoti nuk u ndal tek fjalët, por na tregoi si të jetojmë, duke e ndarë me të tjerët çdo përvojë tonën, përveç mëkatit. Feja ka një aspekt themelor, që nuk i intereson vetëm mendjes e zemrës, por gjithë jetës sonë.