Çelësi i fjalëve të Kishës: Zoti hyn në jetën tonë për të na bërë të lirë
R.SH. – Vatikan
Aktualisht, janë të shumtë ata, që tërhiqen nga figura e Krishtit dhe dëshirojnë ta njohin më mirë. E ndiejnë se Ai është përgjigjja për shumë prej shqetësimeve e anktheve të tyre personale. Por kush është Ai në të vërtetë? – i pyeste Benedikti XVI të rinjtë e mbledhur në Madrid. Si është e mundur që dikush, i cili ka jetuar në tokë para shumë vitesh, të ketë ndonjë punë me mua sot? Feja shkon përtej të dhënave të thjeshta empirike, ose historike, është e aftë të kapë çdo mister në personin e Krishtit, deri në thellësi.
Por feja nuk është fryt i përpjekjeve njerëzore, i arsyes së njeriut, është dhuratë e Zotit. E ka zanafillën në nismën e Hyjit, që na zbulon intimitetin e Tij e na fton të marrim pjesë në jetën e tij hyjnore. Feja nuk na jep thjesht disa informacione mbi identitetin e Krishtit, por presupozon marrëdhënie personale me Të, pranimin e Tij me gjithë vetveten, me inteligjencën, vullnetin dhe ndjenjat personale, pranimin e Zotit kur na e dëfton vetveten. Kështu, pyetja “E ju, kush thoni se jam?”, në fund të fundit, i provokon dishepujt, duke i nxitur të marrin një vendim personal për marrëdhëniet me Krishtin. Feja dhe ndjekja e Jezusit lidhen ngushtë me njëra-tjetrën. E, meqë presupozon ndjekjen e gjurmëve të Mësuesit, feja duhet të konsolidohet e të rritet, të bëhet më e thellë dhe më e pjekur, në masën me të cilën intensifikohen dhe forcohen marrëdhëniet me Jezusin, intimiteti me Të. Edhe Pjetrit e apostujve të tjerë iu desh të ecnin në këtë rrugë, derisa takimi me Zotin e Ringjallur nuk u hapi sytë për një fe të plotë e të begatë.
Historia jonë, edhe pse shpesh e karakterizuar nga dhimbja, pasiguria, çaste krize, është histori shëlbimi: fati i njerëzimit ripërcaktohet. Në Jezusin, çdo mërgim i yni përfundon, çdo lot na fshihet nga vdekja e shndërruar në jetë në misterin e kryqit të Tij, ashtu si kokrra e grurit, që çahet në brendësinë e tokës, bëhet filiz e pastaj, kallëza.
Edhe për ne, ky zbulim i Jezu Krishtit është gëzimi i madh për “po”-në e Hyjit, për ripërcaktimin e fatit tonë. Por, si ata që – pasi u kthyen nga Babilonia plot gëzim – e gjetën tokën të varfëruar, të shkatërruar, të vështirë për t’u mbjellë, prandaj, vuajtën e lotuan pa e ditur se në fund do të vinin gjithsesi të korrat, ashtu edhe ne, pasi kemi zbuluar Jezu Krishtin – që bëhet jeta, e vërteta, udha jonë – duke hyrë në terrenin e besimit, në “tokën e fesë”, gjejmë, madje edhe shpesh, një jetë të errët, të ashpër, të vështirë, mbjellim me lotë, por jemi të sigurt se drita e Krishtit, në fund të fundit, na dhuron vërtet të korra të mëdha. E duhet ta kemi parasysh këtë edhe gjatë netëve të errëta; të mos harrojmë se drita ekziston, se Zoti është në jetën tonë dhe se mund të mbjellim me besimin e madh se “po”-ja e Hyjit është më e fortë se në të gjithë.
Ka rëndësi të mos e humbasim këtë kujtim të pranisë së Zotit në jetën tonë, këtë gëzim të thellë për faktin se Hyji hyn në jetën tonë, duke na bërë të lirë: është mirënjohja për faktin se kemi zbuluar Jezu Krishtin, i cili erdhi mes nesh. E kjo mirënjohje shndërrohet në shpresë, është ylli i shpresës, që na jep besimin, është drita, pasi pikërisht dhimbjet ndërsa hedhim farën janë fillimi i jetës së re, i gëzimit të madh e përfundimtar të Zotit.